
Grim
Tregim nga Fatmir Terziu
Ajo u ul. Nxitoi gishtat nëpër flokët e lagur të tij dhe nisi duke e ledhatuar. E ky veprim u duk qetësues për të. Shumë shpejt ai u kllapit në gjumë. Ajo priti një copë kohë. Pastaj ia kapi me kujdes kokën dhe ia vuri mbi jastëk. Ia ngriti lehtë e lehtë këmbët dhe po me shumë kujdes ia vuri në shtrat. Pastaj brofi në këmbë. U rotullua dy a tre herë nëpër dhomë. Pas disa minutash mbushi një gotë uiski, shtoi një pikë ujë me gaz në gotën e saj, e tundi lehtë dhe e piu menjëherë.
Pastaj bëri nga dera, e tërhoqi lehtazi, duke e hapur ngadalë dhe doli jashtë. Menjëherë e mbylli derën duke mos e përplasur. U soll përqark nëpër oborrin e shtëpisë, pastaj hapi portën e rrethimit të shtëpisë, dhe doli në rrugicën ku kolovitej mbi pellgje trupthi i latuar i hënës. Qielli ishte tashmë i pastruar nga retë. I njëjti vegim qiellor nga atje lart e ndoqi deri në të dalë të rrugicës. Pastaj doli në bulevard dhe eci në lindje të tij. Dhe kur arriti në hyrje të Pubit mori frymë thellë. U fut brenda dhe aty ishte Lutani, i ulur, qëndronte vetëm, dhe dukej që ishte i dehur, nga fytyra e tij e zverdhur, që bënte rikoshetë me lakatundjet e ngjyrimeve të ndryshme të dritave, aty në atë kënd të vetmuar, në fund të së djathtës së Pubit. Bëri ngadalë andej nga ai kënd dhe u ul pranë tij.
“S’të ka marrë malli për fëmijën?” pyeti ajo.
Lutani ngriti sytë. Ai ngriti kokën dhe enkas hapi e mbylli sytë disa herë. Nuk u përgjigj. Shikoi banakieren dhe banakierja u afrua drejt tyre. Aty të gjithë e njihnin njëri-tjetrin.
Lutani ia vuri krahun rreth saj, e tërhoqi dhe e puthi.
“Ah, ti ….”, tha ai, “Më ka marrë malli”. “Më mungojnë ato këmbët e tua, Edra. Unë me të vërtetë i kam humbur ato të mirat pulpa, i kam … humbur këmbët e tua”, vazhdoi ai duke folur me gjuhën e trashë.
“Juve akoma…, akoma ju pëlqen të mbeteni adoleshent?” – ndërhyri Edra
“Më nxehet trupi, më merr zjarr ky … duke të parë”, foli Lutani.
“Unë kurrë nuk mund ta prisja këtë fjalor, një gjuhë si e një djali të …, kaq adoleshent nga mendja,” foli Edra. Mori frymë thellë dhe vazhdoi: “Këmbët e mia janë hekur, por janë gjithashtu të buta, janë shumë interesante. Se këto këmbë e këto duar të mbajtën shtëpinë të pastër dhe … dhe u sakatuan në mish e në kockë duke mbajtur brengat e kyçura në këtë trup të .... Me ty, ishte si të bëje rolin e një shërbëtoreje. Por unë të pyeta a nuk të ka marë malli për fëmijën?”
“Eh, si e thua këtë? Si ma kërkon këtë? A…”, ndërhyri ai.
“Me sa shoh qenke ende esëll, kujtova se mos ishe bërë tapë. Por shoh se po shkon në pikën e fundit”, foli Edra.
“Pikën e fundit? A e paske harruar kontratën tonë? Si mendon ti se është e lehtë të mbash një damllë të zezë në shpirt? Si mendon ti se duhet të kujtosh e të kesh dashuri për një surrogato epruvete?” foli i acaruar Lutani.
“E thashë që shkove në pikën e fundit. Por ajo epruvetë kishte spermën tënde dhe ne ramë dakord që ajo të …”, u mundua të zbuste zërin e të sqaronte disi situatën Edra.
“Jo moj, me atë që e lindi vrima e asaj putanes do të më bësh ti …”, foli përsëri nervoz Lutani.
“Ah, ti i bën të gjitha. I bën. Ky vend ishte dhe mbeti pa vend. Ju mund të hani mish viçi e të pini gjithë ditën. Por, ajo që të thashë nuk shkon me këtë gjuhë. Ajo ishte e kontrolluar dhe ishte e pastër nga ana mjekësore, ishte anonime dhe ti nuk ke të drejtë të acarohesh me atë që e vendosëm të dy dhe e bëmë kontratë jete, … kjo ishte ajo që ishte”, foli ai.
“Pini me fund, do të ndjeheni më mirë”, foli si nëpër dhëmbë ajo. Mori frymë thellë dhe vazhdoi të sqaronte se ndodhej në pikë të hallit.
“Unë nuk kam tashmë burrë. Ai shoku yt që më ngece për të më bastarduar dhe harruar … ai … është një grim. Grim!”
“Çfarë? E ke dhjerë edhe me të? Të paktën ai …”
“Të paktën dhe ai nuk mund të bëjë dashuri.”
“Do të thuash që ai nuk mund të … ngrihet?”
“Oh, ai ngrihet, ai është i ngritur gjatë gjithë kohës. Por, ai nuk di të bëjë një grua të lumtur, ju e dinit, apo jo? Ai nuk dinte se çfarë të bënte. Të gjitha ato para, gjithë atë edukim, ai ishte thjesht …, thjesht i padobishëm si burrë për një grua, por një mashkull mjaft ndryshe nga një si ty. Thjesht grim”.
“Unë uroj që të kesh një edukator ...”
“Po ndryshe me mua. Ja pra, e gjete, sikurse e gjen gjithmonë. Ndërsa me ju… Ju nuk keni nevojë për një. Ju keni gjithçka që ju nevojitet, Lutan?!”.
“Unë jam thjesht një pluhur. Të gjitha punët e pluhurosura. Unë thashë që keni gjithçka që ju nevojitet, Lutan. Ju e dini se si të bëni një grua të lumtur.”
“Eh, vërtetë?”
“Po. Dhe ju e dini çfarë tjetër duhet për një femër? Nëna e tij më erdhi për të më takuar.”
“Nëna e tij?” u habit Lutani.
“Po. Dhe foli gjatë me mua. Tashmë vjen dy ose tre herë në javë. Dhe ajo ulet atje përballë meje dhe atij, duke na shikuar, duke pretenduar se më pëlqen mua, por gjatë gjithë kohës ajo po më trajton sikur të isha një e përdalë nga rruga. Si unë të isha një e keqe e madhe dhe ndodhesha aty në atë shtëpi të madhe si një hajdute që kisha vajtur për t’ia vjedhur djalin e saj dhe për t’a çuar larg nga ajo! Tullumbacen e saj të çmuar! Krishti i saj! Çfarë rrëmuje! Dhe ai qëndron e më fërkon në sytë e saj. Ai pretendon gjithashtu në sytë e saj, se më do mua. Dhe unë do të thoja në prani të dyve, ‘Shikoni zemra ime, Lefteri!’ Dhe ai nuk do të shikonte më në pjesën time intime, por do të shkonte me duart e tij atje. Në sytë e saj një ditë më tha: ‘Unë jam i habitur me ty, nuk do ta shikojmë atë gjë.’ Ajo gjë! Kjo është ajo që ai e quajti atë gjë! Ju nuk keni etikë si ai, dashuria ime, ah je ti, Lutan?”
“Asnjëherë nuk është pak për mua. Por ju e keni grimuar atë, e keni mashtruar, nuk keni bërë për të shpëtuar veten tuaj Lutan?”
“Veten time? Apo moralin tënd?”
“Unë mendoj se kam bërë më të mirën. Morali im dihet prej teje, prej meje, nuk bëj fëmijë, por nuk jam e përdalë… nuk … jam edhe kështu, edhe ashtu.”
“Mjaft!” u acarua më shumë, Lutani.
“Dhe ju e keni lëpirë atë, a nuk e keni shkë…. atë? Se ju jeni edhe kështu, edhe ashtu. Dhe juve u interesonte të fshihnit veten.”
“Unë mendoj kështu, se unë…, unë… bëra më të mirën”.
“Ju e dini mirë i dashur, Lutan, atë që keni bërë. Sa para keni marrë?”
“Gjashtëqind stërlina dhe ato për atë surrogatën tënde, për atë që e deshe ta kishe si provë dashurie.”
“Ah, s’mund të them thjesht turp. Jo. Ai është produkt i një mirëkuptimi. Ai është engjëll i pafajshëm. Është fëmijë. Është jetë. Por…por … dije mirë. Nuk më pëlqejnë njerëzit që vjedhin njerëz të tjerë, Lutan.”
“Kjo është arsyeja pse ju jeni një pjatalarëse muti. Ju jeni e sinqertë? Por ai është i tillë? Ah, i shkreti Lefter, ah?!”
“Menjëherë e përdore edhe sot dhe pasi e dehe e plase në rrugicë… Ndërsa unë… Unë e mbaj ende, ende e mbaj dashnorin tënd i dashur Lutan si të dashurin tim, për të mbajtur besën tek ajo kontratë, që ti e quan se na e solli atë surrogatë.
“Dhe ai mund t’i … mbyllë të gjitha. Ai, pra Lefteri mund t’i lejojë paratë që të bëjnë mrekullira në jetën tonë, timen, tënden dhe të vetë atij.”
Paratë, paratë… E kuptova. Ti i dashur Lutan, gjithnjë e ke mendjen tek… dhe nuk e harron paranë. Paratë? Dhe unë i kam fituar ato ... ai dhe nëna e tij, dhe e tija …, ah, e shkreta nënë… Dashuria. Dashuria e nënës për të, dhe dashuria e tij për nënën. I pastër, lahet me birila, ka qindra tualete dhe çanta të ngjashme, kremra fytyre dhe locione pas rruajtjeve dhe ngurtësive të tij dhe të gjitha thjesht … thjesht për hir të dashuri-marrjes. Gjithçka për veten e tij, ti e kupton, gjithçka për vete! Ti e di se çfarë dëshiron, një Lefter si ai tek një Lutan?”.
Eqerem Canaj: Z. Fatmir Terziu, duke lexuar tregimin"Grimi"arrij te nenkuptoj mirefilli mjeshterine e larte artistike tuajen, sesi operoni bukur ne nje tregim te shkurter me nje numer tekufizuar personazhesh ( Lutani, femra, Lefteri). Brenda kesaj suaze kini ngritur intrigen, zhvilluar piken konfliktuale, permes nje humori te holle, ne ne gjuhe te thjeshte deri ne realizimin e mesazhit, krejt natyrshem. Ketu tek ne kjo gnini nuk po levrohet baras me intesitetin e kohes, mungon mjeshtria dhe individualiteti, keshtu qe ju po tregoheni udherrefyes i perkushtuar ne fokusin e letersise shqiptare. Falenderimet e mia!
Tregim psikologjik, me gjuhë të pasur figurative dhe dramacitet emocionues.
Muça Vladimir: Emocion dhe karaktere njerëzorë të ngritur në art
Bardhyl Maliqi: Fraza rrjedh natyrshem dhe karakteret ravijezohen bukur.