Ditë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 27, 2021
- 1 min read

Astrit Lulushi
Dita dhe nata janë një, edhe pse duken të ndara. Është si jeta, në garë me veten, por pa konflikt interesi, ose si njërëzit, të ndarë në të mirë e të këqinj, që së bashku formojnë njerëzimin, dhe njëra pa tjetrën nuk mund të zhduken. Njeriu vrapon drejt fundit në garën pa fund; ku mbaron njëra, tjetra fillon. Quhet cikël, por është edhe vijë e drejtë, si koha. Njeriu nxiton të zbatojë...fjalën, kur t’i vijë radha për të folur; qëndron dhe tregon gjithçka, siç e shikon. Për disa është fundi i kohës për bërë keq; si të bëjnë mirë nuk dinë, janë rritur, formuar, hijshuar me poste të larta, por nuk njohin kufij në ligësi.
Janë mësuar me errësirën nga ku drita largohet si një llambë për të dëshmuar lamtumirën. Për një moment pasiguri e frikë krijohet për të hedhur hapin, pastaj sytë përshtaten në errësirë dhe shohin. Drejt natës më të errët, mbrëmja e trurit të mbyllur nën hije nuk zbulon dot as më të guximshmit, hënën ose ndonjë yll të fshehur. Njeriu vrapon, ndalet pak, dhe ndonjëherë godet pemën direkt në ballë. Ndërsa përmendet dhe mëson përsëri të shohë; nata ndryshon, ose diçka në pamje ndodh krejt në mes të natës; errësira fillon të zbresë. Poshtë e pret gati, si vrapues stafete, gjysma tjetër, dita; dhe sytë e njeriut të verbuar nga errësira, hapen.
Comments