ORA


Resmi Osmani

Bulevardi qendror i Janinës llapste nga bardhësia e dritave sa të merrte sytë. Prapa vitrinave të xhamta, nën efektin e dritave ndrinin, rrëzëllinin e feksnin stolitë e argjendta të gjithfarllojshme, stolisur me inxhi e gurë të çmuar, njëra më e bukur se tjetra. Dyqanet vinin rresht, aq të shumtë sa vështirë të zgjidhje. Ishte rruga e argjendarëve. Djaloshi, me një pako nën sqetull, që e shtrëngonte si të kiahte frikë se mos i ikte, kur mbrriti te hotel “Pirro” mbajti këmbët dhe iu afrua hyrjes së dyqanit. I zoti, një plak në dukje i fisëm e sqimatar, me syze dhe një mjekër të mirkujdesur, i buzëqeshi dhe e ftoi të hynte. Djali e përshëndeti dhe iu afrua me drojtje banakut të qelqtë dhe nisi të kulloste sytë mbi stolitë e vyera që rrëzëllinin e pasqylyseshin. Kadifeja e zezë dhe pasqyrat ua shtonin edhe më shumë shkëlqimin dhe bukurinë. Më mjë knd të vitrinës ishin antikat.

-Të të ndihmoj? Kemi argjënde nga më të mirat e të vyerat: varëse me kryq për besimtarët kristiamë dhe me gjysmëhënë për ata myslymanë,me zemra per te dashuruarit, byzylykë me thurje nga me te bukurat, unaza stolisur me gurë të çmuar….

-Faleminderit zotri,-e ndërpreu djali- nuk jam për të blerë, po u hedh një sy stolive, por kam ardhur për të shitur.

Mjeshtri e pa me dyshim. Djali dukej si i friguar, greqishten e fliste me theks të huaj, por dhe pamja e veshja e tij s’ fliste për mirë.

-Pa na e rrëfe, çfarë na ke sjellë?