top of page

Një


Një

Tregim nga Fatmir Terziu


Në fillim pa nga dritarja. Pastaj nxorri duart nga jorgani dhe mori frymë thellë duke u lutur në të përditshmen e tij.

Kam ditëlindjen sot. Dhe dua ta festoj ndryshe. Do bëj listë të madhe. E ndërsa u dha një shuplakë ujë të freskët syve, kundrisi kafenë dhe u ul në minderin e tij të lehtë afër mollës që kishte mbjedhur në kujtim të gruas së tij që kishte ndërruar jetë tre vjet më parë. Sa u bë gati të ngrihej dhe mendonte të shtonte dikë në listën e tij, befas iu shfaq një bukuroshe e gjatë, e hollë, simpatike, por që i shfaqej vetëm andej nga dielli.

-Mos më lodh që në mëngjes të lutem o Zot, kam sytë ende me lotë që më përskuqen nga brenda. Të lutem o Zot i Madh mos më sprovo në këtë moshë të bëj rolin e padëshiruar në jetë! – foli dhe mori frymë thellë duke mbajtur sytë andej nga ku dielli kaplonte më shumë e më shumë mbi kreshta.

-E thënë nga goja jote e thënë… Nuk është ndonjë lojë. Jam unë. – u përgjigj një zë femëror nga ai trup që ndriste nën rreze të diellit, por që sytë në atë pikë dallonin vetëm bukurinë hyjnore të fytyrës e trupi ishte i pështjellë me xixa.

-Kush je ti? A nuk të mjaftojnë ëndrrat që më mban në ajër gjithë natën? – pyeti dhe shtoi duke kafshuar gjuhën. „Ja më prit po përgatitem…, eh do të jem së shpejti me ty atje“. Dhe një pikë loti rrëshkiti nxituar të shtonte akoma më shumë xixa rreth syve të tij.

-Unë nuk të lodh, por dua të jem gjithnjë afër teje. Këndej punërat janë ndryshe. E ato, pasi i kryej lutem të kthehem afër teje. Ja unë jam… e këto rroba i kam blerë larg, shumë larg prej teje të të bëj sikur më ke ëndërruar në atë rininë tënde të hershme. E mban mend?

-E mirë, de mirë. Mjaft të lutem. Në këtë botë nuk perceptohen këto gjëra, jo më ..

-E di. Të kuptoj. Por unë jam tani ….

-Cila je tani?

-Jam … emrin e kam Pavdekësi, ... jam Një! – tha dhe xixat u shkërmoqën nën diell dhe ajo me atë trup që bëhej shirit rreth tij u zhduk duke lënë një zë të ngrohtë në veshët e tij dhe një buzëqeshje të ëmbël në sytë e tij.


Ai mbeti me sytë e tij andej nga dielli dhe mendoi se do të rishfaqej sërrish ashtu sikurse e pa. Ajo nuk ishte më një qasje e lehtë. Ishte një trup i ngrirë në sy. Ishte një vegim në mendjen e tij, Ishte një zjarr në trup. Në duar i dukej sikurse e mbante ende si pupël. E ndërsa përhumbej i hidhte një sy shtrembër krevatit. Kujtonte se do të rikthehej ajo mrekullia e viteve të tjera.

-Në rregull. Nëse më sillesh vërdallë, po të tregoj..., eh... Unë sot do të ftoj shumë njerëz. Dua të jesh edhe ti.

-E ftuara? Unë jam. Madje do të jem kudo dhe ngahera.

-E po mirë atëherë. Ne do të festojmë sonte. Një festë të madhe do të ketë më në fund kjo shtëpi. Tre breza do të ngrejnë dolli. E për ty? Nuk e di a do të ngresh ndonjë dolli? Ti do të jesh sonte e ftuara ime speciale.

-Dolli? Miliona vite dritë do të jenë në gotën time të madhe. E aty do të shtrydh mushtin e jetës. Mushtin e vërtetë dhe të së vërtetës. Nëse do të të hidhërojë kur ta pish mos u ndje ngushtë, kalon shpejt. Fundja ndonjë pikë loti do të jetë.

Ai nuk mund t'i hiqte sytë nga ajo ndjesi që po ndodhte dhe mendonte se si ta mbante më gjatë. Ajo sillej belhollë nëpër hapësirë dhe kudo lëshonte xixa. Tek-tuk bënte ndonjë punë të vogël. Ja përshembull e drejtoi dhe e pastroi fotografinë e varur në murin e bardhë. Fotografia është e martesës. Dhe aty u ndje se vërtetë ishte ajo. Kishte më shumë xixa në sytë e tij.

-Oh, faleminderit për këtë dhuratë të bukur, mbete sikur të njoha, e sjellshme.

-Eh, kohërat ndryshojnë por ne mbetemi në varësi të kohërave. The se më ke ftuar sonte, apo jo? Në rregull, por kohërat këndej më kanë njohur me shumë të harruar, të hedhur qoshkave të historisë së atjetejshme, të larguar nga mendjet e të gjallëve, të nëpërkëmbur, që këtu kanë emër të madh, ndaj më duhet t'ju them se nuk jam kurrë vetëm tashmë. Kam shumë prej tyre, dikur të quajtur armiq e që tashmë janë miq dhe që janë gjithmonë pranë meje. Pra, nëse nuk e keni problem të vijnë edhe ata, do të isha e lumtur të jem sonte në këtë ditëlindje mysafiri juaj, që të kërkoj të falur që ta kam lënë në këtë gjendje.

-Sigurisht që nuk më shqetëson, - foli i lumtur dhe me lotët që shumëfishonin xixat rreth tij. - Në shtëpinë që kemi ngritur me djersë, që është gatuar me gjakun dhe mundin e të parëve tanë, ka vend të mjaftueshëm për të gjithë dhe me kënaqësi do të mirëpres edhe miqtë që më the, ndoshta dhe ato që … dikur i paskemi cilësuar si armiq.

Në mbrëmje, të ftuarit filluan të mbërrinin dhe ndërsa ata zinin vendet e tyre rreth tryezës së gjatë e të gjerë e të mbushur me shumë gjëra, mjaft të pasur, ai mërmëriste me vete. Diçka e shqetësonte. Herë pas here i duhej të pastronte sytë. I kishin mbetur tërë asaj kohe të zhytur në ujë. Nuk i mbarronte tërë ajo rrjedhje, e dalë si nga ndonjë burim mali, por që kishte në vetvete zjarr e që e bën rrjedhje termale. I pa të gjithë. I urdhëroi dhe tashmë vërtet nuk kishte qetësi. Nuk i bëhej të kapte gotën e të bënte Gëzuar me të gjthë.

Nuk mund të priste më. Duhej të fillonte. E shihte se po mërziteshin. Dhe kështu bëri. Mori gotën dhe…, në çast sa e ngriti, i doli nga veshët e tij po ai zë i bukur, i ëmbël dhe i ngrohtë.

- A ndihesh mirë?

Është e vështirë për mua ta përshkruaj, - u përgjigj i shpërqëndruar, por unë tashmë nuk të shoh. Por, edhe pse nuk mund të të shoh, ndjej praninë tënde dhe më mbush me ngrohtësi të pafundme dhe lumturi të papërshkrueshme. Nuk jam ndjerë kurrë kaq i qetë dhe i lumtur në jetën time.

-Mos u fut në mendime. Është koha të gëzojmë. Për sa kohë që kujdesesh për miqtë e mirë, përderisa nuk refuzon ndihmën për të braktisurit dhe nevojtarët, unë do të jem gjithmonë me ty dhe do të ndihesh gjithmonë kështu - tha ai zë i ngrohtë butësisht dhe iu duk se e përkëdheli lehtas në veshët e tij.

– Po pse nuk të shoh, përsëri?

- Sepse u vendosa tashmë përfundimisht në zemrën tënde të çliruar nga e shkuara e lodhur. Është e lehtë për shpirtin tim, shoh kuptimin e gjërave që as që i kisha menduar më parë..., para se ti të vije në jetën time. Ja që njeriu paska dhe Një …Ti më në fund e ke kuptuar se jeta është me të gjithë që ke pranë teje, me të gjithë ata që ndoshta nuk e kanë këtë fat e këtë pasuri, me të gjithë ata që ndoshta u quajtën armiq, por që vjen një ditë dhe i sjell në dritë.

-Pra nuk më sheh? Më sheh por nuk më prek dot. Ky është problemi. Unë jam prej kohësh, prej ditës së parë që u njohëm thjesht Një me ty. Ne ishim dy trupa por në fakt ishim vetëm Një i tillë. Një!

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page