
8 dhjetori 1990 - Dita e Lirisë dhe e Demokracisë!
Nderim përjetë Lëvizjes Studentore të Dhjetorit '90 dhe Liderit të saj dhe Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, për veprën historike të përmbysjes së diktaturës komuniste më të egër të Kontinentit.
Sot, pas 29 vitesh, liria e plotë është ende e pa realizuar në vendin tonë, në tërësinë e saj. Sa kohë periudha e diktaturës dhe veprimtaria e segmenteve të saj të dhunës dhe terrorit, sidomos të ish Sigurimit të Shtetit, nuk janë ndricuar plotësisht, ndikimi i tyre nuk do të zhduket, jo vetëm në institucionet e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por edhe në sektorë dhe fusha të tjera të jetës në vendin tonë, cka bën që e tashmja dhe e ardhmja e lirisë dhe e demokracisë në Shqipëri të mos jenë plotësisht të sigurtë.
Sot, 29 vite pas fitores së Lirisë në vendin tonë, Agron Tufa, një shkrimtar i spikatur dhe pedagog i Universitetit të Tiranës, tani drejtues i lartë i një institucioni në varësi direkte të Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kërkon azil politik në Zvicër, sepse iu kërcënua liria dhe jeta e tij dhe e familjes së tij dhe ai u braktis nga organet shtetërore, që kanë detyrë mbrojtjen e cdo qytetari të kërcënuar, për më tepër të një zyrtari të lartë të shtetit. Deri tani, për këtë ngjarje të rëndë po flet vetëm Zëri i Amerikës! Folën disa intelektualë të letrave dhe ndonjë media e guximshme. Autoritetet më të larta të vendit dhe të drejtësisë e kanë për detyrë ti shpjegojnë opinionit publik të vërtetën e kësaj ngjarje. Deri tani ato nuk kanë folur!
Por ajo që éshtë më e rëndë, është se ka një frikë të flitet për këtë ngjarje! Nga kush? Edhe kjo në vetvete është një kambanë e Lirisë së kërcënuar të Fjalës e të Shprehjes si dhe e Lirisë së Individit 29 vite pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Studentët dhjetoristë, të udhëhequr nga Azem Hajdari, u përballën, më 8 dhjetor 1990, me diktaturën komuniste dhe vunë në rrezik jetën e tyre duke u përleshur, në rrugët e Tiranës, me forcat e ish Sigurimit të Shtetit, policisë dhe ushtrisë së diktaturës. Ata e bënë këtë për të vendosur Lirinë dhe Demokracinë në Shqipëri. Sot, gati tre dekada më vonë nuk mund të jemi indiferent kur kërcënohet Liria qoftë edhe e një qytetari shqiptar.
Comments