top of page

79 vjet më parë


79 vjet më parë

Rruga luftarake e Br. XVIII S

Nga Sakip Cami

Me 18 gusht 1944 në Sllatinë të Dibrës, formohet Br. XVIII S me komandant Esat Ndreun dhe komisar Dhimitër (Miço) Kallamata, me katër batalione, batalionin e Dibrës, batalionin e Martaneshit, batalionin e Çermenikës dhe batalionin e Ri që u formua ato ditë. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe të KANÇ-it përshëndeti Haxhi Lleshi, anëtar këtij Komiteti dhe qeverie.


Luftimet e Br. XVIII S në Dibër, Korab dhe Gramë

Komanda gjermane me qendër në qytetin e Dibrës së Madhe, me garnizone në Gostivar dhe në Tetovë, me ndihmën edhe të mercenarëve ndërmorën një operacion në shkallë të gjërë për të pushtuar qytetin e Peshkopisë, të çliruar nga forcat partizane, për t’i asgjësuar forcat partizane pjesë pjesë.

Komanda e lartë gjermane e Korparmatës XXI malore e organizoi mësymjen në 4 drejtime kryesore:

-Nga Veriu: nga Kukësi mobilizoi batalioni II të Regjimentit 522 të komanduar nga majori Frank, Regjimentin 297 të artilerisë dhe 500 mercenarë.

-Nga Perëndimi sulmon forca të ardhura nga Mirdita.

-Nga Jugu: sulmonin forca të ardhura nga qyteti i Dibrës së Madhe që avanconin në kodrat e Maqellarës dhe pengonin lëvizjen e forcave partizane.

-Nga Lindja: një grupim gjerman me 500 ushtarë dhe 100 mercenarë nga Kërçova dhe Gostivari sulmonte në drejtim të malit të Deshatit e të Korabit ku ishin përqëndruar forcat partizane.

Në Lumë dhe në Kukës operacioni armik dështoi sepse vepruan forcat e Br. I S dhe gjermanët nuk mundën t’u vinin në ndihmë forcave që vinin nga Dibra. Po kështu edhe forcat që do të vinin nga Mirdita nuk mundën të depërtonin dhe të vinin në Dibër sepse hasën në rezistencën e forcave të Br. IV S. Sulmi i forcave gjermane u përqëndrua në zonën e maleve që nga Maqellara, gjatë Inoskës, Skërtecit e deri në Cerjan. Por të detyruar nga forcat partizane që vepronin në këtë zonë, që kishin ndihmën edhe të popullit të zonës, gjermanët u thyen dhe u tërhoqën në garnizonet e tyre në Dibër të Madhe, Gostivar dhe Tetovë.

Më 22.08.1944 forcat e Br. XVIII S, së bashku me forcat e Br. V S, zhvilluan me sukses luftimin e parë mësymës kundër forcave gjermane e reaksionare të përqendruara në malin e Korabit. Batalioni I dhe IV i Br. XVIII S lëvizi në drejtim të malit të Korabit dhe u vendos në afërsi të fshatrave Zimur, Cerjan, në krah të forcave të Br. V S. Batalioni I natën dhe në befasi pasi kaloi Dipjakën u përqëndrua në Zimur, në afërsi të Korabit dhe zuri pozicione në malin e Gramës (Bjeshkët e Zonjës me lartësi 2345 metra). Batalioni IV u vendos në të djathtë të batalionit të I duke mbyllur qafën e Skërtecit. Tre ditë dhe tre netë luftime në këto male dhe qafa e detyraum armikun që të tëhiqet

Batalioni II i Br. XVIII S u vendos në hyrje të Peshkopisë, rreth 500 metra në perëndim të saj për të mos lejuar afrimin e forcave gjermanë në drejtim të qytetit.

Nga ky sulm armiku pati shumë humbje dhe dështoi operacioni “Füchsjargd”, (Gjahu i dhelprave), që synonte të pushtonte Peshkopinë.

23 gushti 1944 shënoi çlirimin e plotë të qarkut të Dibrës.

Çlirimi i Dibrës së Madhe

Me 25 gusht 1944 u dha për detyrë çlirimi i Dibrës së Madhe. Natën e 1 shtatorit qyteti i Dibrës së Madhe u rrethua nga forcat partizane të Br. IV S dhe të Br. XVIII S dhe në mëngjezin e datës 2 shtator do të fillonte sulmi.

Batalioni i parë u vendos në frontin Bajnisht-Kojnarë, batalioni i katërt u vendos në frontin Bofmollë-Ura e Spiles.

Frontet e tjera ishin zënë nga një pjesë e forcave të Divizionit të parë.

Në krah të forcave gjermane vepronte Batalioni “Drini” i komanduar nga Dilaver Dine. Pas 24 orë luftimesh forcat gjermane në qytet si dhe forcat e batalionit “Drini” u tërhoqën nga Dibra e Madhe. Dibra u çlirua.

Dy batalione të Br. XVIII S, në bashkëveprim me forcat e Br. V S, më 2 shtator çliruan qytetin e Dibrës.

Brigada e katërt shqiptaro-maqedonase e drejtuar nga Qemal e Nexhat Agolli mori drejtimin e Strugës dhe më pas të Shkupit.

Luftimet në Kalanë e Dodës

Me 20 shtator 1944 forcat mercenare të Zyber Litës goditën dhe masakruan një grup partizanësh prej 60 vetësh kosovarë dhe malazezë të udhëhequr nga Hajdar Dushi, i cili vinte nga Maqedonia për të çuar në Kosovën teknikën e Kosmetit. Batalioni i parë i komanduar nga Gafurr Korça dhe Rexhep Doda nga mesi i natës filloi marshimn në drejtim të Kalasë së Dodës dhe në orën pesë të mëngjesit sulmon Kalanë, nga Kalla, Vlesha e Sllova dhe nga Zall-Kalisi dhe pas pesë orë luftimesh të përgjakshme u muar Kalaja.

Këtu kemi parë edhe masakrën më të madhe njerëzore, tregon Uke A. Cami ish komisar kompanie në Br. XVIII S, kemi parë Hajdar Dushin me 22 shokë të vrarë, ndërmjet tyre edhe 2 shoqe partizane, të cilat i kishin xhveshur lakuriq dhe u kishin ngulur nga një hu në prapanicë dhe i kishin mbështetur për shkëmbi.

Pas rrethimit që i bëmë forcave të M. Bajraktarit e çliruam shtabin e Br. V S, por nga kjo brigadë kishin mbetur në luftim 60 partizanë, kryesisht të vrarë nga forcat e Muharrem Bajraktarit. Ja ku kishte arritur vëllavrasja midis shqiptarëve, antifashistëve dhe antikomunistëve. Populli i kësaj zone më shumë mbështeti Nacionalçlirimtaren se sa Muharrem Bajraktarin dhe u rreshtua në Br. XXIV S, kundër gjermanëve. Një pjesë e mirë e luftëtarëve nacionalistë u kthyen me ne dhe luftuan deri në fund kundër gjermanëve.

Më 21 shtator 1944 Br. XVIII S. goditi forcat reaksionare në rajonin e fortifikuar të Kalasë së Dodës, në Lumë, dhe i shpartalloi ato plotësisht.

Lufta për çlirimin e Kërçovës

Forca të Br. XVIII S morën pjesë në çlirimin e qytetit të Kërçovës. Në këto luftime ra dëshmore edhe Hibe Palikuqi, “Heroinë e Popullit”.

Ishte koha kur gjermanët kishin ndërmarë në katër drejtime operativo-strategjike operacionin “Fuchsjargd” (Gjahu i Dhelprave).

Synimi i këtij operacioni ishte që të shuante përfundimisht rezistencën shqiptare. Në kuadër të kësaj rezistence, batalioni i katërt i Br. XVIII S, në gusht 1944 mori detyrë luftarake si repart autonom për të luftuar bashkë me njësi të tjera në drejtimin Kërçovë-Gostivar.

Batalioni i katërt i Br. XVIII S kapi lartësitë mbi Goran dhe Shutovo. Kompania e parë me komisar Asllan Keta dhe zevendeskomisar Ibe Palikuqi, ishin në Kërçovë. Përballë tyre gjermanë dhe shqiptarë të Divizionit SS “Skanderbeg”. Raporti forcave ishte krejt i pabarabartë në favor të gjermanëve, por asnjë nga kompania nuk e braktisi rajonin mbrojtës.

Lufta filloi shumë e ashpër. Në krah të gjermanëve luftonin dhe forca të një batalioni “SS Skanderbeg”. Edhe se shumica e shqiptarëve dezertuan nga kjo betejë dhe raportet gjermane e maskuan dezertimin masiv të shqiptarëve me togfjashëin “300 të humbur”, në fakt shqiptarët e braktisën frontin haptas dhe nuk luftuan kundër shqiptarëve, ç’ka nuk kishte ndodhur gjithmonë kështu. Por jo të gjithë e braktisën frontin. Mbeti një pakicë egërsirash që luftonin kundër shqiptarëve më egër se gjermanët. Një prej atyre shqiptarëve do ishte ai që do të plagoste Ibe Palikuqin. Nga kjo plagë Ibe pas ca kohësh vdiq. Personi që e plagosi, në vitin 1945 kapet.

Pohimi befasues i tij në gjyq: “Kisha përballë një armë që villte zjarr mbi mua. Po bënte kërdinë mbi të tjerë. Shënova mbi të. Zjarri pushoi. Mendova se mos i mbaruan fishekët. I afrohem. U shtanga kur para meje u çfaq një vajzë. Ishte plagosur. I shtyrë nga trimëria e saj e mora në krah dhe e çova tek hoxha. Aty mora vesh se ajo ishte zëvendëskomisare. Ajo më tha: “Kot e keni o të mjerë. Luftën do e fitojmë ne”![1]

Aksioni në rrugën Prizren-Kukës

Me formimin e Br. XXIV S, Ndreko Rino kaloi nga komandant i Batalionit të parë të Br. I S në komandant të kësaj brigade së bashku me Et‘hem Gjinushin, komisar.

29 tetor 1944. Br. XXIV S ndodhej në Bicaj. Edhe Br. XVIII S kishte kaluar nga Kalaja e Dodës në Bicaj. Së bashku me Br. XVIII S na u ngarkua për detyrë një aksion i përbashkët. Takohemi me komandantin e Br. XVIII S.

Pas mesnatës së datës 31 tetor 1944 një batalion i Br. XVIII S dhe një batalion i Br. XXIV S do të vendoseshin në pritë në rrugën automobilistike, ndërsa forcat e tjera të të dy brigadave do të mbulonin krahët e tyre.

Forcat e të dy batalioneve zunë pozicionet në mbrëmjen e datës 31 tetor. Rreth 1.500 forca ishin vendosur në pozicione. Kaluan një orë, dy , tre, pesë , u gdhi dhe në xhade nuk dukej asnjë autokolonë, bile asnjë maqinë.

U mendua se armiku ka marrë ndonjë informacion dhe nuk do të kalojë.

Por ja që nga e djathta sinjalizuesit dhe zbuluesit dëgjojnë zhurmë makine. U dha urdhër që forcat të bëhen gati për sulm. Urdhëri ishte që karhu i djathtë të mos qëllonte, ta lejonte autokolonën të futej mirë dhe pastaj të që qëllohej nga pjesa dërmuese e forcave partizane.

Vajti ora 07.00 e mëngjezit. Para kodrave ku qenë vendosur batalionet partizane u shfaqën tre maqina gjermane me matëriale dhe me nga 8 ushtarë gjermanë shoqërues në secilën maqinë. U dha urdhër që të qëllonte vetëm kompania e qendrës. Pasa 10 minutash zjarri u intensifikua edhe më tepër. Tre maqinat morën flakë dhe u dogjën. Një pjesë e gjermnëve u vra, pjesa tjetër u shpënda ku dhe si mundi. Dy oficerë gjermanë u futën nën urë. Drejt tyre dhe drejt gjermanëve të tjerë të shpërndarë u sulën si rrufeja partizanët e kompanive të krahut të djathtë dhe të majtë dhe i asgjësuan plotësisht. Në pritën e organizuar gjatë rrugës Prizren-Kukës, përveç armiqve të vrarë u kapën edhe tre gra gjermane, të cilat ishin sekretare të komandantit të trupave naziste në Tiranë.

Çlirimi i Kukësit dhe Prizrenit

Pas një vargu veprimesh luftarake kundër gjermanëve në tërheqje, gjatë rrugës Prizren-Kukës-Pukë dhe në rrethet e Prizrenit, më 5.11. 1944, Br. XVIII S, filloi goditjen kundër pushtuesve gjermanë në Kukës.

Së bashku me Br. V S mori pjesë në çlirimin e Prizrenit e shpartalloi kolonën e ushtarëve armiq që drejtoheshin nga Prizreni në Kukës dhe më 18 nëntor çliroi qytetin e Kukësit.

Pobreg, Kukës, 13 nëntor 1944. Sot kompania e I dhe e II e batalionit I të Br. XVIII S ishim në aksion. Zumë pritë në rrugën nga do të vinte autokolona gjermane. Erdhi një autokolonë me më shumë se 300 ushtarë gjermanë të armatosur me të gjitha llojet e armëve. Në këtë luftim në pritë na u vra shoku ynë Elez Mena. Nga pala gjermane u vranë mbi 50 gjermanë, shumë prej tyre u hodhën në lumin e Drinit dhe u mbytën, të tjerë u dorzuan robër.[2]


19 nëntor 1944. Mbrëmë, sipas vendimit të shtabit të batalionit, batalioni I Br. XVIII S u grumbullua në fshatrat Pobreg, Bardhoc dhe Gjegjan. Një skuadër zbulimi u nis në vrojtim në drejtim të kufirit me Kosovën.

Forcat e tjera u vendosën sipas këtij formacioni luftimi:

-Kompania e I kaloi Drinin dhe zuri pozicionet në pritë për të goditur gjermanët që të mos na ikin si herën e parë, na u dha detyra të prisnim derisa gjermanët të futeshin plotësisht në rrezen e zjarrit të armëve tona.

-Kompania e II do të zinte pozicion në krahun e kodrës tjetër dhe do të godiste gjermanët në krah dhe prapa.

-Kompania e III e batalionit u la rezerëvë për të mbështetur veprimet e kompanisë së I dhe të II.

-Zjarrin do ta fillonte kompaniae I. Shtabit i Batalionit na dha një skuadër me pushkë kundër tanke që komandohej nga Uke Cami, i kompanisë së II, i cili u vendos në krah të urës, përballë xhadesë. Ai do të godiste tanket që do të afroheshin tek ura e prishur.U organizua një rrethim i plotë që të asgjësohej armiku plotësisht. Linjat telefonike ishin të prera. Kishim kontroll edhe tek vendpatrullat që të mos lëviznin civilë të maskuar. Natën minuam medhe rrugën automobilistike në afërsi të urës, që kur gjermanët ti afroheshin me tanke urës, të binin në mina.

...Natën ra shumë shi. Ishte ftohtë, por arritëm në kohë në vendin e caktuar. Bëmë pozicionet dhe i mbuluam me dushk. Gjithçka u bë gati pa dalur drita. Qëndronim në pritje të ardhjes së gjermnëve. Në orën 09.00 pamë të vinte nga Kukësi një autoveturë. Tek ura i ndaluam, i kontrolluam dhe u gjetëm një valiçe me 7 mijë napolona, për të cilat na thanë se ishin të bankës së Prizrenit. I shoqëruam dhe me gjithë lekët i nisëm në shtabim e batalionit, ndërsa veturën e fshehëm në një qoshe të rrugës.

Mbas dy orësh një autokolonë shumë e madhe me 30-40 makina, 3-4 tanke dhe 5-6 autoblinda po vinte drejt nesh. Autokolona ishte e gjatë, më shumë se e kishim parashikuar. Nuk e futnim dot brenda zonës së rrezes së zjarrit të armëve tona. Sa u afruan tek ura, gjermanët dyshuan, ndaluan tanket. Hapëm zjarr të dendur. Ata filluan të zbrisnin nga makinat për tu organizuar për të sulmuar në tokë. Gjatë zbritjes nga makinat u vranë shumë gjermanë. Nga ky luftim u plagosën Hazis Asllani, Met Hajrullai dhe Shuip Baruti. Menjëherë na erdhën në ndihmë forca të reja.

Marshimi me luftime drejt Prizrenit

Shtabi i Br. XVIII S ishte vendosur në Bicaj, shtabi i Br. V S në Has, ndërsa forcat gjermane dhe mbështetësit e tyre në Kukës e Prizren.

Batalioni parë i Br. XVIII S së bashku me batalionin e Lumës bënë një aksion tek kulla e Lumës dhe asgjësuan një repart gjerman që vinte nga Prizreni, ku u kap rob edhe qarkkomandanti i Kukësit.

Batalionit Parë të Br. XVIII S ju dha detyrë të sulmonte Topojanin, Zapodin dhe Dragashin.

Në Dragash na u dha urdhëri për të marshuar drejt Kukësit, ku në fshatin Bardhok bllokuam rrugën automobilistike.

Kishim këputur në mes edhe urën dhe qëndronim në pritje ardhjen e autokollonës gjermane. Pranë meje ishin Shaqir Shira nga Zall Dardha dhe Jonuz Duka nga Maqellara. I pari hapi zjarr partizani Dine Rama nga Shumbati. Gjermanët pa urë kalimi ishin të detyruar të zbrisnin nga makinat dhe të zinin front në tokë por koha punonte për ne sepse ne ishim të pozicionuar dhe të gatshëm për të qëlluar. Në një darë të hekurt pas katër orë luftimesh , gjermanëve u vjen përsëri ndihmë në njerëz, teknikë luftarake e logjistike. Ndërsa partizanëve pas katër orë luftimeve filluan tu mbaronin rezervat , por edhe tërheqja ishte e vështirë. Midis Përbregut dhe Bardhocit u organizua tërheqja me luftim, por patëm të vrarë e të plagosur. U plagosën Met Hajrullai, Azis Asllani etj.

Të nesërmen batalioni parë organizoi një aksion tjetër në fund të fshatit Morin ku asgjësohet plotësisht një kompani gjermane por u vra edhe partizani Eles Mena nga Bllaca.Pas tërheqjes nga Dragashi, batalioni i katërt ishte urdhëruar për të sulmuar kalanë e Prizrenit, ndërsa batalioni i parë do të sulmonte Zhurin. Br. V S do të sulmonte Prizrenin. Pas gjashtë orë luftimesh Prizreni u çlirua. Pastaj të gjitha forcat partizane përqëndrohen për çlirimin e Kukësit. Forcat gjermane largohen dhe përqëndrohen në Shkodër.

Ndërsa forcat e Br. XVIII S ndodhen në Luginën e Valbonës në Tropojë, ata njoftohen me 29 nëntor se forcat partizane kanë çliruar edhe Shkodrën.

[1]Gazeta “Flaka e Vllaznisë”, Shkup nr. 17, 1946, cituar tek Historiku i Br. XVIII S, f. 78-82. [2]Nga ditari i Hazis Asllanit, ish komisar kompanie në Br. XVIII s, f. 297.

21 views0 comments

댓글


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page