69 vite duke skalitur traditat e vallëzimit
Agron SEJAMINI
Mundet që të dalë një studiues tjetër, i cili mund ta vazhdojë stafetën e Profesor Bogdanit, por a do ketë ai mundësi të mbledhë atë material që ai e ka vjelë në 59 vite pune të pa ndërprerë.
Edhe sikur të ketë të njëjtin pasion a do të mund t'i takojë ata bartës kur koha bën punën e saj. Deri tani, treçereku i atyre qindra emrave me të cilët Profesori ka bashkëbiseduar nuk jetojnë... Ja pse krijimtaria e Bogdanit është diçka më shumë se roman apo cikël poezie. Është pasuri kombëtare!
Si të ishte një relike e çmuar, e ka vendosur në kornizë atë vendim të firmosur nga drejtori Kol Jakova, që i komunikonte fillimin e punës si valltar i baletit të vogël, pranë Teatrit Popullor. Poshtë, shënohet data 1 shkurt 1950. Ka edhe një tjetër dokument të tillë, por që nuk e ka vendosur në kornizë. Është vendimi i Drejtorisë së Institutit të Kulturës Popullore ku i njoftohet largimi nga puna për arsye moshe (!?). Rastësi a diplomaci, por edhe ky vendim është i datës 1 shkurt, ndërsa viti 2004. Nuk e priste këtë. Nga punët e shumta që kishte ndër duar, mbase kishte harruar edhe vitlindjen. Mirë ja kishin llogaritur vitet, por i dilte vetë llogaria keq, kur kujtonte botimet e nisura, të cilat nuk mund t'i përfundonte dot, nëse largohej nga Instituti ku ndodhej edhe arkivi. Ditë të tëra u lut dhe trokiti ndër dyer që ta rrishikonin atë vendim. Dikush i bëri një veprim aritmetik të klasës së parë, duke i rrumbullakosur vitet e tepërta të qëndrimit të deriatëhershëm në punë, i cili duhej tua dinte për nder që e kishin mbajtur (!?). Buzëqeshi dhe kërkoi "thelën e vogël", të paktën ta linin të punonte si pensionist në një zyrë. As kjo nuk iu plotësua. Kishte mbetur pa i qarë hallin vetëm pastrueses. Në një nga ato ditë lutjesh, bashkë me të zbritën në bodrum për të parë mundësinë, nëse sajohej ndonjë vend për të vendosur një tavolinë dhe një karrike. Për "fat" këtu e lejuan edhe ata të Drejtorisë. Kështu, pas 54 vitesh Profesori i nderuar, përfundoi mes lagështirës dhe errësirës, duke harruar në emër të pasionit dhe punës, emrin, titujt, shëndetin...
Çdo ditë, si për ironi të fatit, dëgjon sipër zhurmën e punonjësve të Institutit që për nga mosha, janë fëmijët e tij, ndërsa vite akoma larg, për nga vlerat dhe kontributi që i japin kulturës kombëtare. Janë meditimet tona këto, se po të pyesësh Profesorin, ai ndjehet rehat dhe shumë i kënaqur. Gjatë kësaj periudhe (2004-2009) ka përfunduar "Etnokoreografi kosovare hasjane", "Etnokoreografi I" dhe "Identitet kulturor (Folklori i fshatrave shqiptare të Kërçovës, Maqedoni) botim që është në proces shtypi dhe ka për bashkëautor Prof. Dr. Agron Xhagollin. Ndaj është i lumtur nga "komoditeti" i bodrumit se i ka ecur puna shumë mirë...
Por ajo që duhet nënvizuar dhe çmuar në veprimtarinë e Profesor Bogdanit është, se gjithmonë është udhëhequr nga motivi: "Pa e parë vetë me sy interpretimin e valles, të mos hedhë asnjë rresht". Ndaj nuk ka bërë dot pa terrenin. Madje, ka patur tendencë që subjekti që do të merrte për studim, të ishte zonë sa më malore, mundësisht të mos kishte as rrugë automobilistike. Kjo, për faktin domethënës se këto zona edhe sipas shkencës etnofolklorike botërore, përcaktohen si më të lashta dhe origjinale. Duket si e pabesueshme, por ai të përmend disa raste, kur ka takuar bartëse që veç fshatit të lindjes dhe atij ku ishin martuar, nuk kishin qenë në asnjë vend tjetër. Kjo për një studiues të natyrës së tij, ishte më se ideale dhe e garantuar, për të gjetur pasurinë kulturore origjinale, të pa cënuar nga ndikimet e krahinizmave. Me këta bartës "të pa dalë" nga zona e tyre, ai siguronte informacionin e pasur dhe origjinal. Ose thënë sipas Profesorit, është njësoj si të pish ujë te burimi... Ndryshe, nuk do të kishte ndjerë dhe përjetuar ato emocione, në sa e sa veprimtari ndërkombëtare, ku ka shpalosur këtë pasuri folklorike. Kujton, kur gjatë një takimi botëror të folkloristëve që u zhvillua në Gjermani, një etnokoreologe ruse kërkoi që referati i Profesorit nga Shqipëria, të ripërsëritet edhe një herë të nesërmen...
Kujton buzëqeshjen ironike që lëshoi dhe akoma më shumë krenarinë, që ndjeu gjatë punimeve të Konferencës Ndërkombëtare të Stambollit, në vitin 1998. Një specialist turk dyshoi se materiali filmik, me të cilin Profesor Bogdani ilustroi diskutimin e tij, mund të ishte i montuar. Bëhet fjalë për paraqitjen e një prej ditëve të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Janë disa minuta ku fiksohen ecja e gjithë pjesëmarrësve në këtë festival nëpër sokaket e qytetit të gurtë, drejt Sheshit "Çerçiz Topulli". Me të mbërritur këtu, të 2000 folkloristët të veshur me kostume popullore, çelin festën e madhe... Nuk kishte dhe shumë faj që dyshonte specialisti i huaj, tek shikonte ato pamje fantastike dhe të pabesueshme për nga bukuria dhe madhështia.... Po sa "Dizhonë" të tillë mbart në vetvete folklori shqiptar... Ndaj kanë qenë me shumë vlerë ekspeditat që ai ka organizuar ndër vite, sepse ka përcaktuar me saktësi prejardhjen etnografike, historike, gjeografike, dialektore, antropologjike të valleve, etj. Edhe pse e dinte që ishte "i padëshiruar" për anëtarët e tjerë të ekspeditave që organizonte Instituti i Folklorit. Dilte nga Tirana nëpër rrethe dhe "harronte" të kthehej... E si për të mos u bërë i bezdisshëm, në të shumtën e herëve ai lëvizte vetëm. Kështu, punonte edhe më qetë, por vinte edhe me duar plotë. I kujtohet se në një mbledhje, drejtori i Institutit, Prof. Dr. Zihni Sako, i ka hequr vërejtje para kolektivit, që u kthye me një javë vonesë, por edhe falenderoi për lëndën interesante të vjelë nga terreni.
Po anashkalojmë përshkrimin e bashkëbisedimeve me vartësit që janë të shumta në numër dhe emocione, pasi ato do të zinin shumë vend në këtë shkrim. Ndoshta edhe për faktin tjetër, se shumica e tyre janë pasqyruar mjaft këndshëm nga vetë autori në botimet e tij...
Bogdanët njihen si ndër fiset më të hershëm të Tiranës. Duke qenë se Profesori është shumë "i bredhur" brenda dhe jashtë vendit e ngacmuam nëse di diçka më shumë për mbiemrin e vet. Fjala vjen, nëse ka ndonjë pikë takimi me Pjetër Bogdanin... Dhe vërtet, kur ndodhej me ekspeditën në Has të Kosovës nuk la pa shkuar edhe në fshatin Gur, vendlindjen e poliedrikut të shquar të kulturës shqiptare. Por edhe këtu, veç shtimit të njohurive për Pjetër Bogdanin, nuk gjeti pikëtakimi mes fiseve me të njëjtin mbiemër...
Mbase më afër i bie të jetë me Bogdanët e Rrajcës të Librazhdit. Janë mbi 70 familje që mbajnë të njëjtin mbiemër në këtë zonë. Mendohet se herët shumë herët, disa individë mund të jenë shkëputur dhe janë vendosur në Tiranë. Por shqiptimin e mbiemrit të tij, çuditërisht e ka dëgjuar edhe në fshatin Tuhin të Komunës Osllome në Maqedoni. Ndërsa, bashkëbisedonte me bartësit e kësaj treve shqipfolëse, dëgjoi të shqiptohej prej tyre edhe një emër toponimie: "Dardha e Bogdanëve". Bëhej fjalë për një pllajë me sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe pemë dardhe. U mundua të gjente ndonjë lidhje, por nuk mundi.
Por më të papriturën e ka ndjerë në vitin 1990, në një nga lagjet e Budapestit. Ishte i ftuar për të marrë pjesë në Kongresin e Etnokoreologjisë Botërore që organizohej në kryeqytetin hungarez. Në një nga ato ditë vendos të shkojë në një muze etnografik që ndodhej disa kilometra larg nga qendra. Befasohet kur në një çast, gjatë udhëtimit të pa fjalë, vëren se te distinktivi që shoferi mbante në qafë lexoi fjalën "Bogdani". Fshin sytë, por përsëri akoma më qartë lexoi të njëjtën fjalë. Nuk i durohet dhe i zgjat para sysh distinktivin që kishte në xhaketën e tij. E njëjta befasi u vërejt edhe në fytyrën e hungarezit, por më shumë se sa me buzëqeshje dhe habi nuk kishin si të shpreheshin. E, ndërsa në fund të udhëtimit, Profesor Bogdani i zgjat lekët, Bogdani i Budapestit i kishte shtyrë dorën, duke i dhënë si lamtumirë edhe një përqafim të ngrohtë...
Profesor Bogdani është bërë i njohur jo vetëm nga librat, por edhe nga pjesëmarrja në emisionet televizive. Natyrisht, që ja ka ënda të dalë shpesh në ekran, por kur ndjek oratorinë e tij, teleshikuesi nuk ndrron kanal, por thotë hallall e pastë, sepse di të flasë...
Por larg kësaj ndjesie është bashkëshortja e tij, këngëtarja e shquar, Ema Qazimi. Gjëja më e bezdisshme për të është të japë intervista për mediat. Mbase edhe vetë e di, se mund të jetë një modesti e tepruar kur edhe shikuesi është i interesuar të dijë më shumë, për këngëtaren e tij të adhuruar, por ja që nuk ndryshon dot. Mbase pjesën e vet ja ka lënë ta "konsumoj" bashkëshorti.
Por, më e bukura ka ndodhur ditët e parë të këtij viti të ri. Vajza, e profesor Bogdanit, Ershela kishte ardhur pranë familjes, për pushime. Ajo pas mbarimit të Konservatorit për piano dhe kryerjes së masterit për muzikë të lartë pedagogjike filloi punën si mësuese në një shkollë muzike të Gjenevës, në Zvicër. Para se të nisej për në Shqipëri, ajo organizoi një koncert festiv me rastin e Krishtlindjeve. Ershela ishte koncertmaestre dhe njëkohësisht drejtuese e formacionit koral. Këtë sukses të saj, nga ku dhe kishte marrë shumë komplimente e kishte rregjistruar në CD dhe ua sjell prindërve të saj, për ta shijuar. Jo vetëm thjesht si prindër, por edhe si artistë, ndërsa panë atë spektakël ndjenë shumë emocion. Profesori si zakonisht, duke ja ditur vlerat ekranit, mendon t'i bëjë surprizë vajzës. Bisedon me një mikun e vet në Televizionin Publik Shqiptar dhe i lutet që në një nga emisionet e mëngjesit, të ftojnë Ershelën. Akoma më e madhe ishte dëshira e drejtuesit të televizionit, duke i thënë se kjo do realizohet që mëngjesin e ditës së nesërme. Pasdite, i kënaqur nga pritja dhe plotësimi i dëshirës, Ramazani i thotë të bijës, se nesër në mëngjes, je e ftuar në RTSH. Por ndryshe nga sa mendonte, i ati u vu nën breshërinë e të "sharave"... I mërzitur më shumë se për këtë u vu në siklet se si do justifikohej para drejtuesve të televizionit, për më tepër që nuk kishte edhe mundësi për ta zëvendësuar të ftuarën. Por edhe për këtë, kishte menduar Profesor Bogdani, se si t'i nxirrte nga situata. Ikën dhe gjithë xhentilesë u kërkon falje për mosvajtjen e Ershelës. Kur ata filluan të shprehnin shqetësimin se po u dështonte emisioni i mëngjesit, ai menjëherë u bën propozimin tjetër.
-Kohët e fundit, unë kam botuar një libër me vlerë për kulturën tonë, a mund të bashkëbisedojmë për vlerat e tij. Ja, urdhëroni, kam marrë edhe një libër, nëse na duhet për ilustrim...
Dhe kështu ndodhi. Emisioni doli shumë i bukur dhe interesant. Profesori, në heshtje falenderoi edhe Ershelën që i mundësoi daljen e radhës në ekran...
Profesori që punon në bodrum dhe nuk boton dot veprat e tij me vlerë për kulturën kombëtare
Ka vetëm pak javë që ka dalë nga shtypi "Etnokoreografi I", libri i parë me 744 faqe, duke çelur kështu udhën e kolanës etnokoreografike. Profesor Bogdani vazhdon të punojë intensivisht për vazhdimin e vëllimeve të tjera, që mendohet të ketë gjashtë libra voluminozë. 75 vjeç mbush këtë vit, por beson se do ja dalë edhe pse është i lodhur ngaqë punon gjithë ditën deri natën vonë. Edhe me bodrumin u mësua, paçka se tani në dimër lagështisë dhe erësirrës i është shtuar edhe ftohtësia. Më tmerr për të, është kur mendon se ku do i gjej lekët për botim. Nuk la derë miku pa trokitur për vëllimin e parë. Më shumë kohë i hëngrën këto dyer që herë i hapeshin dhe herë i mbylleshin, se sa përgatitja e materialit. Dhe u gjetën pesë njerëz të mirë që mundësuan botimin, emrat e të cilëve me shumë dëshirë i ka vendosur në faqet e para. Por i vjen turp nga vetja, të bëjë të njëjtën gjë edhe për të ardhmen... Ndoshta për keq kanë ndikuar edhe disa këshilla të miqve kur i kanë pëshpëritur, jo pak herë: - Ngele duke lypur...
Natyrisht që ua kthyer xhevapin, pasi nuk shquhet për memecëri.
- Unë nuk lyp për të blerë raki, por për të botuar libra...
Gjithsesi, ndjehet keq kur mendon se po i përgatit dhe nuk e di nëse do e shohin dritën e botimit.
Shqetësim që nuk duhej të ndjehej kurrë, po të kemi parasysh, natyrën dhe vlerën e prodhimtarisë së këtij profesori të nderuar. Ka shkuar gati në të gjitha trevat shqiptare, është takuar me bartës dhe interpretues të valleve, ka vjelë informacion, ka filmuar dhe inçizuar. Asnjë rresht nuk e ka meditim, por vetëm analizë të asaj që ka parë me sy dhe dëgjuar me veshë. Interpretuesit janë me emër dhe mbiemër. A ka më saktësi për të dëshmuar folklorin kombëtar? Por të mos harrojmë edhe diçka tjetër. Mundet që të dalë një studiues tjetër, i cili mund ta vazhdojë stafetën e Profesor Bogdanit, por a do ketë ai mundësi të mbledhë atë material që ai e ka vjelë në 59 vite pune të pa ndërprerë. Por edhe nëse do të ketë të njëjtin pasion, a do mund t'i takojë ata bartës kur koha bën punën e saj. Deri tani, treçereku i atyre qindra njerëzve me të cilët Profesori ka bashkëbiseduar, nuk jetojnë. Ja pse krijimtaria e Bogdanit është diçka më shumë se roman apo cikël poezie. Është pasuri kombëtare! Ndaj duhet mbështetur nga Instituti që mbulon sektorin e Folklorit dhe Ministria që mbulon këtë Institut. Problem mund të ishte gatishmëria dhe dëshira e Profesorit, nisur edhe nga mosha e tij. Por kur ai, ka lënë mënjanë rehatin dhe qetësinë e domosdoshme, duke ju bindur pasionit dhe ndërgjegjes se kjo punë duhet çuar deri në fund, është e pafalshme të mos mbështetet dhe ndihmohet edhe më shumë se kaq pak, sa kërkon ai. I ka shkuar ndër mend që të takojë edhe Rudina Magjistarin, për ta bërë pjesë të emisioneve të saj. Ndoshta një dalje në televizor do i krijojë mundësinë për t'u ndihmuar nga ndonjë biznesmen zemërgjerë e me kulturë. Por përsëri tërhiqet se i ngjan sikur hyn pa radhë... I vjen keq të kërkojë ndihmë për botim librash, kur të tjerët janë në siklet si të shpëtojnë një jetë njeriu.
Gjithsesi, ai vazhdon të zbardhë dhe përgatisë vëllimet që vijojnë kolanën e posaçelur. Dikush tjetër duhet të mendojë për pjesën tjetër. Kështu edhe Profesor Bogdani do të lehtësohej e përqendrohej më shumë në misionin e rëndësishëm, por edhe kultura kombëtare do të kishte të dokumentuar atë që domosdoshmërisht duhet ta kishte. Por që nuk është ende vonë...
Emri: RAMAZAN
Mbiemri: BOGDANI
Atësia: HASAN
Datëlindja: 18.12.1934
Vendlindja: TIRANË
ARSIMIMI
1948-1952 - Liceu Artistik "Jordan Misja", Tiranë
1960-1963 - Instituti Pedagogjik dy vjeçar "A. Xhuvani", dega Histori - Gjuhësi, Tiranë
1965-1969 - Fakulteti Histori dhe Filologji, dega Gjuha - Letërsi Shqipe, UT
PERVOJA NË PUNË
1950-1967 - Valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë shqiptare dhe në TOB
1967-2004 - Punonjës shkencor, etnokoreolog në ish-Institutin e Kulturës Popullore
GJUHË TË HUAJA - Rusisht dhe italisht
ARTIKUJ SHKENCORË DHE POPULLARIZUES MBI FOLKLORIN KOREOGRAFIK SHQIPTAR DHE BOTEROR
- Mbi 300 artikuj të botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Itali, Poloni, Turqi, SHBA, Greqi, Hungari, etj.
- Mbi 200 biseda dhe emisione të realizuara në radio-televizionet shqiptare, kosovare, maqedonase, italiane, greke, polake, turke, hungareze, spanjolle, malazeze etj.
REALIZIME EKSPEDITASH KËRKIMORE SHKENCORE
- Etnokoreolog me rreth 100 ekspedita hulumtuese (vetjake ose komplekse) të realizuara në: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, te arbëreshët e Italisë, etj. Ka regjistruar rreth 2000 njësi koreografike, vokale, instrumentale; lëndë nga sfera e traditës dhe e bashkëkohësisë të kulturës kombëtare shqiptare; rreth 7000 fotografi për zërat e mësipërm etj.
REALIZIME ARKIVALE
- Lënda nga ekspeditat e regjistruar kryesisht në terren, është organizuar shkencërisht në skenarët e 221 kinofilmave shkencorë (film celuloid në 16 mm me rreth 60 000 m). Ato i ka zbardhur në tre katalogë me 746 faqe.
Të kësaj natyre janë edhe rreth 150 videokaseta, afërsisht me 350 orë.
Në pjesën më të madhe të të dy treguesve është angazhuar me detyrën e udhëheqësit shkencor.
- Lëndë e ka sistemuar shkencërisht në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore AIKP (Kinofilmoteka, Videoteka, Fotofilmoteka), pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
- Në AIKP është përfshirë (janar 2007) realizimi i projektit: "Fondi Etnokoreografik Ramazan Bogdani" (FERB), prej 31 dosjesh të përzgjedhura nga ekspeditat në terren, të cilat përmbajnë qindra e qindra skeda për njësitë koreografike, përcjelljet vokale ose instrumentale, bartësit interpretues, etj.
- Zotëron gjithashtu një Arkiv vetiak prej 67 fletoresh dhe 55 dosjesh
FUNKSIONE SHKENCORE DHE ARTISTIKE
1992-2004 - Për 12 vjet ka qenë Shef i Departamentit të Etnomuzikologjisë dhe Etnokoreologjisë në Institutin e Kulturës Popullore
- Prej më shumë se dhjetë vjetë, ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të IKP; anëtar i redaksive të revistave shkencore "Kultura popullore" dhe "Çështje të Folklorit Shqiptar" në IKP.
2002 - Anëtar i redaksisë të fushës së kulturës popullore për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar
- Anëtar i revistës kulturore shkencore "Univers"-Tiranë
- Anëtar i Grupit Studimor Ndërkombëtar për Etnokoreo-logjinë pranë UNESKO-s
- Anëtar i Komitetit Drejtues të Qendrës së Studimeve italo-arbëreshe (San Demetro Corone-Itali)
1984-1999 - Anëtar i Komitet Drejtues të Koncerteve të Majit - Tiranë
- Për shumë vite, anëtar i Këshillit Artistik të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore
- Për shumë vite, Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Commentaires