top of page

35 vjet nga çak-u i parë për filmin “Shkëlqim i përkohshëm”


Vangjush Saro


Dhe pak fjalë për kinoregjisorin Albert Xholi e miqtë e tjerë të artit, si dhe ‘hartën’ e kinemasë para dhe pas vitit ‘90


Filmi “Shkëlqim i përkohshëm” (kinokomedi) që vetëm në njërën nga platformat transmetuese ka marrë deri më tash 325 mijë shikime, filloi të konceptohej në vitin 1986, për t’u realizuar në 1987-88; trajton përpjekjet e dëshpëruara të një djali nga një krahinë e largët për t’u ikur mundimeve të fshatit. I sapokthyer nga ushtria, të cilën e ka kryer në një qytet, ai rri në shtëpinë e vet si në gjemba. Këtu fillojnë aventurat e tij për të ‘kapur’ qytetin. Filmi tregoi se në fshat njerëzve u kishte ardhur në majë të hundës. Kështu, në një moment që shpreson se ia hodhi (fshatit) personazhi rend i gëzuar dhe e flak shatin në mënyrë demonstrative diku në një greminë që të merr frika ta shikosh. (Ai i kishte thënë më parë së ëmës, në një skenë tjetër: “Rri o mama, se nuk shtyhet jeta me shatë në dorë...”) Kurse monologun e Hamletit e reciton duke mbajtur në duar një kafkë dhie, simbol pothuaj i përdhosur në ato kohë.

Pati vështirësi në kalimin e skenarit; drejtues të Kinostudio-s bënin njëlloj presioni për ta ‘pastruar’ pak filmin. Për të qenë i sinqertë, kolegu im i heshtur Albert Xholi tregoi më shumë durim e guxim se unë për ta mbrojtur dhe realizuar veprën në mënyrën më realiste të mundshme. Kolegë të nderuar, si aktori Agim Qirjaqi, regjisori Kristaq Mitro, skenaristi Nexhati Tafa dhe botuesi e përkthyesi Arben Xoxa folën dhe shkruan mirë për filmin. Kurse disa (që më pas na dolën demokratë të flaktë) bënë kritika te “Zëri i popullit” dhe “Drita”, madje dikush e artikuloi kështu ‘kritikën’: “Autorët e filmit nuk e kanë pasur parasysh fjalën e shoku R. Alia me të rinjtë e Kolonjës.” (Po që vërtet s’ia kishim haberin kësaj fjale, as unë, as Berti.)



Kinoregjisori Albert Xholi, i lindur në Korçë në një familje që s’mund të thuash se i kishte mirë punët me shtetin e kohës, mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, luajti disa role episodike në një sërë filma dhe punoi për një kohë të gjatë si asistent regjisor. (Është i martuar me vajzën e shkrimtarit dhe përkthyesit të persekutuar Mustafa Greblleshi, një nga krijuesit më të talentuar dhe njëherësh më të pafat të këtij vendi. “Gremina e dashurisë”, “Albumi i një bojaxhiu”, etj.) Unë kuptoja që ai, me vetëdije, i largohej ideologjisë dhe temave të angazhuara. Është një meritë e tij që përzgjidhte të tilla skenare, pa ngarkesa politike, pa direktiva, por ngjarje me karakter familjar, që gjithsesi rrezatonin probleme të rëndësishme të kohës. (“Fillim i vështirë”, “Familja ime”, “Jeta në duart e tjetrit”, dokumentari për shkencëtarin Besnik Sykja, etj.)



Duke marrë shkas nga ky ‘përvjetor’ i filmit tonë, po shtoj njëlloj replike me individë - ndonjëherë asi pa ndonjë emër kushedi, por kokëmushkë - që vazhdojnë të hedhin baltë për gjithë sa u krijua në kohën tjetër, edhe pse është punuar, ka pasur arsim, kulturë, sport, ndërtime, botime, filma, teatër, dashuri; siç ka pasur edhe represion, shumë represion. (Unë bëj pjesë ndër ata që përpiqen të kuptojnë të dëshpëruarit dhe vuajtësit e vërtetë të atyre dekadave të vështira. (“Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të...” Xh. Xhojs) Por për fat të keq, shpesh bërtasin më shumë ata që ishin ‘të Partisë’. Gjithsesi, është e pandershme të përbaltësh mundin e brezave të tërë, është marrëzi të mohosh gjithçka, për ta parë ‘zhvillimin’ vetëm në kohën kur ti, ndoshta një shkrues mjeran dhe i vonuar, fillon e hedh ndonjë ‘mendim’ në rrjete a në gazeta. Dhe ja, e shpëtove botën dhe demokracinë…)

Sinqerisht, nuk arrij të kuptoj mbi ç’kritere mund të bëhet kjo baltosje. Është thjesht ekstremizëm. Ka gjithmonë një lidhje, sado e brishtë, ndërmjet etapave: në konceptim, në teknika dhe në vlerësime. Kush nuk e kupton këtë, nuk është vetëm një i paditur, i pakulturuar, por është edhe (le të themi) thjesht një njeri i keq. (“Mos e shiko të shkuarën me tërbim apo të ardhmen me ankth, por shiko përreth me kujdes.” Xh. Thurber) Po përmend disa nga arritjet e filmit shqiptar, duke kërkuar ndjesë që ‘lista’ është e mangët (siç na kujton edhe H. Bloom). Me temë historike: “Nëntori i dytë”/ V. Gjika; “Mësonjëtorja”/ M. Fejzo, “Koncert në vitin 36”/ S. Kumbaro, “Udha e shkronjave”/ V. Prifti, etj. Me temë sociale: “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time”/ V. Prifti, “Duaje emrin tënd” e “Apasionata”/ I. Muçaj, K. Mitro; “Hije që mbeten pas”/ E. Musliu; “Në shtëpinë tonë”/ Dh. Anagnosti; “Jeta në duart e tjetrit”/ A. Xholi; “Unë e dua Erën”/ A. Minga, etj. Ja edhe disa kinokomedi, të cilave snobët mund t’u vijnë anës: “Kapedani”/ F. Oshafi, M. Fejzo, “Zonja nga qyteti”/ P. Milkani, “Përrallë nga e kaluara”/ Dh. Anagnosti, “Dy herë mat”/ B. Kapexhiu, “Shkëlqim i përkohshëm”/ A. Xholi, etj.



Ndërkaq, ne do të besojmë gjithnjë e më shumë në atë çka shkruhet dhe filmohet sot; ne duhet t’u jemi gjithaq mirënjohës kinoregjisorëve që erdhën në kinema pas vitit ‘90. Fatmir Koçi/ “Tirana, viti zero”, “Koha e kometave”; Gjergj Xhuvani/ “Parrullat”, “Lindje-Perëndim-Lindje”/ Besnik Bisha: “Bolero”, “Mao Ce Dun”; Pluton Vasi/ “Maya”, “Ndërkombëtarët”; Artan Minarolli/ “Nata pa hënë”, “Alive”, Edmond Budina/ “Letra në erë”, Iris Elezi/ “Bota”, Bujar Alimani/ “Amnistia”, etj. (Sërish ndjesë që përmenden disa pak autorë.) E vërteta është që filmi i tyre - falë lirisë së krijimit, por dhe bashkëpunimit me kineastë të huaj - doli nga klishetë dhe ‘ngurtësia’ e konstatuar në dekadat e shkuara. Duke e thyer akullin që u krijua do kohë për shkak të mungesës së filmit shqiptar në festivale dhe takime ndërkombëtare, tani ata po i përcjellin krijimet e tyre me sukses edhe në botë.

Për çudi, prapë gjenden ekstremistë që veç shajnë e baltosin... jo po tani s’ka filma, ehu ata të parët, aktorët, ohu... Mendoj se duhet të mësohemi të gjejmë vlerat dhe të respektojmë mundin e çdo kohe dhe të çdo brezi. Atëherë, sado që ne, me antena e ‘kanoçe’, bënim çmos të shikonim filma te RAI apo TV-të e ish-Jugosllavisë, prapë fokusi ishte i kufizuar. Është kjo një nga arsyet pse ne i fetishizojmë disa aktorë të asaj kohe. Nga ana tjetër, kinemaja e sotme është ende duke kërkuar; kjo shtron rrugën e mirëkuptimit. Disa nga rolet e filmave të sotëm vijnë po aq profesionalisht e në rritje: “Parrullat”; Birçe Hasko në rolin e Sekretarit të Partisë ka realizuar një karakter perfekt. “Lindje-Perëndim-Lindje”; Ndriçim Xhepa i dha spektatorit një figurë brilante. “Maocedun” aktori Guri Koço sjell mjeshtërisht figurën e drejtuesit politik të kohës. “Amnistia”; Luli Bitri dhe Karafil Shena kanë krijuar karaktere që i kishin munguar kinemasë, etj.

Mendoj se institucionet dhe mendimi kritik kanë ende shumë për të bërë dhe për të thënë (posaçërisht) në lidhje me filmin dhe autorë të tij në çdo kohë. (“Më shumë se për dashuri, para e famë, kam nevojë për të vërtetën.” H. D. Thoreau)




 
 
 

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page