Nga Naime Beqiraj
🇦🇱🇽🇰
Dita qëlloi si kjo e sotmja, kurse natën e 19 tetorit 1990, papritur filloi të binte shi i rrebtë. Ne ishim 5: Fadili, Emini, Blerimi, Avniu dhe unë - më e reja. Të gjithë studentë: kryeradektori i gazetës së studentëve “Bota e re”, redaktorë e gazetarë. Avniu e unë i kishim botuar asokohe librat e parë me poezi, Emini shkruante kritikë letrare. Ishim të ftuar në Korçë në “Takimet kombëtare të talenteve të reja”, por në asnjërin aktivitet nuk na ftuan të lexonim poezi.
Odisejada të tëra për marrjen dhe daljen e vizave. Pastaj kontrolle të bezdisëshme deri në detale në të dy anët e kufirit në Morin. Qyteti i parë Kukësi. Një mal me gëzime dhe entuziazëm që po shkonim në Shqipëri, grupi i parë i poetëve/gazetarëve pas vitit 1981.
Gropa të tëra zhgënjimesh gjatë përballjes me realitetin. Lakmi e etiketime. Intervista, mikpritje e paragjykime. Të shoqëruar nga publicistët e rinj - më të mirë të kohës (Besnik MustafajIlir KadiaIzet DurakuPreç Zogaj, Elsa Ballauri) vizita të organizuara pëllëmbë për pëllëmbë Shqipërisë. Takime me idolët tonë të kulturës dhe arteve. Përsëri intervista për “Botën e re” e cila asokohe e tejkalonte shifrën prej 100 000 ekzemplarësh në numër, më shumë se të gjitha gazetat e revistat bashkë.
Situata edhe groteske ku nuk mungonin as pyetjet e dikujt nga poetët: a është Peja në Kosovë apo në Serbi. Por edhe habitje me disa krijues të tjerë, të rrallë se sa bukur e njihnin Kosovën pa ju shkelur këmba kurrë.
Por gjithsesi, gëzime të papërshkruara kur takoje një pjesë të familjes të cilët i njihje vetëm nga fotografitë dhe letrat aq mbresëlënëse. Blerje të librave të panumërta të cilat pas 12 ditësh na i ndaluan të gjitha në kufinj. Ikja e Kadaresë. Survejimet nga të tjerët, madje edhe nga shoferët që na shoqëronin.
Kujtesë që mbetet e pashlyer e dhimbje për qindra fotografi djegur në luftë.
Fillimi i asaj që sot njihej fillimi i demokracisë.
Paskan kaluar 30 vjet. Nuk ishim të vetëdijshëm se po e jetonim historinë. Atë që e realizuam në dhjetëra reportazhe e intervista të publikuara më pas në revistat kosovare.
Comments