2 të fundit nga të 100-tat.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 21, 2020
- 2 min read

2 të fundit nga të 100-tat.
Thashë t’ju shpëtoja qysh sot nga ky hall: nga bombardimet me poezitë e mia të verës, më të dëmshme, besoj, se ditët e nxehta të saj. Edhe unë prej hallit e kisha. Më dëmton shumë vapa. Komploton me rrezikun tim të përhershëm, tensionin e lartë dhe më provokon seriozisht jetën. I vetmi shpëtim… arratisja nga realiteti i temperaturave të larta në ca qiej me kushte më të freskëta. Tek Poezia. “Sa i nxehtë je, Poet!”, më thumboi dashamirësisht para disa minutash një mik i hershëm, siç duket edhe me durimin tek maja e hundës. Iu përgjigja sinqerisht, duke u shfajësuar: “E nxehtë është vera, poezia është freskuesja që më shpëton prej saj…”. Nuk e di a do ta kisha nxjerrë edhe këtë verë, pa poezitë e këtyre tre muajve. Shtegtoja uikendeve të mia tek kasollja ime verore në Istmo të Korinthit, pranë Lutraqit, aty bëra në dy pjesë edhe pushimet e verës dhe gjëja e vetme që më preokuponte ishte të shkruaja vjersha. Ca gjysma që i kisha hedhur nxitimthi autobuzëve dhe tramvajeve të qytetit, të arshivuara në celular dhe të tjerat në kujtesën time. Motive të shumta, që duhej të merrnin jetë deri në fund të kësaj vere. Dhe morën, ja ku janë. 10 plus 40 plus 50. Përfundimi: 100 poezi të reja në tre cikle, gjatë tre shtegtimeve të mia kohëgjata të verës në Istmo. Të hedhura në kompjuter, të cilat i kam ndarë gjatë kësaj kohe, të gjitha, me ju. Më ka ndodhur edhe herë tjetër, të shkruaj një libër poetik gjatë një vere. “Blu i thellë” është një i tillë dhe është shkruar në Monemvasian e Ricosit gjatë një gushti, të 2012-ës. Historia u përsërit. Ia hodhëm edhe kësaj vere. Ngaqë unë kam gjetur vaksinën. Kam kondisionerin tim, patentë që ma ka falur zoti. Vetëm ai mund të ma shfuqizojë. Gjer atëhere… të jeni mirë! Istmo - Athinë, gusht 2020.
LART DHE POSHTE
Në çdo përvjetor kujtohen për ata poshtë dhe porosisin kurora. Ua vendosin vetë, gjithë elegancë nëpër vare. Ata poshtë, zhytur kaq kohë në indiferencë, ky teatralitet nuk i prek fare.
U vjen t’u thonë atyre lart, se janë pasardhës të Djallit. Shuajnë etjen me gjakun e tyre, ushqehen me ceremonitë e therorëve. Por nuk arrijnë. Kontët Drakula kanë shaluar makinat dhe u kanë fryrë motorëve.
TOKA E RE
Zoti na bëri ëngjëj dhe na zbriti me flatra në tokë. Nëse mërziteshim këtu ku na la, pranë Tij të fluronim. Ne, pa e pyetur. i bëmë vetes sonë pak remont: i kthyem flatrat në krahë, vegla - për veten tonë t’i punonim.
Ngaqë na pëlqente më shumë Toka e Re, ndërruam Zotin tonë me të përndriturin Diell. Më mirë zotër të vegjël të vetëvetes sonë, se sa ëngjëj shërbëtorë në qiell.
Krijuesi ynë u mërzit hiperbolikisht. Nga llogaritë me Njeriun nuk i doli asnjë. Prandaj dërgon herëpas’here një ëngëll dhe na ngjit lart, një nga një.
Comments