2 MARSI QË NA BASHKON DHE NA PASTRON...


Abdurahim Ashiku

Fejton

2 Marsi na bashkon... Këtë nuk e them unë... E thotë historia... E thotë ajo e 2 Marsit 1444 kur Skënderbeu ua bëri duart bashkë princërve shqiptarë e i lidhi në besë. E ai “bashkim duarsh” u quajt “Besëlidhja e Lezhës” ndryshe “Kuvendi i Lezhës” Besa u lidh në Katedralen e Shën Nikollës... Organizatorë të kuvendit ishin prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë principatave të vendeve të Ballkanit për të ndalë e shporrë pushtuesit osmanë...  Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin: Gjergj Arianiti; Andrea Topia, Stërnip i Karol Topisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernojeviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

2 Marsi 2020 na BASHKON... Këtë nuk e them unë... E thotë Ilir Meta, Iliri President... Më 2 Mars 2020, fiks pas 576 vjetësh nga “Lidhja e Lezhës” krijohet “Lidhja e Bulevardit” Bashkë, të shporrin njëherë e përgjithmonë Ramën dhe ti japin dermën puçit të shtetit.... Në “Kuvendin e Bulevardit”, me përjashtim të princeshës së LSI-së dhe disa aktorëve militantë, ende nuk ka ndonjë njoftim partiak se kush do të shkojë dhe me sa do të shkojë. Diçka tha Luli, nëpër dhëmbë, pa përmendë “dhjetë mijë-shin” kërkesë e Metës. Mbase nuk e përmendi se ka të bëjë me taborin e “hurit dhe litarit” që me Ilirin kryekomandant nuk ka digë që e mban...

2 marsi 2020, e HËNA E PASTËR! Deri sot, nga zëri i parë dhe zërat pas zërave, nuk është thënë asnjë fjalë pse të hënën 2 mars e jo të shtunën 29 shkurt apo të dielën 1 mars zhvillohet kjo demonstratë?! Pse në ditën e parë të javës kur të gjithë urojnë “Javë të mbarë”! Pse në një ditë të freskët pune? Ka një shpjegim... Fetar... Të hënën e 2 marsit 2020 të krishterët ortodoksë e kanë të shenjtë, e kanë ditë reflektimi e fillim pastrimi të shpirtit. Pas asaj dite nisin agjërimin, kreshmën që e përfundojnë më 19 prill 2020, në Ditën e Pashkëve me hekatombë qengjash qumështi. Nuk e di se çfarë do të ndodhë “Të hënën e 2 marsit”. Pastërti apo fëlliqësi... Nuk e di kush do të pastrohet, Iliri, Basha, Monika apo Rama me kompanitë e tyre. Sa për fëlliqësi të gjithë e dinë... Fëlliqet Shqipëria... Dhe kur? Në prag të shpresës së fundit për të hyrë rrugës së Bashkimit Evropian... Nuk e di në se Zoti do të na i ruaj mendtë. Se trupit i ka ndryshuar vendin dy germave, nga trup në TURP...

#Abdurahim #Ashiku

Javë të mbarë!

E hënë, 24 shkurt 2020

0 views

Shkrimet e fundit