top of page

12 vite më parë dhe një problem që qëndron ende


12 vite më parë dhe një problem që qëndron ende

 

Ed Miliband priti 12 vjet më parë Forumin Shqiptar në Mbretëri të Bashkuar

 

Nga Fatmir Terziu

 

Dymbëdhjetë vjet më parë një  përfaqësi e komunitetit shqiptar në Mbretëri të Bashkuar, që bënte pjesë në Forumin e Bashkimit të Shoqatave Shqiptare, u prit në një takim miqësor nga Lideri i atëherëshëm i Opozitës britanike, deputeti dhe ish-Kryetari i Partisë Laburiste, Ed Miliband. Ishte ditë e mërkurë dhe Grupi që shoqërohej nga kryetari i Forumit Lutfi Vata, njëkohësisht edhe drejtor i shoqatës “Ardhmëria”, që përfaqëson rreth katërmbëdhjetë organizime komunitare në Britani të Madhe, kishte në përbërjen e tij drejtues të këtij forumi, Talat Pllana, nënkryetar i Forumit dhe kryetar i Bashkësisë shqiptare “Faik Konica”, ndër më të vjetrat në këtë vend, Zamira Ruspi, sekretare e Forumit, mjeke dhe drejtuese e Shoqatës shqiptare “Mother Tereza” Albanian Union, Aida Haziri, mësuese dhe aktiviste e shoqatës “Ardhmëria”, Klement Banushi, specialist emigracioni, Sherif Bllaca aktivist i palodhur, Arben Manaj, gazetar i mirënjohur i televizonit shqiptar “Top Channel” nga Londra, dhe drejtues të krijuesve shqiptarë nën ombrellën e ACPE (Abanian Creative People in Exile). Në takim ishin edhe dy deputetët Karen Buck dhe Andy Slaughter, ish-Ministër Hije i Drejtësisë i laburistëve së asaj periudhe.

Pas prezantimit të të pranishmëve dhe një bisede tejet të hapur e të çiltër, e mori fjalën kryetari i Forumit, z Lutfi Vata, që ishte edhe organizatori dhe inciatori i këtij takimi. Që në fillim zoti Vata bëri prezente arsyen e takimit dhe falënderoi z Miliband për kohën, përkushtimin dhe gjithë aktivitetin e tij në ndihmë të integrimit të shqiptarëve në MB. Ai në një fjalim të disaminutësh i bëri prezente rrugën e shqiptarëve në vite, në atë kohë 100 vite Pavarësi të Shqipërisë, dhe shkurtimisht informoi rreth atmosferës festive në mesin e shqiptarëve në atë përvjetor historik. Z. Vata sqaroi se në Forumin e drejtuar prej tij bënin pjesë rreth 14 shoqata dhe ato ishin të angazhuara të veprojnë në dobi të integrimit të shqiptarëve dhe ndihmës ndaj tyre sipas ligjeve britanike. Ai u ndal në punën me arsimin plotësues, problemet e shoqatave, situatën në të cilën ndodhej, dhe më tej e ftoi z. Miliband në festimet me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së asaj kohe, bashku me ekipin e tij dhe deputetët e pranishëm në takim. Duke përfunduar z Vata në emër të Forumit i dhuroi z Miliband një Certifikatë Mirrënohjeje, të cilën ai e mirëpriti përzemërsisht dhe një Bust të “Heroit Kombëtar” Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Zoti Ed Miliband tha se ishte i kënaqur që ndodhej mes të ftuarve të tij specialë dhe vuri theksin edhe njëherë në atë që ai e kishte moto të fjalimit të tij në Konferencën e fundit të Laburistëve të asaj periudhe:  “Ne jemi një parti për një shtet, ku të gjithë të kenë vendin dhe rolin e vet në shoqëri, ku edhe komunitetet të mos jenë dytësorë, por të jenë qytetarë të integruar të shoqërisë britanike”. Ai theksoi se prejardhja e tij, nga prindër që vijnë nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar, nga komuniteti Hebre, pra me prindër që kanë jetuar në Poloni (nëna) dhe në Belgjikë (baba) e bënte të ishte më i vëmendshëm ndaj grupeve etnike, ndaj nevojave dhe përkushtimit të tyre. Ai tha se gjithmonë ka qenë i informuar nga deputetët e tij, Buck dhe Slaughter, në lidhje me integrimin e shqiptarëve në MB. Ai theksoi se ishte krenar për atë që Partia e tij dhe Qeveria Laburiste e kohës së Tony Blair kishte bërë për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Mediat britanike shkruajtën atëherë se kryetari i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, Ed Miliband fill pas punimeve të Konferencës së fundit të Partisë së tij, ka tentuar të rrëmbejë terren në qendër të politikës britanike duke deklaruar se partia e tij është për ‘një shtet’ dhe jo një parti e të privilegjuarve, bankierëve apo edhe të tjerëve në një hapësirë tjetër. Kjo pikërisht e ka bërë atë që të kthejë sytë edhe ndaj emigracionit dhe shtresave të tjera të mesme. Dhe kjo u përdor në mënyrë të përsëritur edhe në Konferencën e Mançesterit, por edhe me një theks të ngjashëm në takimin në fjalë. Gjatë takimit ai foli për disa minuta, pa shënime, në një fjalim shumë personal që përmbante disa politika të reja të cilat mirëkuptoheshin nga të pranishmit si një dashuri ndaj komuniteteve, po aq edhe ndaj shqiptarëve si një komunitet i brishtë në Britani të Madhe. Ritheksoi gjithashtu edhe zotimin e tij për bashkimin e kombit dhe të ndihmojë atë nëpër këto kohë të vështira ekonomike nëpërmjet gjetjes së rrugëve më efikase dhe punës. Shqipëria dhe Kosova janë dhe do të jenë në vëmendjen time përfundoi z Miliband. Që atëhere disa gjëra kanë evoluar, por qëndrimi i Laburistëve dhe i Kryeminsitrit laburist Sir Keir Starmer nuk kanë ndryshuar në lidhje me shqiptarët.

Fjala e atëhershme e z Miliband u përshëndet nga aktivistët dhe gazetarët në takim. Këta të fundit iu drejtuan edhe me disa pyetje. Një nga pyetjet e drejtuara nga kryeredaktori i “Albanian Post”, Fatmir Terziu ishte në lidhje me firmën e hershme të 17 deputetëve të Parlamentit Britanik për të lejuar Gjuhën Shqipe që të ndërmeret si GCSE exam (GCSE do të thotë Certifikata e Përgjithshme e Arsimit të Mesëm). A është e drejtë që të mendojmë se GCSE në gjuhë të huaja do të hiqen dhe ne të mos mundohemi më me peticione sepse duhen më shumë firma të tjera deputetësh? (Përtej kësaj, bordet e provimeve në Mbretërinë e Bashkuar ofrojnë provime dhe kualifikime në gjuhë të tilla si arabishtja, hebraishtja biblike, kineze, greqishtja, guxharati, italishtja, japonishtja, persishtja, polonishtja, portugeze, rusishtja, turqishtja dhe urdu, shumica e këtyre gjithashtu në nivelin A. si GCSE) Zoti Miliband e dëgjoi me vëmendje pyetjen dhe për të ngarkoi deputeten Karen Buck asokohe që të negocionte më tej në lidhje me këtë problem. Pyetja tjetër ishte në lidhje me suportin që Partia e z Miliband do të vazhdonte në drejtim të komunitetit shqiptar. Dhe këtu ai ishte më se i prerë, që ndihma do të ishte e natyrshme dhe e inkuadruar edhe me zotimin e tij në Konferencë.

Pyetje të tjera iu drejtuan edhe nga gazetari Arben Manaj, i cili ishte i interesuar edhe për një vizitë të mundshme të tij në Shqipëri, duke i kujtuar se shqiptarët kanë bërë shumë në shpëtimin e hebrenjve në të kaluarën dhe se ai pasi i përkiste këtij komuniteti natyrshëm do të bënte mirë. Z. Miliband me një finesë poltike u tregua tejet optimist në realizimin e një vizite të tillë. Sakaq edhe situata parazgjedhore në Shqipëri dhe ajo politike e ajo në rajon ishin në fokus të pyetjeve të tjera.

Takimi i parë i këtij lloji i përfaqësuesve të Komunitetit Shqiptar, me një lider të rrangut të lartë të politikës Britanike u mbyll me shtrëngime duarsh dhe një kafe zyrtare në Hollin e Parlamentit Britanik. E që atëherë kanë kaluar gati dymbëdhjetë vite dhe nën ombrellën e qeverisësve të mëparshëm konservativë nuk pati ndonjë përgjogje, ose qoftë edhe ndonjë angazhim me një kërkesë të drejtë në lidhje me GCSE në gjuhën shqipe, pra përfshirjen si exam (test më dëshirë përzgjedhës). Ndërsa këto ditë në një Samit të rëndësishëm nën iniciativën e Presidentit macron do të jetë një takim mes disa kryeministrave ku do të jenë dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe Sir Keir Starmet dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpresojmë të mos flitet vetëm për masa ndaj emigracionit të paligjshëm, por dhe për arsye që shërbejnë si ura lidhëse midis komuniteteve, apo dhe për format më të mira të mbajtjes gjallë të traditave në arsim, kulturë dhe më së shumti të gjuhëve amtare, të cilat rrezikohen nga brezat që lindin në dhe të huaj nga ai i prindërve të tyre.

BBC theksoi sot se Konferenca e së enjtes është takimi i katërt i Komunitetit Politik Evropian, i iniciuar pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, që sikurse cituam është ide e presidentit francez, Emmanuel Macron. Kjo është parë si një mundësi “shumë domethënëse” për kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer që jo vetëm të presë deri në 50 liderë evropianë, por të rivendosë besimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe t’i tregojë botës se vendi është kthyer në skenën ndërkombëtare pas viteve të dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga Brexit. Sipas BBC, EPC është krijuar për të lehtësuar forcimin e lidhjeve midis liderëve të BE-së dhe atyre jo pjesë e BE me konferenca të mëparshme të mbajtura në Spanjë, Moldavi dhe Republikën Çeke. Si mikpritës, Starmer do të flasë në seancën plenare hapëse, e cila do të mbahet në një nga sallat në Pallatin Blenheim, vendlindja e Winston Churchill. Ai pritet të nënvizojë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës dhe Zelenskyt, dhe për rivendosjen e marrëdhënieve të vendit pas Brexit me BE-në. Mediat britanike njoftuan se të mërkurën, kryeministri njoftoi se qeveria e tij do të prezantojë një projekt-ligj të ri për të vendosur dënime më të forta për ata që shpallen fajtorë për trafikim të organizuar dhe për të përshpejtuar procesin e kthimit në vendet që Mbretëria e Bashkuar konsiderohen të sigurta. Starmer do ta ndjekë këtë të enjten duke njoftuar se do të ridislokojë 100 punonjës të Home Office në një njësi të re të kthimeve të shpejta. Ai do të zotohet gjithashtu se Britania do të ndihmojë përpjekjet evropiane për të luftuar krimin e imigracionit përmes organizatave të tilla si Europol dhe Frontex.

Në foto: në rreshtin e parë, ndërsa në krah të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndodhen kryeministri britanik Sir Keir Starmer dhe në anën tjetër Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sikurse dihet, problemet që u diskutuan më parë, pra dymbëdhjetë vite më parë mes Forumit të shqiptarëve të kryesuar nga Z. Vata, dhe ish Liderit të Laburistëve të asaj kohe, janë ende një kënd më vete. Ndërsa citojmë se sot Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, do të flasë në fillim të seancës plenare, pas së cilës do të marrë pjesë në një seancë për migracionin e kryesuar nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, natyrshëm një zë rreth meritores së shqiptarëve edhe për GCSE do të bëjë që të ketë më shumë optimizëm, aq më shumë kur tashmë një zë të fuqishëm e kanë shqiptarët nga mesi i tyre imigrues, deputet në Parlamentin e Shqipërisë, që është dhe Kryetar i Bordit të të “Ardhmërisë”, deputetin dhe intelektualin Lavdrim Krashi, pra ashtu sikurse optimizmi i zbulimit se migrimi kishte rënë me 61% në rrugën qendrore të Mesdheut në gjashtë muajt e parë të vitit, dhe ai kur shifrat e përgjithshme kanë rënë me një të tretën në 94,000, me rrugët qendrore të Mesdheut dhe Ballkanit në rënie.

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page