top of page

110 vjet nga eksodi i dibranëve



SAKIP CAMI

Histori

110 vjet nga eksodi i dibranëve të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre nga shovinistët serbë dhe pritja vëllazërore e tiranasve dhe banorëve të Shqipërisë së mesme

(Rrëfim historik për luftrat, eksodet dhe epidemitë e viteve 1912 – 1921)



Në tan’ Evropën ka shkue fjala

Qe nandë vjet luftojmë me krajla.

Populli

I

1912 – 1913, LUFTA E PARË, FLAMA E PARË


Në shumë fshatra, të gjitha shtëpive iu vu zjarri dhe, kur banorët fatzinj përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve, ata qëlloheshin si të ishin minj. Burrat pushkatoheshin në sytë e grave dhe të fëmijëve dhe pas kësaj, gratë detyroheshin të shikonin sesi ua copëtonin fëmijët me bajoneta.

Gazeta Nju York Times 1912

***


Fillim nëntori i vitit 1912. Në kullën e Elez Isufit në Lisivalle kishte më shumë gjallëri se herët e tjera. Lisivallja ishte vendi ku lisat jo vetëm hidhnin valle, por edhe njerëzit hidhnin valle poshtë lisave shekullorë. Këtë vend të bukur e zgjodhi Elez Aga për troje e kulla kur u ngrit nga Dardha e u ngul këtu. Gratë kishin marrë furçet dhe po i jepnin një sherbet me gëlqere kullës brenda e jashtë. Burrat ishin ndarë nëpër detyra, dikush për të sjellë dru zjarri, dikush për të prerë berrat e mëzetrit, dikush për t’i dalë para mikut të largët e të rrallë.

Miqtë te Elez Isufi ishin të shpeshtë. Pothuajse çdo natë e çdo drekë shtrohej sofra. Kishin ardhur Bajram Beg Curri, Hasan Prishtina, Dan Cami, Mersim Dema e shumë e shumë burra dheu. Por këtë herë do të vinte Isa Beg Boletini prej Mitrovicës së Kosovës. Burri i Kosovës do të udhëtonte shumë kilometra për të ardhur e për të takuar mikun e tij të besës e mandej për të shkuar në kuvendin e pavarësisë së Shqipërisë. .

Isa Boletini, në udhëtimin historik nga Mitrovica e Kosovës për në Vlorë, shoqërohej nga Tafil Boletini dhe Sali Spahija. Në Lumë ata bujtën te Ramadan Zaskoci, prijësi i Lumës. Më pas bujtën edhe te Islam Spahija, në Kolesjan. Prej andej kanë ardhur në Kala të Dodës te Qazim Lika. Lajmin në Kalanë e Dodës, se pushtuesit serbe po marshon nga Kosova drejt Lumës e kanë sjellë Tafil Boletini e Salih Spahija. Ramadan Zaskoci e ka shoqëruar mikun nga Kosova, sipas zakonit, deri në Kolesjan te Islam Spahija. Islami e ka shoqëruar deri në Kala te Qazim Lika.

Qazim Lika e ka shoqëruar për në Sllovë te Elez Isufi. Në sinur kishin dalë njerëzit e Elez Isufit për ta pritur mikun e nderuar nga Kosova.

Ramadan Zaskoci është ndalur në Kalanë e Dodës ku ka takuar Ibrahim Gjorgjin dhe i ka kërkuar që të mobilizonte luftëtarët e Kalasë për luftë kundër serbit.

Vargu i miqve, luftëtarë nga Kosova dhe Luma arriti shëndoshë e mirë te kulla e Elez Isufit.

Hajde bujrum e mirëse të ka pru Zoti o Isë Boletini!- e uroi Elez Isufi me duar në qafë.

Mirëse të gjeta Elez Isufi ! -ja ktheu Isa.

Elez Isufi, Isuf Xhelili, Cen Elezi dhe burrat e fisit Ndreu ja uruan mirëseardhjen burrit të Kosovës dhe i prinë për në konakun e burrave. Në fillim Isa foli vetëm për vetëm me Elez Agën. Kishin do çështje lufte që nuk prisnin ma! Isa e informoi se punë ditësh dhe do të shpërthente një luftë e madhe e ndaj duhej ba gati.

Gati kemi qenë dhe gati na ke, Isa Boletini! e garantoi Elez Isufi. Reçi e Dardha, Çidhna e Lura bëhen njëmijë pushkë, Isa Beg.

Më pas në konak hynë të gjithë burrat që u takonte të merrnin pjesë në këtë kuvend burrash. Muhabeti u bë për luftrat kundër Turqisë dhe për kërcënimet që vinin nga fqinjët veriorë, Serbia dhe Mali i Zi. Pushkëve të varura në mur u kishte ardhur ora të dilnin në fushë të mejdanit .

***


Në nëntor 1912 pronarët e tufave dhe barinjtë e deleve të Kalasë së Dodës ishin në rrugëtim për shtegtimin e deleve drejt Selanikut. Në Follorinë, forcat e ushtrisë greke e bullgare së bashku me paramilitarët i sulmuan dhe ua morën delet barinjve të Lumës dhe të Kalasë së Dodës. Një rrethim dhe një sulm i paparë, kanë treguar barinjtë ditë më pas. Kishin parë sulmin e ujqërve të vetëm dhe të lukunive të ujqërve, por të sulmoheshin nga ushtarë të armatosur nuk e kishin parashikuar kurrë barinjtë e Kalasë së Dodës që këtë shtegtim e bënin në shekuj. Kishin armë për të vrarë ujqër, kishin qen për t’u mbrojtur nga ujqërit, por nuk e kishin menduar se do t’i sulmonte një ushtri e huaj për t’u marrë delet, me të cilat një krahinë e tërë ushqehej e mbahej në shekuj.

Kanë bërë rezistencë aq sa kanë mundur, kanë arritur të shkëpusin një pjesë të tufave dhe janë tërhequr në drejtim të Pogradecit. Aty janë përballur sërish me forcat bullgare që ua kanë grabitur edhe delet e mbetura.

Fshatit Radomirës i kanë marrë afro 100 mijë krerë dele. Cerenit, Ploshtanit, Dodave, Shullanit e Vasieve nga 40 mijë secilit fshat.

Rrallë kush ka arritur të shpëtojë 100 dele e poshtë. Qehallarët e çobanët janë kthyer në shtëpitë e tyre me kërrabë në dorë. Ua grabitën edhe kuajt e barrës sepse për çdo dyqind dele shërbenin dy kuaj për transport në udhëtim. Kur u kthyen në Kala, vendi ishte i pushtuar nga ushtria serbe. Burrat lanë shkopinjtë dhe rrëmbyen pushkët për të mbrojtur trojet, gratë dhe fëmijët.


***


Ndërsa në Vlorë shpallej pavarësia, në Dibër bëhej luftë kundër serbit dhe në Shkodër bëhej luftë kundër malazezëve. Në luftën Ballkanike që u hap në mes të Turqisë e të shteteve aleate të Ballkanit, mbasi u pushtua Shkupi, Manastiri, Tetova, Gostivari, Perlepi, Kërçova, Ohri e Struga, që ishin kufitarë me Dibrën, qytetarë e malsorë dibranë u ndodhën përballë me pushtuesit serb.

Në këtë kohë Dibra zgjodhi dhe dërgoi si përfaqësuesin e vet Myfti Vehbinë, Vehbi Dibrën (Agollin) për të marrë pjesë në Kuvendin historik që do të shpallte indipendencën e Shqipnisë. Siç dihet Vehbi Dibra u zgjodh në këtë kuvend kryetar i kuvendësisë shqiptare, ndërsa Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetar i qeverisë së Vlorës. Hafis Sherif Langu, përfaqësuesi tjetër i Dibrës, arriti në Vlorë ditën e tretë, me 30 nëntor 1912. Lajmi se Ismail Qemali dhe delegatët shqiptarë e shpallën Shqipërinë të mosvarme e më vete u përhap si vetëtimë. Mehmet Pashë Dërralla u zgjodh ministër i luftës i Qeverisë së Vlorës. Kjo ishte njëkohësisht krenari dhe gëzim i dytë për mikun e tij, Shabë Camin. Shabani, kushuriri i tij, Dani, Hamiti, Eqerem Cami, Hoxhë Moglica, Kadri Fishti, Riza Rusi, Abdurrahim Tërshana, Haki Stërmilli, Haki Sharofi, Razie Pregja, etj., ishin anëtarë të Klubit “Bashkimi” të Dibrës që prej vitit 1908. Kryetar kishin Hafiz Sherif Langun.


***


Ç’kërkon serbi në trojet tona ?

S’ja kemi zanë diellin Serbisë.


U dha kushtrimi me pushkë në vendet e caktuara qysh më parë në majat e maleve. Në mënyrë të rrufeshme u morën masa mbrojtëse. Çeta e Feta Camit krijoi lidhje me çetën e Hoxhë Hasan Moglicës dhe me atë të Elez Koçit në Ostren. Kështu që nga kufiri shtetëror deri në Radovesh, Ostren dhe deri në Okshtun ishte organizuar kundërshtimi i forcave serbe dhe proesadiste në Shqipëri.

Çeta e Feta Camit kishte nxjerrë forca nga Golevishti, Viçishti, Izvira, Gjorica dhe nga Malësia e Grykës së Vogël.

Çeta e Dan Camit, kishte forca nga Sepetova, Tërbaçi, Mireshi, Radoveshi dhe nga Golloborda, ku Dani kishte shumë miq dhe shumë mbështetje. Dani dhe Feta, ishin kushurinj në fshatra të ndryshme, njëri në Sepetovë, ndërsa tjetri në Viçisht. Elez Koçi kishte influencë në fshatrat e Ostrenit. Hoxhë Lila dhe Islam Lama drejtonin forcat e Steblevës.Po kështu kishte organizime në Trebisht, Borovë, Zabzun, Llangë etj.

...Serbët e kishin marrë informacionin se në Vlorë shqiptarët do të shpallnin pavarësinë dhe nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë dhe kufijtë e Shqipërisë. Ata donin të arrinin në Durrës përpara se të arrinte Ismail Qemali, që ta pengonin atë. Donin që të argumentonin para fuqive të mëdha se po luftojnë kundër Perandorisë Osmane dhe jo kundër Shqipërisë, se Shqipëria nuk egziston. Në tetor të vitit 1912 filloi lufta e parë ballkanike. Serbia i shpall luftë Perandorisë Osmane. Mali i Zi i shpall luftë Turqisë. Bullgaria i shpall luftë Perandorisë Osmane. Greqia i shpall luftë Perandorisë Osmane. Në të vërtetë të katër këto shtete ballkanike luftonin kundër shqiptarëve, luftonin për të grabitur trojet shqiptare, pjesë e Perandorisë Osmane, që ishte në grahmat e fundit. Vetë shqiptarët,qysh prej dy vitesh luftonin nga Deçiçi në Vlorë, kundër turqve për shkëputje nga Perandoria Osmane. Fisnikët shqiptarë dhe Ismail Qemali janë në përgatitjet e fundit për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

***



“Krajl i serbit ban medet,/ ma faroi Luma askjerin krejt/ ma farroi askjerin e ngrat’, burrat me pushkë e gratë me spat’

Nga një kangë popullore


Serbët sulmuan në të njëjtën kohë me Dibrën edhe krahinën e Lumës. Për tre ditë e tre netë me rradhë, lumjanë e dibranë, nga Reçi, Dardha, Çidhna , Sllova e Lura nën drejtimin e Elez Isufit e të Isuf Xhelilit dhe lumjanët e drejtuar nga Islam Spahia, Ramadan Zaskoci e Ramadan Çejku, nga 15 nëntori, deri 18 nëntor 1912, me trupat e tyre, u bënë barikadë nga qafa e Kolesjanit deri në portat e Prizrenit ndaj një regjimenti e dy batalioneve serbe, në 35 km gjatësi luftimi.

Konsulli i perandorisë austro-hungareze në Prizren, Oskar Prohaska, i cili e ka vëzhguar betejën e Lumës, gjatë gjithë ditëve që ajo zhvillohej, informoi Vienën se,

...në Lumë, po zhvillohej një luftë e ashpër dhe e përgjakshme, në të cilën forcat serbe kanë pësuar disfatë.

Pjesëmarrjen dhe luftën e dibranëve, të Reçit e të Dardhës, komanda e forcave osmane në Dibër, mbi bazën e informacioneve që i vinin nga korierët, informonte komandantët osmanë të strukur në Ohër e Elbasan dhe e konsideronte atë fitore të vetën.

Aqif pashë Elbasani, i cili nuk mori pjesë në Kuvendin e Vlorës sepse në Gollobordë, në territorin e prefekturës së tij luftohej kundër serbve, u informua gojarisht nga Ahmet Zogu në Elbasan dhe i dërgoi qeverisë së Vlorës informacionin për nxjerrjen jashtë luftimit të gjashtë batalioneve serbe në Lumë nga lumjanët dhe dibranët.

Forcat e Lumës, Dibrës dhe Kosovës shkonin deri në katër mijë vetë, forca që e detyruan ushtrinë serbe, të nisej e përgjysmuar nga Prizreni në drejtim të Lezhës e të Adriatikut. Ushtria turke e kapitulluar ishte përqëndruar vetëm në kalatë e Shkodrës dhe të Janinës.

Shqiptarët në këtë luftë mbetën vetëm. Batalionet e njësive osmane tërhiqeshin të trembura dhe me tendencën që të kishin sa më pak humbje gjatë tërheqjes. Dy, prej tri armatave serbe, që ishin në luftë, sulmuan trojet shqiptare. Turqit i kishin premtuar Isa Boletinit 63 mijë pushkë, por edhe ato nuk ia dhanë. Ndërsa Elez Isufi ja mori me forcë tre topa ushtrisë turke në Dibër kur po tërhiqej drejt Manastirit.

Lumjanët kërkuan armë te administrata turke në Prizren, por administrata turke nuk pranoi të hapte depot dhe të furnizonte me armë lumjanët të komanduar nga prijësi i tyre Ramadan Zaskoci.

Luftimet filluan të ashpra më 15 nëntor kundër forcave serbe në qafën e Kolesjanit. Ndërkohë lumjanët futën në grackën e patkoit forcat sulmuese të një batalioni serb nga Gryka e Shkallës së Keqe, Kolesjan, Gabrricë e Bushat.

Forcat derjane (dardhjane) të udhëhequra nga Elez Isufi, i mbështetur edhe nga një kompani çidhnakësh të udhëhequr nga Met Dedja u kthyen nga udhëtimi drejt Shkodrës në ndihmë të lumjanëve që luftonin kundër serbve. Në ditët e para të nëntorit 1912, forcat serbe po përparonin vazhdimisht drejt Lumës. Elez Isufi i dërgoi fjalë Met Dedes, duke i kërkuar sa më shpejt të shkonin në Kolesjan, për t’i dalë përpara hasmit. Ky veprim ishte plotësisht i justifikuar nga pikëpamja taktike, ndaj dhe angazhimi luftarak i malësorëve ishte në lartësinë e nevojshme.

Elez Isufi kish dërguar në Qafë të Kolosjanit mbi 400 forca të shoqëruara edhe me dy topa të vegjël dhe, me 19 nëntor 1912, gjëmimi i topave dhe thirrjet “besa-besë”, realizuan fitoren e madhe mbi ushtrinë serbe, së cilës i mbetën në fushën e betejës një regjiment ushtarësh të vrarë.

Flamuri i fitores me shqiponjën dykrenare u valëvit në fushën e betejës, në ditën që u shpall pavarësia në Vlorë.

Në këtë formacion luftarak, ishin të rreshtuar edhe çidhnakët, të udhëhequr nga Met Dedja, të cilët luftuan heroikisht krah për krah me luftëtarët derjanë e reçjanë.


Një këngë e asaj kohe thoshte:


“Kush ban mledhje ke istikami? /

Ai Met Dedja musteçemadhi. /

Tym e flakë bajmë duman, /

Si n’Bërdicë e n’Kolesjan.”


PJESA E I

32 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page