10 DITËT E LONDRËS


    Nga Miho Gjini

    "Mjeshtër i Madh"


    Sapo e mbylla “siparin” e 10 ditëve të Londrës e gjithçka më mbeti në sy si një vegim, më përtej ëndrrave. Gjithçka qe si një “trill” i sime bije, mbetur qyshkuri ajo nisi të dalë nga vetja, per të mbetur gjithmon brënda vetes, në krijimin e personalitetit .”Mos më thuaj ç’të bëjë, baba…Rrugën e jetës do ta zgjedh e do ta realizoj vetë!” Dhe ja tek jemi tani në rrugët e Londrës, tok me “Arëzën” e jetës time, tek soditim “Luanët Britanikë” në Qendrën e këtij qyteti pa anë e fund, që mba në “gjirin e vet” tetë miljonë banorë. Për të ardhur deri këtu, na duheshin tri orë e gjysmë “fluturim” nga Aeroporti “Venizellos” i Athinës deri ne Aeroportin e Londrës “Heathrow”, si edhe (pas një dite), një orë kohë, që nga High Wycome, me makinë, pastaj me tren e me metro, që më von “të kurdisje këmbët”, për të bërë me to 10 mijë km. rrugë, qe të paktën te shohësh diçka nga ky kryeqytet, nga më të lashtët e më te bukurit e botës, pa ane e pa fund. Se, në çdo hap që hedhë më duket sikur shkel gjurmët e hapave te dikurshme të Shekspirit e të Çarli Çaplinit, të Bajronit e të Eduard Lirit, të Dikensit e të Bernard Shout, të Lorenc Oliverit, Ben Hillit e Mister Binit, të Çurçillit e të Margaret Theçerit. Të “luan kapaku i kokës”! Fillimisht , makinën e markës “Pezho” do ta ngiste një vajzë e re në moshë, e re në timon, një shofere piqerasiote, që është ime bijë. E sigurt në timon tashmë dhe e qetë. Ajo e di se ku na shpie..Dhe unë do të shihnja tani, me “bishtin e syrit” një tjetër vajzë, shumë më të pjekur, atë, të diplomuarën në Universitetin “Cardiff” të Uellsit, tashmë edhe “bijë e Londrës” gjithashtu, ku ka nisur të punojë për të mbrojtur Masterin… Rruga me tren, dukej sikur “çante” gjelbërimin e një pylli të dëndur e të pafund. Pastaj do të hynim në thellësitë e tokës, ku lëvrinin mistershëm qindra trena, drejt të gjitha skajeve të Londrës, për të dalë diku edhe në qendrën e saj mahnitëse. Mbetesh pa gojë!. Ajo na rrëfen Pallatin Madhështor të Mbretëreshës, na fotografon përpara luanëve të atjeshm, që duket sikur mbajnë mbi shpinë obeliskun e Sheshit Kryesor, perball Mbretëreshës, për të hyrë mandej në Parkun e Madh përbri Pallatit të Madhërisë së saj.. Më tej do të hysh në rrugët e ngushta me kalldrëm të Londrës së vjetër, aqsa do të të duket sikur do të të dalë përpara personazhi i Dikensit Oliver Tuist, prej basifondeve të hershme, derisa të duket bregu i Tamizit, ku do të të shfaqet menjëherë Teatri “GLOBUS” i Shekspirit dhe vet Shekspiri, me gjithçka mahnitëse që krijoi pesë shekuj më parë… Qe mesditë dhe aty shfaqej komedia “Endërr e një nate vere”, për të cilën më patën blerë një biletë një muaj më përpara, për të më mahnitur me Mjeshtrin Anglez të tragjedive e të komedive të tij të përjetshme, m’u në “shtëpinë” e vet, në skenën që ai e ideoi dhe e mbajti me ladinë e vet të krijimit.Tashmë lumi Tamiz s’ka të bëje fare me Tavernat e Ser Xhon Fallstafit, personazhit të famshëm të Shekspirit, po me shëtitore nga njera anë dhe me grandaçela e kulla mahnitëse nga krahu tjetër, ku është derdhur paraja e botës mbarë. Dhe do të dalësh befas në Urën Westminster, që lidhë të dyja brigjet e lumit të mbushur me anije të vogëla, skafe luksoze e gondola të panumërta. Prej këtu mund të shohësh Ndërtesën Gotike të Parlamentit Britanik, ku ma siguri Kryeministri Boris flet i nervozuar për miratimin e Brexit, si edhe kullën e orës “Big Ben”. Për t’u shlodhur në Sheshin Westminster, me një kafe përpara, duke u trullosur nga pamjet filmike të “lumit njerëzor” të të gjitha racave të botës. Dhe, për të ndalur më mbrapa, përpara Muzeut Britanik të Artit Pamor, ku vërtiten mijëra vizitorë qe fotografohen tek shatërvani e mbi Luanët prej bronxi. Mëndja e njeriut ndalet, përpara së madhërishmes që rrok syri, në shkallaret e pafundme ku janë ulur mijëra njerëz e pak më tej, ku aktrojnë artistët e rrugës, interpretojnë muzikantët, xhonglerët dhe bëjnë marifetet e tyre bixhozçinjtë. E duhet t’i mënjanosh tërë këto pamje, për të hyrë në botën shpëtimtare të artit të vërtetë, që mba brënda vetes, ky Muze i Famshëm i thesareve të artit pamor nga e gjithë bota. Vetëm këtu mund të provosh stepjen e humbjen e vetëdijes, nga magjia e artit të pikturës, sidomos prej mjeshtrave italian, spanjoll, francez të rilindjes së njerëzimit e më tejë… Gjithçka si nëpër përralla është edhe jashtë Londrës, në qytezat e rrrethinat, ku do të të duket sikur këtu nuk banojnë njerëz, po janë vetëm ketrat që hypin e zbresin nga pemët e shumta, pa patur frikë prej njerëzve, sorkadhe të vogëla që kanë humbur “prindërit” e që duan të kapërcejnë rrugët e makinave. E, as makinat nuk i ndjen udhëtari kurjoz që vjen nga larg, sepse askush nuk i bie borisë. Gjithkush respekton rregullat e qarkullimit, ligjet, normat, etikën qytetare. E gjithçka përreth është e pastër, pa asnjë letër e mbeturinë nëpër rrugë, në një qytetërim të rangut të lartë, ku të pamësuarit mbeten pa gojë, si të shushatur. Do të shohësh pemë shekullore ngado që hedhë syri e ku askund nuk “bie zjarri” prej keqdashësve e keqbërësve, “tunele” të gjata të sajuara nga harlisja e pemëve shekullore, shtëpia të pastëra një e dy-tri katëshe, me konstruksione druri apo prej druri e tullash të kuqe, me pak lidhje hekuri e fare pa beton në përdorimin e përgjithshëm, deri sa del në qytezën Marllow, një tjetër mrekulli, që ruan me fanatizm traditën e vet arkitekturore dhe tërheq turistë të panumërt, ku vijnë edhe notarë nga e gjithë bota për garat e kanotazhit. Këtu do të përballesh me urën “Buda-Pesti” dhe me kishën e hershme katolike, tek “këmbët” e saj , ku vinte të falej Mbretëresha Geraldinë, ndërkohë që i biri shihte filma në kinemanë e qytezës, gjatë kohës së strehimit të Mbretit Zog në qytezën Parmoor, në afërsi të Londrës..Dhe një drekë e mirë në Tavernën “George & Dragon” do të të sjellë në vete prej endjeve nëpër brigjet e lumit, me nga një gotë verë Spanjolle “La Riada” (Tempranillo), shoqëruar me meze të zgjedhura. Ne krye të tyezës tonë shkruhej:”Gjella pa verë është si dita pa diell”. E jashtë, për habi shkrepi Dielli! Nuk është e rastit që, duke ecur nëpër rrugët e Londrës e të qytezave përreth saj, të dëgjosh edhe fjalë shqip e të ndalosh për të folur me personin, apo të shkosh në ndonjë lokal për të ngrën një picë e të gjësh aty brënda tre punonjës shqiptarë, sikundër na ndodhi në “Pizza Express” në qytezën Gerrards Cross. Këtu do më priste një surprize e këndshme: mjeshtri i picave, ustai kryesor i lokalit të mbushur plotë e përplotë me klientë vëndas ishte pikërisht bamirësi im fisnik, pritësi i sime bije dhe i shokut të saj, në kushte të vështira banimi, derisa emigrantët e rinjë studenta, do t’a mernin veten. Mirënjohje pa fund këtij shqiptari 30 vjeçar nga Saranda jonë, Hektor Mërtirit, mjeshtrit të picave, me 7 vite stazh pune, Korab Xhaferit, nga Vushtrica e Kosovës, që kishte 25 vjet pune këtu, derisa u martua me një vajzë Angleze me origjinë nga Irlanda e Veriut dhe tani ka tre fëmijë, ndërsa Genta Naersadja, nga Bushati i Shkodrës, e ardhur në Angli në moshën 15 vjeçare, tani është 28 vjeçe dhe është e martuar me një emigrant shqiptar që punon në ndërtim. Ata shkojn shumë mirë me njëri tjetrin dhe , së bashku edhe me tre emigrantë të tjerë, tërheqin këtu nje klientelë të gjërë e të madhe, për nivelin e kulturën shërbimit dhe cilësinë e picave. Dhe krijohet aty menjëherë “një cope” atmosferë shqiptare! Të nesërmen do të më përsëritej kjo atmosferë e përzemërt në qytezën e sime bije, ku erdhën nga Londra për të më përshëndetur e pirë nje kafe me mua dy nga kolegët e mi, shkrimtari e publiçist Fatmir Terziu dhe poeti nga Peja Sherif Bllaca. E erdhën në një kohë të keqe, me thëllimin që sillte shiu e dëndësimi i mjegullnajës që në këtë mbëmje sikur u shtua ca më teper në High Wycombe e gjelbër, të cilën ata të dy m’a “përzunë”me përzëmërsinë e tyre dhe me librat që më sollën. Pas madhështisë e labirintheve të gjelbëra të qytezave rreth Londrës, do na pushtonte magjia e Oxfordit, gjysmë ore më përtejë High Wycombe, i cili të tërheq shumë pas në kohë, shtatë shekuj më përpara, në vitin 1012, kur sistemimi i dijeve, hovi i shkencës dhe lulëzimi i arteve, nisën të bëjnë atë revolucion shoqëror, që ndritën epokat e më pastajme, me Rilindjen Europiane e më gjërë. Miljona turistë vërtiten çdo ditë, jashtë e brenda Pallateve gotike të Universiteteve të Oxfordit, bibliotekës grandioze në mesin e tyre, shkollave e kolegjeve të të gjitha shkencave e dijeve njerëzore, për t’u ndalë në stepje tek Tabela e Famshme e përllogaritjeve të Ajnshtajnit në Muzeun e Historisë së Shkencave. Mëndjen, vetëdijen e njeriut e bllokan papritur befasia e së paparashikuarës, që ka sjellë kaq shumë ndryshime, vlera e madhështi në mëndjet njerëzore të shekujve të mëvonshëm. E gjithçka ka një mbyllje,“epi endin” fundore, si në veprat e ekranit e të skenës dhe mua do të më ngjante “akti” që mbyllte siparin, i ngjajshëm me komedinë e William Shekspirit “Gratë Gazmore të Windsorit”, po në qytetin anglez të Windsorit, në afërsi të Londrës. Me kujtesën e jashtëzakonshme të kësaj shfaqjeje gazmore që vuri në skenën e Teatrit Popullor (Sot “Teatri Kombëtar”), pedagogu im i paharuar, regjisori i ndëshkuar nga regjimi diktatorial, Kujtim Spahivogli, si edhe me interpretimin po aq të shkëlqyer të kryekomikut tonë Mihal Popi në rolin e Ser Xhon Fallstafit. Une ndalë një copë herë para “Teatrit Royal”, disa hapa larg Lumit “Tamiz”, si për të mbajtur disa minuta heshtjeje për këta artistë të lartë, në personalitetin e tyre të paaritshëm, që erdhën në Skenën Shqiptare, tok me komeditë brilante të Shekspirit, dashuria e nostalgjia për të cilët më solli edhe mua deri këtu, buzë lumit “Tamiz”…Duke fotografuar gjithçka që ka të bëjë me këtë qytet gazmor e me një histori mesjetare tavernash e kështjellash, që nga Mbretëria e Mbretëreshës Viktoria e deri më sot, kur Windstori është tjetërsuar disi, pas “siparit” të një qyteti kozmopolitë, ku qarkullojnë tashmë njerëz e turistë nga e gjithë bota, midis të cilëve edhe unë, që jam ulur në një stol karshi lumit Tamiz e më duket sikur aty shohë Tavernën e Ser Xhon Fallstafit, i cili ka hypur mbi butet e verës duke kënduar këngë gazmore e zbrazte verë në fytin e vet si gjyryk, sikunder qe tipi i Rilindjes Angleze në përfytyrimin e Spahivoglit. E të nesërmen, tri orë e gjysmë më pas nga mjegullnaja e Londrës, ku shiu i imtë e i ftohtë nuk pushoi as edhe një herë gjatë këtyre 10 ditëve, do të isha përsëri në Athinë, ku Diellin e ke mbi krye të 300 ditët e vitit.



    3 views

    Shkrimet e fundit