
Të nderuar kandidatë për kryetarë të PD, ju lutem ndërpriteni këtë farsë zgjedhore
Dr.Vili Minarolli
Ish antar i Kryesisë të PDSH
Ish Kryetar i Degës të Tiranës
Në PDSH po zhvillohet një fushatë për zgjedhjen e Kryetarit të partisë, një muaj pas ditës të votimit dhe pa u përfunduar proçesi i çertifikimit të zgjedhjeve nga KQZ. Shkaku është se ndonjë përfaqësues i huaj i akredituar në vend dhe ndonjë institucion ndërkombëtar nxituan të uronin fituesin. Për këtë arsye kërkohet dorëheqja e kryetarit të Partisë me justifikimin se nuk arriti të fitonte zgjedhjet, duke e lidhur me një preçedent të para 13 viteve kur kryetari i partisë që qeveriste vendin dhe administronte zhvillimin e zgjedhjeve dha dorëheqje pas humbjes. Duket që rasti nuk është i njëjtë. Kam shkruar disa postime në FB për këtë situatë duke shprehur mendimin se më parë të analizohen shkaqet e “humbjes” dhe të metat e drejtimit nga ana e kryetarit të partisë dhe më pas të kërkohet zëvëndësimi i tij , nëqoftëse ai është shkaku i humbjes.Kryetari Basha iu drejtua KK me një pyetje të thjeshtë: “Nëqoftëse ju mendoni se zgjedhjet janë humbur, unë jap dorëheqje, por nëqoftëse zgjedhjet janë vjedhur , atëhere të gjithë bashkë të evidentojmë masakrën zgjedhore dhe pastaj të merremi me veten tonë”.
Pavarësisht se asnjë nuk u shpreh për humbjen e zgjedhjeve, KK i partisë vendosi që PD të fillonte fushatën për zgjedhjen e kryetarit të partisë ose rikonfirmimin e atij që është në detyrë. Nga qëndrimi i disa prej ish drejtuesve të PD, nxitës dhe frymëzues të fushatës për zgjedhjen e kryetarit, m’u krijua mendimi se largimi i kryetarit Basha do ishte edhe një larje borxhi për mos zgjedhjen e tyre si kandidat për të qënë deputet. Dhe aktualisht kemi katër kandidatë në garë që po i prezantohen çdo ditë antarësisë të PD në qytete të ndryshme të vendit.Për mendimin tim të kërkosh për të drejtuar PD duke mos qënë asnjëherë as antar i një seksioni apo i një strukture drejtuese të saj nga kryetar seksioni e më tej edhe pse mund të jesh katapultuar( siç ka ndodhur në shumë raste) në KK apo edhe në kryesi , është një pretendimi i tepruar për të mos thënë papërgjegjshmëri. Të kërkosh të zgjedhesh kryetar, pasi gjatë gjithë fushatës, duke qënë jashtë çdo kontributi, ke pritur humbjen e partisë me qëllim që të kërkosh të marrësh kreun, kjo mbetet në vlerësimin e çdo antari që do të votojë. Megjithatë secili nga kandidatët ka të drejtën e tij dhe në fund edhe unë si antar i thjeshtë i PD do i uroj për fitoren e tij.
Nga sa kam dëgjuar , të gjithë kandidatët e rinj parashtrojnë , atë që e quajnë platformë dhe ka të bëjë me drejtimin e partisë nga ana e tyre. Të gjithë kanë të njëjtat premtime të shprehura me fjalët: “Unë di si fitohet”, “Unë kam një platformë dhe program të qartë”,” Unë nuk do të bëj gabimet e kryetarit në detyrë”etj. Po asnjëri , duke analizuar gabimet e kryetarit të partisë për rezultatet e drejtimit 8 vjeçar të tij, nuk i jep përgjigje pyetjes: Si do të vepronte ndryshe kur do të ishte ndodhur në të njëjtën situatë që të siguronte fitoren? PD do i duhet të ndeshet përsëri me kundërshtarin e tij politik, i cili tashmë ka krijuar një makineri të frikshme elektorale, pasi ka futur nën sqetullën e tij çdo segment të shtetit, me anë të së cilës arrin të fitojë çdo zgjedhje dhe të gjunjëzojë çdo kundërshtar. Në platformën apo programin e secilit kandidat për kryetar përsëritet i njëjti sllogan: “Do të fitojmë duke hapur partinë, për të gjithë të larguarit.” Po pyetja është se a ka qënë e mbyllur dera e partisë për atë që ka dashur të jetë antar i saj? Sepse kur flasim për “hapje” na vinë në mendje preçedentët e kaluar, kur ata që u larguan me dëshirën e tyre, madje pastaj emigruan prej disa viteve( partitë janë bashkime vullnetare individësh), ndonjë tjetër që krijoi një parti , kundërshtare me PD, apo ndonjë që nuk e ka ditur as ku bie dera e PD( siç jo pak herë kam qënë dëshmitar), janë emëruar antarë të kryesisë, janë vendosur në listën fituese të partisë për deputetë dhe atë ditë që në zgjedhjet e rradhës ky favor i pamerituar dhe i pajustifikuar nuk u përsërit, del kundra dhe krijon parti kundërshtare. Dhe pastaj kur kërkohet hapja bëhet fjalë për po këta individë që kërkojnë të marrin po ato favore që i kishin para se të largoheshin apo t’ju kundërviheshin partisë. Përvoja ka treguar që riardhjet e tilla vetëm kanë zhgënjyer antarësinë dhe kanë sjell humbjen e votave në një fushatë elektorale.Po të jetë fjala për këtë lloj hapje, më mirë të quhet partia e mbyllur.
Nuk ia lejoj vetes as të mbështes as të kritikoj veprimet e Kryetarit L.Basha për drejtimin e partisë.Nganjëherë kam dashur t’i jap ndonjë mendim(jo këshillë) duke i shkruar personalisht, si një detyrim thjesht moral dhe pa patur asnjë pretendim që t’i merrte në konsideratë. Por duke i ndjekur ngjarjet dhe veprimet nga jashtë, jo gjithnjë kam miratuar veprimet e tij.Për shëmbull nuk e kuptova krijimin e Këshillit për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë, duke i lënë shkak zgjedhjeve preferenciale dhe eleminimeve subjektive, kur ekzistojnë strukturat përgjegjëse sipas statutit . Nuk gjej asnjë justifikim në vendimmarrjen e tij duke shmangur strukturat përkatëse, siç ishte hartimi i listës të deputetëve në zgjedhjet e vitit 2017 me persona që jo vetëm ranë preh e joshjeve nga ana e kundërshtarit politik dhe u bënë njësh me të në veprime të hapura antikushtetuese, por u evidentuar edhe për një formim të mangët moral, intelektual dhe kulturor. Shprehja e lirë e mendimit në forumet e partisë, dëgjimi dhe marrja në konsideratë e tyre edhe kur janë të ndryshme nga mendimi i kryetarit, respektimi dhe zbatimi e rregullave , mbledhja e forumeve sipas statutit,sigurojnë funksionimin e brendshëm të demokracisë në parti.
Pa dashur ta justifikoj zotin Basha, unë përsëri po i kthehem problemit që ka të bëjë me pyetjen që shtrova më sipër. Këto ditë të fushatës për kryetar kam dëgjuar që e përbashkëta e tyre është kritikat ndaj veprimeve dhe vendimeve të kryetarit në detyrë. E drejta e tyre. Duhet të vihen në dukje të metat dhe gabimet për të dhënë siguri për mos përsëritje nga ai që do të zgjidhet. Po nga asnjë nuk kam dëgjuar si do të vepronte ai ose ajo po të ishin në atë rol.Sepse vitin tjetër në zgjedhjet e rradhës secili prej tyre mund të ndodhet në të njëjtat pozita.
Unë do të shpreh mendimin tim për disa nga ato “gabime” që përmendin konkuruesit e tjerë.
Zoti Basha kritikohet pse braktisi Çadrën dhe pranoi bashkëadministrim e zgjedhjeve në vitin 2017, ndërkohë që kishte deklaruar se zgjedhje me E.Ramën kryeministër nuk do të bënte. Me sa më kujtohet atë kohë pati një angazhim të madh ndërkombëtar që opozita të merrte pjesë në zgjedhje, si detyrim i funksionimit të një shteti pluralist. Emisarët e ndryshëm ndërkombëtar garantuan për zgjedhje të drejta, ndoshta ushtruan edhe presion ndaj kryetarit për ta konsideruar mospjesmarrjen si një standart jo demokratik dhe e “detyruan” Kryeministrin të lëshonte disa ministri, si shprehje e tolerancës nga ana e tij.Ndër to edhe Ministrinë e Brendshme , por jo Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, siç bëri edhe së fundi kur e largoi ministrin Lleshaj, për “të ulur gjakrat”, por jo të shkarkonte atë që ishte përgjegjësi kryesor i vrasjes të një të pafajshmi nga ana e policisë. Dhe pasqyra më e qartë e atyre zgjedhjeve ishte dosja 339, për të cilën heshtën jo vetëm garantuesit ndërkombëtar për zgjedhje normale, por edhe organet ligjzbatuese të “Drejtësisë të reformuar”. Kjo ishte garanci për deformimin në zgjedhjet e ardhshme.
E njëjta histori në zgjedhjet lokale të vitit 2019.Opozita , por edhe populli tashmë ishin të bindur se partia shtet do i tjetërsonte me të gjitha mënyrat vullnetin e zgjedhësve, prandaj ishte e vendosur të mos merrte pjesë në zgjedhje dhe kishte siguruar mbështetjen popullore për protesta.Këtë rradhë opozita kishte mbështetjen e Presidentit që nuk pranonte zgjedhje jo demokratike pa pjesmarrjen e opozitës.Por edhe në këtë rast nxituan të shfaqen burokratë të huaj që edhe më parë kishin mbështetur disa veprime në dëm të interesit kombëtar shqiptar, që e kërcënuan opozitën për ta shpallur organizatë terroriste në rast të organizimit të protestave!! Dhe si duket edhe nga vendimi i fundit i shpalljes “non grata” të ish Presidentit dhe ish Kryeministrit nga insitucioni nga vinte ky zyrtar, deklarimi i tij nuk dukej të ishte thjesht një kërcënim.Lobimi kundër opozitës si duket kishte kohë që praktikohej në këtë institucion dhe të ardhurat nga tregëtia e narkotikëve kishin kohë që shpërndaheshin lart e poshtë.Opozita i kërkoi popullit ( jo vetëm demokratëve) të refuzonte pjesmarrjen në farsën e zgjedhjeve moniste të tipit të kohës të diktaturës .Votimi u refuzua masivisht dhe sot kemi një pushtet lokal copë copë që ka si funksion të vetëm shpërndarjen në mënyrë preferenciale të asistencës sociale për njerëzit e varfër. Por edhe e përdorur si bastion manipulimi për çfardo proçesi zgjedhor.
Ç’farë do kishin zgjedhur si veprim kandidatët e sotëm për kryetar në rastin e këtij kërcënimi në emër të një institucioni kaq të lartë dhe të rëndësishëm ?
Tashmë ishte krijuar bindje e palëkundur se me këtë parti shtet nuk ishte e mundur që vullneti politik i votuesve të mos deformohej. Mbështetja që i jepej partisë shtet nga ndonjë përfaqësues diplomatik apo organizëm ndërkombëtar,mungesa e vullnetit për të dënuar parregullsitë e zgjedhjeve të kaluara, gllabërimi në dritë të diellit i të gjitha institucioneve kushtetuese dhe jo, tregonte një ambjent jo të duhur për të realizuar zgjedhje normale në vend. Nga ana tjetër Shqipëria në raportet ndërkombëtare dhe organizmat që monitoronin plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave me BE, prezantohej si një narko shtet, që drejtohej nga një autokrat që i kishte gllabëruar të gjitha institucionet ligj zbatuese, që funksiononte prej disa viteve pa gjykatë kushtetuese dhe të lartë, me një parlament formal dhe antikushtetues ( në kushtetutë parlamenti funksionon me 140 deputetë), që miratonte çdo projekt të qeverisë jo vetëm pa u diskutuar, por edhe pa u lexuar nga ligjvënësit, me një sistem drejtësie ku u ricikluan pothuaj të gjithë përfaqësuesit e drejtësisë të kohës të diktaturës,që kishin dhënë dënime në cënim të lirive dhe të drejtave të njeriut, me një polici që bashkëpunonte hapur me krimin e organizuar, ku krimi i organizuar kishte fushë të lirë veprimi nga mbështetja e politikës, ku vetë kodi zgjedhor kishte hapsira për manipulim dhe deformim të votës dhe shumë mangësi që nuk krijonin asnjë mundësi për zgjedhje normale. Në këto kushte kur rrezikoheshin përsëri zgjedhjet, futet në lojë përfaqësuesja e Presidentit të SHBA-së dhe përfaqësuesi i BE. Ata dolën në rolin e garantit ose më shqip i dhanë besën opozitës shqiptare që do të siguronin të gjitha kushtet për zgjedhje normale.Është e njohur nocioni i Besës për ne shqqiptarët si një normë shumë e rëndësishme morale, që nuk mund të shkelet. Aq më shumë kur kjo garanci jepej nga përfaqësues i një vendi që për çdo shqiptar është simbol i demokracisë dhe drejtësisë.Dhe u sajua i ashtuquajturi Këshilli Politik për hartimin e një kodi zgjedhor që do të garantontë zgjedhje normale. ( Nuk e përmend zgjedhje të lira dhe të ndershme se për ato as që bëhet fjalë).A mund të quhet gabim i kryetarit pjesmarrja në këtë Këshill ,që u krijua dhe ishte nën mbikqyrjen e përfaqësues të Presidentit të SHBA-ës?
PD filloi përgatitjen për zgjedhjet duke i kushtuar kujdes zgjedhjes të kandidatëve për deputetë, duke caktuar si drejtuesit politik të qarqeve njerëz me integritet moral dhe me eksperiencë politike dhe duke krijuar një koalicion të gjërë me parti të djathta dhe të qendrës, për të maksimalizuar votën . PD nuk bëri koalicion para zgjedhor me LSI-në dhe unë e quajta veprim shumë të drejtë dhe logjik.
Fushata e kryetarit Basha për mendimin tim ishte një fushatë shumë paqësore, aspak negative, bashkëbiseduese me qytetarët, që ngjallte shpresë dhe mobilizonte antarësinë e PD dhe të opozitës për një fitore të saj.
Por me sa duket gjithçka luhej në prapaskenë.
Ndërsa Këshilli politik vazhdonte punën me pengesat që paraqisnin herë pas here përfaqësuesit e pushtetit, përfaqësuesja e Presidentit amerikan deklaroi publikisht se i kishte kërkuar Kryeministrit në detyrë që në qeverinë e ardhshme të mos e përfshinte deputetin Tom Doshi si antar kabineti. Është i njohur fakti se Tom Doshi ndonëse i zgjedhur deputet që nga viti 2005 dhe madje në zgjedhjet e vitit 2013 apo 2017 edhe drejtues politik i qarkut të Shkodrës, asnjëherë nuk ka qënë antar i kabinetit të zotit Rama dhe nuk është bërë publike ndonjë dëshirë apo ambicje e tij për të qënë ministër në kabinetin e Kryeministrit Rama. Tom Doshit, si një biznesmen i madh i ka interesuar të fitojë tendera publikë që i ndan qeveria për klientët e saj, siç është edhe vete zoti Doshi dhe leje ndërtimi për të ndërtuar pallate dhe qendra biznesi. Këtë kusht të ambasadores unë e lexova si një liçencë për kreun e qeverisë për të përdorur çdo mjet dhe formë për të fituar zgjedhjet dhe për të qeverisur vendin edhe për një mandat të ri.
Dhe ai i përdori të gjitha format antiligjore dhe anti demokratike me të cilat rezultoi fitues dhe ambasadorja e shpalli fitues ende pa dalë rezultati zyrtar. Për mendimin tim zgjedhjet ishin përfunduar pa u bërë votimet dhe dita e votimin ishte thjesht formale dhe një fasadë për vëzhguesit e huaj dhe deklarata që u lexua të nesërmen ndoshta edhe mund të ishte e parapërgatitur.
Pyes kandidatët për Kryetar të PD se si do të kishit vepruar ju në këtë rast?
Nën trusninë e përfaqësues të Presidentit të SHBA-së dhe në rezidencën e saj, antarët e Këshillit Politik firmosën një marrëveshje që do të funksiononte si Kod Zgjedhor duke patur miratimin e të gjitha forcave politike. Për ironi të fatit marrëveshja u përshëndet nga eprori më i lartë i ambasadores në DASH dhe nga zyrtarët e lartë të BE. Disa ditë më pas kreu i qeverisë edhe pse fillimisht e kishte pranuar marrëveshjen, ia “grisi në fytyrë” këtë marrëveshje iniciuses të “këshillit” dhe garante të firmosjes dhe urdhëroi parlamentin kukull të bënte në mënyrë të rrufeshme ndryshime Kushtetuese në interes të fitores së tij. Për çudi nuk u tha asnjë fjalë nga organizatorja dhe garantuesja e marrëveshjes dhe institucioni drejtues i saj .
PD krijoi një strukturë për të mbrojtur votën me persona të zgjedhur, jo kriminelë dhe as të shpallur në kërkim, por persona publikë me reputacion profesional dhe me integritet. Në përplasjen e parë me krimin e organizuar që po “mblidhte vota dhe votues ” për partinë shtet para ditës të votimit , u pa qartë që gjithçka ishte e organizuar dhe e mbështetur nga politika për të mos patur asnjë pengesë për të “rrëmbyer “ çdo votë të qytetarëve për të cilët kishin informacione nga struktura të mirë organizuara se do votonin kundër.Grupe kriminale me persona me preçedente kriminalë, gjoja të shpallur në kërkim, po që shëtisnin të lirë dhe të armatosur përpara policisë të shtetit, kishin marrë përsipër të ushtronin presion dhe terror ndaj qytetarëve , për t’i detyruar të votojnë për partinë shtet. Në një rast të vetëm, grupi i mbrojtjes të votës njoftoi policinë e shtetit për veprimtari të njerëzve që po vepronin në kundërshtim të ligjit dhe në prezencë të 15 efektivëve të Policisë të Shtetit ( të partisë) që qëndruan sehirxhinj sipas urdhërit të shefave të tyre , u zhvillua një betejë me armë zjarri që rezultoi me një viktimë dhe disa të plagosur.
Drejtori i Policisë në funksion të detyrës së tij shtrëmbëroi arsyet e kësaj ngjarje dhe i vetmi i penalizuar është një ish ushtarak shëmbëllor që përdori armën me leje për vetmbrojtje.
Disa ditë më parë kësaj ngjarjeje, njerëz me preçedentë kriminal dhe të shpallur në kërkim,por të afërt me drejtues të pushtetit lokal dhe të partisë në pushtet dhe në shoqërinë e tyre, në mes të qytetit të Kavajës, u futën në ambjentet e brendshme të zyrës të PD dhe plagosën drejtuesin e opozitës në detyrën e tij, me armë zjarri që e mbanin pa leje . Policia e shtetit ( e partisë) nuk veproi dhe garantuesit e huaj të fushatës nuk e vunë re dhe “nuk patën asnjë informacion” për këtë ngjarje.
Megjithatë edhe pas kësaj, strukturat e PD në qarqe ishin të vendosur të mos lejonin format antiligjore të deformimit të votës, siç ishte blerja e votës me listë pagesash, detyrimi për t’u marrë votuesve kartat e idenditetit që të mos kishin mundësi të votonin dhe për t’ua dhënë ato besnikëve të tyre. Prandaj tashmë rezulton që disa votues kanë votuar shumë herë, gjë që është e parëndësishme për organin e ankesave pranë KQZ dhe për ata që i mbyllën zgjedhjet një ditë pas asaj të votimit. U kapën makina që shpërndanin ushqime nga punonjës të pushtetit lokal, u fotografuan kryetar të pushtetit lokal duke shpërndarë leje legalizimi, u evidentuan lista e pagesave që u bënë në prag të votimeve, për personat e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, me marrjen e premtimit të votës,po për këtë qëllim u dyfishua për disa familje të pavendosura asistenca sociale, por në asnjë rast të denoncimit me fakte dhe prova nuk veproi asnjë organ i “Drejtësisë të Reformuar”, që u bë i mundur me një fond të taksapaguesit amerikanë dhe u realizua nga fondacioni “Shoqëria e Hapur” e multimiliarderit amerikan Soros.
Një portal i pavarur, Lapsi.al, njoftoi se një listë emërore me të dhëna sensitive të disa qindra mijra qytetarëve të Tiranës, pronë dhe në garancinë e shtetit, “kishte rënë në duart” e partisë në pushtet dhe me anë të një strukture të super të madhe që paguhej ilegalisht, të quajtur Patronazhistë,kishte përpunuar në mënyrë fshehtë zgjedhësit dhe jepte informacione të hollësishme mbi preferencat e tyre politike, duke shprehur mendime për formën e presionit apo joshjes që duhej për t’i marrë votën. Skandali plasi dhe SPAK, organ i ri i “drejtësisë të Reformuar” urdhëroi pronarët e portalit të dorëzonin të dhënat në vend që të drejtoheshin tek shteti që i kishte dhuruar këto të dhëna një partie politike. Vetëm ndërhyrja e Strazburgut e detyruan “Drejtësinë e Reformuar” të tërhiqej nga ky veprimi ndaj gazetarëvë, që përligjte antiligjin. Asnjë fjalë nga garantët e zgjedhjeve sikur kjo të kishte ndodhur në një vend të pazhvilluar dhe të panjohur të globit.PD e denoncoi dhe nuk e di se ç’do kishin bërë tjetër kandidatët tanë për kryetarë të partisë .
Ndonëse në periudhë pandemie e shoqëruar me viktima të panumërta në muajt janar dhe shkurt, fushata e opozitës po zhvillohej me pjesmarrje masive dhe pa respektuar masat e vendosura nga Komitetit i ekspertëve( i partisë shtet). Kreu i qeverisë duke patur të gjitha burimet e shtetit në dispozicionishin , formalisht i bënte këto takimi në përputhje me kërkesat. Megjithë penalizimet që ishin në fuqi, nuk u morë asnjë masë për të ndaluar grumbullimet masive, ndonëse nuk pati asnjë rritje të numrit të infektimeve. Por për çudi, dy javë para ditës të votimeve “Komiteti i ekspertëve( i partisë)” shpalli ndalimin e ardhjes për të votuar të emigrantëve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Edhe kjo ishte pjesë e planit për të fituar zgjedhjet në mënyrë të pandershme. Në këtë fushatë nuk pati asnjë vizitë të drejtuesve të forcave politike sidomos të partisë në pushtet, kur zakonisht organizoheshin takime me emigrantëve për t’i ftuar të votonin në atdhe. Si dukej partia shtet ishte informuar se emigrantët për shkak të premtimeve të pambajtura, nuk do votonte për qeverinë aktuale. Një javë para votimeve kryetari i partisë socialistë të shqiptarëve në Greqi , njëkohësisht pronar i një linje autobuzash Greqi- Shqipëri, njoftonte antarët e partisë por edhe jo vetëm ata, se këtë rradhë nuk do të udhëtonin falas me autobuzët e tij për në atdhe për të votuar, siç ishte bërë tashmë e zakonshme, sepse ishte e ndaluar hyrja për shkak të pandemisë. Megjithatë disa emigrantë erdhën spontanisht dhe për asnjë nuk u respektuar ndalimi dyjavor i tyre i njoftuar.
Opozita e kundërshtoi këtë masë të Komitetit të ekspertëve(partisë), që më parë kishte deklaruar se ishte në rolin e këshilluesit të qeverisë e cila më pas merrte vendimin përkatës. Edhe në këtë rast garantuesit ndërkombëtar të zgjedhjeve normale heshtën. Pa as më të voglin dyshim opozita u pre në besë nga indiferenca dhe pse jo nga njëanësia e atyre që kishin dalë garant. E vetmja ndërhyrje e tyre ishte përsëritje çdo ditë e togfjalëshit:”Mos e shisni votën.” Dhe me këtë thënie, dukej se plotësohej detyrimi i tyre si garant i zgjedhjeve. Zhvillimi i ngjarjeve tregoi se shitblerja e votës ishte fenomeni më i pakët që solli tjetërsimin dhe e votës dhe deformimin e vullnetit të votuesve.
Nuk mund ta quaj gabim të kryetarit dhe drejtuesve të opozitës që u shprehën entuziast në përfundim të ditës të votimit,për shkak të entuziazmit dhe mbështetjes mbarë popullorë që patën gjatë fushatës. Por atë që e shpreha si mendim më sipër, se rezultati i zgjedhjeve ishte paravendosur, vazhdoj ta kem. E sigurtë që kishin arritur fitoren, me të gjitha parregullsitë e vrejtura , opozita nuk e mendonte se votimet ishin mbyllur para ditës të votimit. Megjithatë partia shtet, për të qënë e sigurtë e përdori edhe proçesin e numërimit për të vazhduar deri në fund ndryshimin e vullnetit të zgjedhësve kryesisht duke nxjerrë të pavlefshme një numër të paparë fletë votimi që rezultonin me votë kundër. Ata zbatuan një parim që e ka origjinën në shtetin e parë të diktaturës komuniste: “Nuk ka rëndësi si votojnë njerëzit, rëndësi ka kush numëron votat.”
Kandidatët për kryetarë e quajnë jo të drejtë vendimin e PD dhe të kryetarit Basha pse mori pjesë në zgjedhje.
PD nuk e mendonte se Besa si kod moral i shqiptarit nuk është i tillë edhe për të huajt. Për më tepër nuk mendonte se kundrejt nesh si popull që kishim vuajtur një nga diktaturat më të egra dhe ishim të etur për demokraci, mund të funksiononte sentenca se “politika nuk ka moral”. Nëqoftëse PD ose opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, jo vetëm që do të zhgënjeheshin demokratët dhe mbarë shqiptarët që kërkonin ndryshimin, por E.Rama i kishte bërë gati disa muaj më parë partitë”opozitare” të drejtuar nga ish nënkryetar të PD dhe drejtues e deputetë të saj të zëmëruar me partinë që u dha emër, që t’i prezantonin zgjedhjet si pluraliste dhe me standarte për ndërkombëtarët.
Pjesmarrja në zgjedhje i tregoi PD, popullit shqiptar , përfaqësuesve të huaj dhe organizatave ndërkombëtare që kishin dëshirën të shikonin ç’farë ndodhi realisht, se makineria e manipulimit të zgjedhjeve asnjëherë nuk do të, nuk do të mundësojë realizimin e zgjedhjeve në përputhje me standartet qoftë edhe minimale demokratike.
Dhe mund të vazhdoja me shumë argumenta të tjera, por le t’ja lëmë atyre që me guxim dhe vendosmëri po vazhdojnë të denoncojnë masakrën zgjedhore që iu bë jo vetëm opozitës, po edhe qytetarëve të vendit tonë. Mendoj po ashtu se ofertat për bashkëqeverisje janë konsumuar tashmë dhe janë thjesht gracka të partisë shtet për të ulur efektin negativ të zgjedhjeve të manipuluara. Sipas asaj që u tha një ditë pas ditës të votimin për rezultatin e zgjedhjeve pa përfunduar proçesi, rezulton që PS i ka fituar zgjedhjet, ka numrin e nevojshëm të deputetëve për të formuar qeverinë dhe është fare pa kuptim dhe pa një preçedencë në politikën ndërkombëtare të bashkëqeverisjes me opozitën. Në rast të mos marrjen parasysh të parregullsive , siç edhe po rezulton me qëndrimin e njëanshëm të institucionit të KAS-it, opozita , pavarësisht se i konsideron këto zgjedhje antiligjore dhe vullnetin e votuesve të deformuar, është e detyruar të marrë pjesë në parlamentin e ardhshëm për të bashkëbiseduar me qytetarët që e votuan , por jo vetëm si edhe për të përmbushur detyrimin e saj demokratik të oërfaqësimit politik të gjysmës të popullsisë të vendit. Por pa hequr dorë nga angazhimi i saj për të organizuar protesta paqësore si dhe të gjitha format ligjore dhe të domosdoshme të funksionimit të një shoqërie demokratike.
Kjo është arsye që u shpreha se fushata për zgjedhjen e kryetarit ishte shumë e parakohshme dhe panevojshme dhe një mënyrë e kamufluar e nxitur nga partia shtet për të kaluar në heshtje atë që ndodhi në të vërtetë me votimet e fundit. Në vend që antarësia dhe strukturat e partisë të merren me zgjedhjen e kryetarit,për të kënaqur tekat dhe ambicjet e sëmura të disa ish drejtuesve karieristë, të nxitur edhe nga instiktet e hakmarrjes që gjithnjë e kanë parë partinë si një mjet për përfitime personale dhe poste të pamerituara, ajo duhej të fokusohej në një angazhim të plotë, për të përballuar të keqen e përbashkët në evidentimin dhe denoncimin e asaj makineri që ka krijuar partia shtet për të fituar çdo proçes zgjedhor. Cilido nga kandidatët, që mendon se mund të drejtojë PD, do të ndeshet një ditë me këtë makineri dhe do jetë në të njëjtën pozitë si edhe kryetari aktual.
Të nderuar kandidatë për kryetarëtë PD, është koha për bashkim dhe jo ndarje.Prandaj ndërpriteni këtë farsë zgjedhore të nxitur nga ata që duan ndarjen dhe zvogëlimin tonë.Kam bindjen dhe sigurinë e plotë që antarësia e PD, e pjekur politikisht, do ju jetë mirënjohës për veprimin tuaj.Në të kundërt do të keni vetëm ndëshkimin e saj.
Partia nuk është pronë e kryetarit, është pronë e atyre që i japin frymë dhe jetë, e antarësisë të saj. Partia demokratike lindi si një forcë e lirisë dhe demokracisë në këtë vend dhe do të mbetet si e vetmja shpresë për të realizuar këto aspirata mbarëpopullore.
Comments