ËSHTË KOHA PËR TË LEXUAR: “KOHA NË VARGJE”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 16, 2020
- 4 min read

Meditim!
Para disa ditësh, miku im profesor Kadri Tarelli, poet, shkrimtar dhe analist, më dhuroi librin e tij të sapobotuar me poezi: “Koha në vargje”. M’u deshën pak ditë të lexoja, të kuptoja e të shijoja vargjet e tij, sepse profesor Kadriu shkruan me varg të ngjeshur, plot mendime dhe filozofi.
Asnjëherë nuk është vonë të shkruash poezi, vëren Shpendi Topollaj. Dhe miku ynë, nuk vonoi dhe publikoi librin: ”Koha në vargje”.
Ajo që më ka bërë përshtypje që në fillim, ishte se lart çdo poezie, ishin vendosur thënie të njerëzve të mëdhenj, filozofë, poetë, udhëheqës shtetesh, etj. Thëniet shkrihen bukur e natyrshëm me përmbajtjen. Vetëm një mendje e pjekur, e lexuar dhe e ditur si e profesor Kadriut mund ta realizojë këtë. Atij i pëlqen shumë të shkruaj. Historiani, shkrimtari, analisti dhe poeti janë brenda shpirtit të tij. Respekti për këtë figurë të ndritur dhe leximi i penës së tij sa herë që mundem, bëri që sot të bëj unë një analizë modeste të librit të tij, sipas këndvështrimit tim.
Duke lexuar njëra pas tjetrës poezitë, vë re me sa admirim ia ka kushtuar poezitë e tij: Agollit, Kadaresë, Vilhelme Vranarit, Aleksandër Moisiut, madje edhe vetë poezisë i ka kushtuar poezi.
Ai është një patriot dhe atdhedashës i flaktë. Me shumë zemër, ai i ka kushtuar Kosovës shumë poezi, shumë shkrime e shumë udhëtime. Ka shkruar për heronjtë legjendarë Adem Jashari, Isuf Veseli, Bylbyl Breçani, dëshmorin nga Tropoja:
“Bir Tropoje Bylbyl Breçani,
Porsi shqipe zbret nga mali!
Të thërret kombi dhe vatani
Këngën tënde kush e ndali? ”
Ka kënduar për Mitrovicën, Istogun, për patrioten Emine Hoti nga Drenica, që qëndis flamuj e kostume popullore dhe ua dhuron fëmijëve shqiptarë e të huaj. Ka shkruar për Pavarësinë e Kosovës dhe këshillon: “Shkaut kurrë mos i besoni, hasmi fjetur s’rri ”. - A nuk ka të drejtë?
Me shumë dashuri i thur vargje kujtimeve të të vëllait, Hytbi Tarellit, piktor e skulptor i shquar; mbesave të tij të dashura Angelina e Anissa, lindur e rritur në Itali, por që flasin e kuvendojnë shqip me gjyshërit e tyre të dashur, si dhe mikut të tij të ngushtë, Shpendit, shkrimtar e kritik arti.
Nuk harron profesori, t’i thurë vargje Durrësit, qytetit tonë të lashtë që po vuan sa nga valët tronditëse të tërmetit, aq edhe nga ngujimi dimëror i virusit.
Thumbon fort veset e këqija të shoqërisë sonë: raportin nuse-vjehërr ; fjalët e pamenduara të “Kokëboshit”; Thënie e batuta të thëna vend e pa vend, që të lëndojnë e të therin si kasap, llafet e bëra kafeneve nga “të ngeshmit“, apo ndjekëset e modës me thonj të zgjatura e me buzët e fryra si salsiçe zgare, siç i quan ai.
Ironia e sarkazma e përdorur ndaj klasës politike e politikanëve është mjaft therëse. Sepse “Surratdhjamosurit nga yndyra, nuk i njeh as vetë pasqyra”. Dhe kur ke një hall ti: “Mbetesh derë më derë, ku hajduti paska vlerë ”.
Si njeri i ditur, poeti ynë i këshillon politikanët të kërkojnë diellin, të heqin veset ,të punojnë si bleta, të lënë pas vepra që flasin vetë. Këto i gjeni në poezitë me tituj: ”Nuk bëhesh i madh”, ”I padituri ”, ”I pazoti”, etj.
Por mjaft dhembje japin poezitë: ”Kush e mbolli këtë farë” dhe, ”Na mbinë partitë ”, ku në ditët e sotme, partia vihet mbi Shqipërinë. Me mençuri , poeti kritikon veset e klasës sonë politike.
Po me aq mençuri, poeti na këshillon që të kemi kujdes kur të përdorim fjalën, sepse ajo ”Kocka s’ka, por kocka thyen”; Të mos ia hedhim fajin tjetrit, se faji është qyrk e nuk e vesh njeri; të mos shpifim e të mos jemi me dy fytyra me të tjerët, të mbajmë fjalën e dhënë si fisnikë, e jo ta shkelim si rrufjani, si servili, si politikani. Por të jemi të thjeshtë, sepse thjeshtësia është virtyt, është pasuri, çmohet shumë në shoqëri, “është bekim nga urtësia dhe në të bën fole dhe dashuria”. Thjeshtësia është shpresë për rini e ngrohtësi për pleqëri. Shpresoj t’i lexoni vetë në faqet e librit, njëra pas tjetrës këto poezi.
Vargjet e poezive janë plot mendime të vyera e plot këshilla. Këshillë mbi këshillë është poezia “Psherëtij”, ku poeti, ashtu si Migjeni që donte të godiste malin dhe varfërinë, ulëret e na thotë: “Ta duam këtë vend! “ .
Më pas, si një djalë i ri, poeti i këndon aq ëmbël dashurisë:
“Syrin na e mbyll, vera nëpër gota
Ti hënë, unë yll, jona është bota”. Ose:
“Gonxhe moj , vesë argjenda ,
Trëndafil mbushur me gjemba“, Ose:
“Balluket e ballit, bërë krela-krela,
Si fije të arta, tufa kaçurrela”.
Ashtu siç thotë Boccaccio: “Qysh nga rinia e hershme e deri më sot, e shoh veten të ndezur së tepërmi nga dashuria më e lartë dhe më fisnike”, ashtu edhe poeti ynë thotë:
“Dashuria kur thotë të dua,
s’pyet për ty, as për mua”.
Poeti ynë është edhe hokatar. Ai thotë, se iu fsheh pleqërisë, por ajo e gjeti. Nuk do ta rrëfej bukurinë e vargjeve, por po ua lë t’i zbuloni vetë ato kur t’i lexoni në: “Plaku, vapa dhe gushti”.
Një mbyllje aq e ngrohtë e librit, realizohet nga poezia: “Dua të prehem”, sepse, siç thotë La Martin : “Edhe në ëndrrat më të bukura, njeriu nuk mund të përfytyrojë diçka më të bukur se natyra”.
Duke e njohur poetin prej shumë vitesh, sot e shikoj me ndonjë thinjë pjekurie e fisnikërie dhe prej tij marr një thënie dhe e bëj thesar për vete dhe për ju: “Jeta është dhuratë perëndie, cilësia e saj guxim dhe dritë diturie“.
Krijimtari të mbarë e ditë të bukura, profesor Kadriu !
Lindita Gera
Durrës. Vjeshta e tretë 2020.
Comments