Përtej arsyeve të Botës
Fatmir Terziu
Këtë herë kolegu im anglez bën zhurmë me gotën e tij. Tok me mua gotën kristal dhe më thotë: “Cheers!” Unë ia kthej, jo s’e kam harruar të them “Gëzuar!”. Nuk kam harruar t’i them edhe të bëftë mirë.
“E ç’të mirë” - më thotë ai- “Gjyshi dhe babai vdiqën nga kjo e pirë”.
Po ne vazhdojmë të pimë. Pimë… Pimë se kështu është jeta. Jeta ka arsyet e veta. Jeta është ndoshta si vetë gota, shkon tek ajo që bulëzohet tek vetë Bota.
Gota ka detyrën e saj. Bota ka arsyet e saj. Ka arsyet gjeografike, trupore, fizike, sociale, kulturore, psikologjike, ekonomike, estetike e mbi të gjitha terminologjike. Gjithë terminologjia e saj është e shkruara. E shkruara në zë, e shkruara zhurmë pas zhurme, e shkruara fjalë pas fjale në fjali. Dhe kjo Botë është një dilemë kulturash e gjuhërash për mua e për ty, për të gjithë…
E ndërsa këtu është thjesht një Gëzuar, nata të lë pa gjumë, të lë zgjuar. Je nisur tek Tjetri, në këtë Botë të panjohur dhe i thua vetes, nuk jam më krye të dollisë shqiptare, nuk jam të pi me fund në Shtërmen, Ostren, Sulovë, Gracen e gjetkë ku ke shkelur me këmbë e ke pirë me mend. E ti mendohesh…, thellohesh, lodh trurin tani në një Botë tjetër.
Se si do të shkruaj të uroj me një fjalë, apo me një Fjali. Se si?! Se si do të shkruaj në gjuhën e duhur. Se si?! Një gjurmë…, edhe në gjumë. Një gjurmë e tillë, e (pa)qartë e mbetur në ekstazë më vë në lojë skriptin, lapsin, bojën e mendjes dhe letrën e hollë, më bëhet „batall“, se si do të formoj fjalë për Botën. Bota është një grua në hall. Në mënyrë elegante, duke hedhur format e tyre, ato forma të quajtura “madhështore” në një letër bosh, të përqendruar në krijimin e Përrallës: një truk i regjistrimit të kohës ka humbur.
Tani tingulli i vetmuar i gërvishtjes së padukshme të gotave ka arsyet e veta. Është i tëri kundër letrës së hollë. I udhëhequr nga kalueshmëria e prishjes së tij, është tingulli i vetëm që mund të dëgjojmë. Ajo që dikur ishte një botë për të krijuar fantazi është mbytur.
Është e zezë si bojë në errësirën e kësaj përralle të pafund.
Koha nuk mjafton dhe koha përsëri është e pamjaftueshme. Dekada të tjera me ne, si me lapsat, letrat dhe … vetë koka një mbushje totale me personazhe të kësaj Përralle ikanake kohore. Gëzuar për këtë e Gëzuar për atë. Shëndet e dolli…deri për Parti?! E Bota nuk ishte me ne. E ne nuk ishim me të dje. Nuk jemi as sot me këtë Botë. Po Bota?!
Aty është Bota, dhe ajo sikur kërkon tashmë të mbajë përpara intrigantët, harbutët dhe hajdutët, të gjithë të frikësuar se po humbasin të gjithë dritën kur të dalë agdita e fundit e skriptit që gatuhet këtu. A bëhet lufta për një errësirë të ftohtë, të pashpirtë dhe të ndezur nga mendjet e tyre? A duhet grusht?! E kush e di, kush e lexon, e kush e gjen, duhet një tjetër Migjen!(?) Me misionin për ta shoqëruar atë në të gjithë këtë shkresërimë, secilën në një këndëzim të vogël në këtë shkrim, ndërsa (zh)bëhet tërësia e ciklit, bëhet pjesa tjetër në jetë dhe thjesht lulëzon në krenari të përrallës. Përralla vazhdon pafund të shëtisë nëpër Botë si rrobat e Mbretit të Andersenit.
Ndërsa shoh një buzëqeshje të hedhur në fytyrën e saj (vetë Përrallës), vendosmëria për të vazhduar më tej ndriçon mbi flakë, dhe pandërprerë mposht trupin e tërësisë së personazheve në këtë skript që sheston mendjen për të thënë një të pakuptueshme..., tej shenjës së ndjenjës.
Kur gjurmët e shenjës intime fillojnë të veniten, pyetja se sa do të zgjasë, ndoshta është më e gabuara. Ajo tashmë dihet, derisa të mos ketë asgjë më shumë për të thënë, për të bërë, ose për të menduar. Edhe sikur kjo përrallë e ëndërrueshme, e pafund, e vazhdueshme nuk do të mbaronte kurrë, ose të rrënohej, kurrë nuk do të shtrembërohej e as nuk do të ndërpritej cikli:
Edhe nëse nuk duhet të vdesësh në ëndërr,
dikush është i detyruar të të zgjojë herët a vonë,
si një dorë e lodhur pa kujdes, përafërsisht, të shtron,
pyes lapsin se sa skripte mund të shkruaj,
para se të mbarojë nga boja e mendjes e këtij cikli… të (mes)jetës.
Cikli i mbetur dyerve të (mes)jetës?
Heshtje. Ndërsa gota bulëzon në vetvete. Heshta-dinakëri e zhurmshme terret në siparin e vetes, tek pas-Gushti. Pas-Gusht në mbrolim zërrash që trazojnë gotën e pafaj. Duke marrë zërin e mbrolur mësyva në zemër të saj. U gjenda për të parë zhurmën që bredh rreth e qark kësaj heshtjeje. Heshtja më shtriqej gjerë e gjatë dhe zhurmështriqej nga lart…, nga atje Lart mbi shtratin e një marrëveshjeje të gjatë. Mbi një krevat, aty ku sipas kronikanëve mesjetarë zërat ishin kthyer pa pikë turpi në kryekurvëtarë.
Dhe aty terra dritën krenare të shkëlqimit të mëngjesit për të ngrohur lëkurën intime të vetmuar. Nga lart …, gota ishte kryekëput lakuriqe, e përdalë, e njollosur nga atje Lart, dhe nga atje nuk vinin vetëm fjalë. Ishte e gjitha orgazmë. Të gjithë zhurmërat ishin në garë. Të gjithë ishin me mendjen vërdallë. Të padëgjuar dhe të padukshëm nga kushdo, vetëm për shkak të frikës, që sillet si vjeshta që ende na sjell Botës vërdallë, si rrumpallë.
Si Vjeshta? Si vargjet e rrebeshta në vjersha. Ajo po riparon sitën e saj. Atë sitë të shpuar sa nga mallkimet e Jugut, aq nga Shfryrjet e Veriut. E gatshme të riprodhojë retë e shiut. E gatshme që t'i trazojë në gotë. Fundja le të ndodhë. Le të ndodhë sipas shiut… Sipas Tjetrit, fundja fundit, ndoshta mund të lajë atë pluhur që la pas ikja e Gushtit. Dhe mëkatorëve heshtanakë po i del për hunde edhe pika e fundit të qumështit.
Vjeshta, po aq edhe shirrat për të bërë marrëzira në fakt, tashmë më duket se po synojnë të bëhen bashkë. Megjithatë, çmimi për marrëzi të tilla konsiderohet shumë i lartë. Ndërsa edhe Vjeshta po e përkund ende në djep besimin, për çfarë tjetër do të duhet të merakoset e nesërmja.
Nga malet.
Nga lart … nga atje Lart po i del edhe kësaj rradhe boja së vërtetës… Cikli i (mes)jetës?
Nga lart … nga atje Lart
Nga malet?
Nga majat?
Vjeshta e sapozbritur ia sheh më shumë kurrizin vetvetes. Po aq sa zvarritmës. E gatshme për t’u ngjitur përtej qiejve, lart … atje Lart? Një rrugë me yje. Një rrugë që i përket lakuriqësive. Një udhë që lidh skeletimin e trupave, qelqërimin e mbulesës së ajërt, deri në zvetënimin që u shpalos sot në retinën e syve. Një lidhje në errësirë të plotë. Një lidhje nën re e mbi re. Një lidhje për ata dhe jo për ne. Një imazh i një peizazhi të pajetë, memec, shurdhaplotë, … zverdhanak, dështak, spurlljak, i zbehtë. Ajri i hollë. Aq i hollë sa ia merr frymën, në heshtje tërë kësaj zallamahie. Pa mëshirë. Në këtë heshtje, Pemët përqafojnë buzë malit një pjesë të mëngëve të gjelbërta. Dhe shiu që po vjen të shprishë këtë heshtje domosdoshmërisht po i shqep zërrat e tepërta.
Gjithëesi ia rikthej „Gëzuar!“
Gezuar garën që s'ka zemër,
Pa arsye, pa moral, pa shpirt, pa skrupuj,
Por grumbuj gënjeshtrash, tonelata veprash, të gjitha të paturpshme dhe jashtëzakonisht të tmerrshme.
Gëzuar guximin e tyre për të ecur pa hezitim në turmë,
Të qëndrosh me hapa dhe të bisedosh me krenari,
Dhe vetëm në rast se sekretet e tyre zbulohen, për pranimin e tyre dinjitoz qartë dhe me zë të lartë.
Gëzuar rezultatin e tyre që rritet çdo ditë,
Për kënaqësitë e tyre, për argëtimin e tyre të dalë nga dëshpërimi,
Për kënaqësinë e tyre, për lumturinë e tyre, për aftësinë e tyre për t'u gëzuar sa herë që dikush qan me dhimbje dhe tmerr.
Gëzuar paturpësinë e tyre, lum për mëkatet e tyre,
Urime për mosrespektin e tyre ndaj qenieve njerëzore,
Gëzuar njerëzimin e zhdukur në shpirtrat e tyre,
Me mënyrën se si ndërgjegjja e tyre është zhvendosur në vrimën e zezë,
Dhe përshëndetje për aftësinë e tyre për t'i kthyer zemrat në gurë,
Për mendimet e tyre të neveritshme dhe për mënyrën se si ata nuk e shlyejnë kurrë,
Gëzuar rrugën, në këtë Botë, ata na e mbajnë,
Gëzuar ato përbindësha, gëzuar ato bishat, gëzuar përsëri ata demonët e pabesueshëm.
Dhe ai, Ai kolegu im buzëqesh. Qesh me të madhe. Nuk jemi në Mesjetë. Jemi në këtë vit të ndjeshëm, në këtë vit …
Dhe unë ia kthej, duke lotuar sytë. Vërtet? Vërtet i ke rënë pikës, po shoh diku dhe për ne një shkëndijëz.
Shkëndijëzat tona
Ku jeni? Kur do të ktheheni mes nesh? Pa Ju nuk do të jemi në gjendje të shkruajmë, nuk do të mundemi të bëjmë emisione televizive, të mbushim gazetat, të riprodhojmë anketat. Në pamundësi për të regjistruar thelbin në këtë mikro-ese, do të vazhdojmë të mbetemi në kthinën ku deheni, duke pritur që të ktheheni. Por duket se ju keni gjetur tashmë një anije të re. Duke lënë një të vjetër pas me nge. Ju lutemi kthehuni …, kthehuni të marrëveshur tek ne! Lapsi majëngritur mbi letër më zgjon, gati për „qitje“, dhe dëgjohen zhurmështriqje në kohë dhe në pakohë: Kthehuni se Përralla vazhdon të gulçoj: Bota flet lakuriq për Botën, sa herë që të dojë. Është, apo nuk është një grua në nevojë?
Comments