
ËNGJËJT E ISOPOLIFONISË
(II)
Ëngjëjt e Pilurit
Nga Timo Mërkuri
I-Efektet e tranzicionit të stërgjatur shqiptar dhe të lëvizjeve demografike të popullsisë nga fshati drejt qytetit apo drejt vendeve fqinjë, duken më së miri në fshatin Pilur dhe te grupi i tanishëm “Bejkë e bardhë” i tij. Në një panoramë të përgjithëshme të Pilurit dallojmë lehtazi efektet demografike të emigracionit. Piluri ishte një fshat me 680 banorë dhe 120 shtëpi në vitin 1990, sot ka vetëm 130 banorë, kryesisht të moshës së tretë Në virin 1990 kishte një shkollë me 165 nxënës, sot ka vetëm 8 nxënës dhe godina e shkollës është drejt shkatërimit fizik.
Në të njëqint e tridhjetë shtëpitë e Pilurit kënga isopolifonike(1) ishte pjesë e jetës familjare ku roli i saj nuk është vetëm objekt kënaqsie.. Kënga ngrohte dhe zbukuronte ambientin familjar, krijonte komoditet në pritjen e mikut dhe i afronte ngrohtësinë e shtëpisë për mos tu ndjerë i huaj, forconte lidhjet familjare, vëllazërinë, krijonte mjedisin e trasmetimit të këngës nga një brez te tjetri, mësonte dhe ambientonte fëmijët qysh në moshë të njomë me klimën isopolifonike si dhe procesin e krijimit të bejteve apo të teksteve të këngëve etj. Pra është shkolla e parë, madje një shkollë e përsosur tradite ku familjarët përsosin, nxënë dhe trasmetojnë elementë të artit gojor, stile e vijë melodike të këngës isopolifonike nga një brez te tjetri. Në qoftë se grupin e Pilurit rëndom e quanin Asambli Folklorik i Pilurit, vetë Piluri është tempulli i isopolifonisë shqiptare ku zjarri i këngës mbahej “detyrimisht” ndezur.
Braktisja e fshatit në tranzicion e fashiti këtë zjarr dhe erdhi një kohë që zjarri ishte vetëm te “prushi”nën hi. Isopolifonia u tkur nëpër logatje plakash të vetmuara, iso u
trasformua në mërmërimë pleqsh, kujtimi i zërit të hedhësve u prishte gjumin natën. Madje dhe të qarët e një foshnje ishte shndruar në një ëndër që kërkohej si një thesar i fshehur.
Ky ishte fshati ku… dikur kishte selinë “mbretëresha” isopolifoni…
II-Në qoftë se do nxitojmë të nxjerrim konkluzione bazuar në raportin e shifrave që cituam më lart, atëherë duhet të mendojmë se në Pilurin e pas viteve ’90 nuk do dëgjohej më këngë isopolifonike e jo më të pretendojmë për nivel artistik të saj. Kushdo që do mirte nismën për të ringritur grupin folklorik pas këtij “erozioni” do ti duhej të “kalonte nëpër shkretëtirë me këmbë”. Nuk kishte mundësi përzgjedhjeje të elementëve apo seleksionimi të njerëzve, ata që do t’i afroheshin do ishin me përvojë familjare në emigracion, pra më pak se një përvojë edukimi familjar në Pilur, nuk do kishte kohë të mjaftueshme për të bërë provat, nuk do kishte burime financiare për antarët, për kostumet e fëmijëve dhe shumë“nuk“të tjera. Do ishte nje stërmundim sizifi pa ja dalur në krye.
Konkluzioni duket llogjik, por ja që Kristo Çipa kishte ëndër të rindezte zjarrin zeusian(2) në tempullin e këngës pilurjote. Duhet t'a duash këngën më shumë se një pasion, duhet t'a duash si një ëndër jete. Të jetosh me një ëndër, ëndërra të bëhet forcë. Dhe me forcën e ëndrës së këngës isopolifonike Kristo Çipa “i hyri detit me këmbë” dhe “doli matanë(3)”
Në kushtet e një mungese totale të elementëve pilurjotë, në vitin 2003 Kristo Çipa organizon grupin e Bregdetit të Himarës, ku mblodhi këngëtarët himariotë dhe piluriotë, madje mori pjesë në dy festivale folklorike në Gjirokastër ndërsa në mars 2006 organizon në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë një koncert recital, me pjesmarjen e këngëtares Irini Qirjako dhe valltarit Rexhep Çeliku. Në vitin 2009 u paraqit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me këngën “Rinë e bregut behar moti” me marrëse Leni Mërkuri, ku realisht paraqitja e grupit nuk ishte në nivelin e dëshiruar. Arsyeja është se kënga piluriote ka distancë “natyre”, stili e melodie nga kënga himariote dhe është e pamundur bashkimi i dy varianteve të të kënduarit. Për të ekzistuar grupi në atë formë duhej të qëndronin te disa tipe këngësh gati “stereotipe” që s’kishin asgjë të re, të veçantë dhe të dëshiruar. Horizonti ishte i “vrënjtur”, por tejë “reve” Kristua shihte
dritë.
Synoi të ringrinte këngën pilurjote, ndaj në vitin 2014 ai u bën thirrje këngëtarëve që mund të vinin nga emigrimi, të bashkoheshin me ‘të dhe të rikrijon grupin e Pilurit. Thirrjes së tij ju përgjegjën këngëtarë të “vjetër” Leni Mërkuri dhe Ermioni Mërkuri si dhe këngëtarët e rinj: Zaharrulla Koka, Valentina Gërdhuqi, Polikseni Mërkuri, kthyesi Dhimitraq Bala. Në respekt të këngës së parë triumfuese pilurjote, grupin e emëruan “Bejka e Bardhë”.
Të punoje me grupin “Bejka e bardhë” ishte shumë e vështirë në këto kushte, dhe mqse për këto vështirësi kam folur në një shkrim tjetër, këtu po i përmënd sa për rikujtesë:
a-Numëri i pakët i banorëve (në 130 banorë nga 680 para vitit 1990) dhe sidomos numëri i pakët i nxënësve ( në tetë nxënës nga 165) kufizon mundësinë e seleksionimit dhe shtimit të radhëve me element të rinj.
b-Numëri i pjestarëve të grupit të ri përbëhet nga 8-9 veta nga 24 artistë që ishte Asambli pilurjot i djeshëm. Kjo bëri që iso të humbte atë forcën karakteristike të këngës pilurjote. Për pasojë edhe tonaliteti i marrësit nuk është më ai i pari sepse i mungon "pista" e fluturimit. Zëri i hedhësit duket si një rrufe që endet nëpër qiell krahasuar me një zë që ngrihej si rrufe nga grupi nga grupi i mëparshëm drejt Zotit, për t'i çuar këngën si lajm. Ndonëse kënga nuk e ka më atë madhështinë e pare, ajo ka rritur finesën dhe ëmbëlsinë mbi një tekst të arrirë artistikisht.
c)- grupi “Bejk e bardhë” nuk ka asnjë burim financimi dhe çdo gjë bëhet me burime të vetë antarëve ose ndihma të ndryshme, që gjithsesi janë të kufizuara.
ç)-Antarët e grupit nuk janë të qëndrueshëm në Pilur. Në raste festivalesh Ermioni dhe Piro Mërkuri vijnë që nga Selaniku ku janë emigrantë, Leni Mërkuri vjen që nga Risilia ku banon, Zaharulla Koka vjen nga Greqia etj. Kjo i ka detyruar të gjithë pjestarët e grupit të perfeksio-nohen në disa role njëherësh, si marrës, hedhës apo iso.
d-Grupi ka më pak istrumenta muzikorë në shoqërim të këngës për vetë lëvizjen e njerëzve për faktorë ekonomikë.
e-Grupi e ka tepër të kufizuar kohën e provave sepse kjo kohë varet nga të siguruarit leje nga punëdhënësit ku ata punojnë jashtë vendit. Koha maksimale e tyre për prova është pak ditë, ndërkohë që grupi i vjetër për një këngë bënte prova edhe gjashtë muaj. Kjo kohë e kufizuar kërkon një intensitet provash, vëmëndje dhe mendim ide për këngën në të gjitha anët etj. Kjo kërkon së pari që Kristo Çipa të ketë gati tekstin e këngës, vijën melodike të saj, lojën e istrumentave. Me një fjalë çdo gjë që i nevojitet grupit për të realizuar këngën.
III- Grupi i këngës dhe valles isopolifonike që u ngrit në vitin 2014 pati një prurje të re, që do rezultonte jo vetëm brilante por edhe shpëtimtare për fatet e grupit.
Viti 2014 ishte viti kur një grup familjesh pilurjoteu kthyen nga Greqia dhe bashkë me ta edhe fëmijët e tyre, shumica të lindur në emigracion. Këta fëmijë 10-11 vjeçarë pasionin për isopolifoninë dhe vallen tipike pilurjote e kishin shumë të madh, por përvojën e kishin në nivelet e përvojës familjare në kushtet e emigracionit. Në kushtet e emigracionit, në mënyrën e të kënduarit dhe të vallzuarit në familje, natyrshëm që diçka ishte shmangur në vijën melodike të këngës, diçka kishte ndryshuar në hedhjen e hapit në vallen pilurjote. Te këta të rinj duhej riparuar së pari kjo “shmangie” e vogël, por dihet që të riparosh është më vështirë se të ndërtosh nga e para.
Kristo Çipa fillimisht hezitoi ti përfshinte në aktivitetet e grupit për faktin se mund të humbiste shumë kohë dhe pa rezultat me këta fëmijë, por pas disa provave, duke parë shkëlqimin në sytë e tyre, u bind se “frika” e tij ishte e kotë. Ata fëmijë 10-11 vjeçarë për më pak se dhjetë ditë mësuan të kërcejnë vallen e papërsëritëshme pilurjote me këngën që e shoqëronte.
Grupi i valles ishte një grup fëmijësh-ëngjëj, veshur me fustanella dhe këmisha të bardha dhe me një brez të gjërë të kuq dhe quheshin: Mërkur Mërkuri, Petro Koka, Marko Goro, Niko Koka, Llambro Gjiçali, Valentino Bala, Demirel Skëndaj, Petro Prifti dhe M.Kolagji. Ndërsa këngëtare vajza ishin Eleni Prifti, Roza Koka dhe V. Gjiçali..
Ishte një mrekulli realizimi i valles së kënduar “Vallja jonë në ballkon mali” me këtë grup fëmijësh që vallzonin duke kënduar:
Nis moj valle ndizu flakë
Vetëtim në mal të lartë
Sup më sup e të gjithë bashkë
Mbledhur si ëngjëjt në pashkë
O moj vallja pilurjote
Moj e bukura në shoqe
Si zogjrë e borës na mblodhe
Si gjethet na rrotullove
O vallja me fustanellë
Valë deti e paprerë
Mbi gjunjët tanë je derdhë
Si retë e bardha në erë
Vallja jonë në ballkon mali
E fortë si duf tufani
Rrënjë e degë nga tabani
Amanet fëmijë ta mbani!
Unë ju ftoj ta shikoni këtë valle, ku fëmijët vallzojnë si ëngjëj me këngë në gojë, hedhin hapin “serbes” në stilin e saj. Fustanellat mbi gjunjë dhe mëngoret e bardha që hapeshin kur ata rrotulloheshin i bënin të dukeshin si pëllumbat e bardhë të Zeusit, që shpinin lajme në qiell e sillnin mesazhe të zotit në tokë. Pleqve dhe plakave të Pilurit u qeshi nuri dhe i përcillnin me urata fëmijët gjatë valles. U rikthye kënga dhe vallja në sheshin e Pilurit dhe këtë herë e prunë të bardhë fëmijët veshur si ëngjëj me të bardha. Suksesi qe befasues dhe ky sukses çoi vallen në Al Pazar dhe në studjon e Top Chanell në emisionin e mëngjezit. Ky sukses u dha krahë fëmijëve dhe u shtoi besimin se ata, jo vetëm që ishin bij këngëtarësh e valltarësh por edhe vetë u bënë këngëtarë dhe valltarë që do ta mbanë këngën isopolifonike dhe vallen pilurjote, pavarësisht nga kohët që vijnë e shkojnë.
Ndërkohë Kristo Çipa kishte pregatitur dhe një grup vajzash të përbërë nga Zoi Mërkuri, Eleni Prfiti, Roza Koka, Valentina Gjiçali që dolën në skenë me vallen e stilizuar pilurjote të vajzave, shoqëruar me këngën “Në ballkon kur ulet reja” me tekstin:
Në ballkon ku ulet reja
Mbyllur der e penxhereja
Ri e mërzitur foleja
I thot dallandyshes eja
I thot eja dallandyshes
Leri zogjt këtu të rriten
Me cicërima të ngjiren
Të thajnë lotët e gjyshes
Lotët e gjyshes t’i thajnë
Qiellin e gjer ta çajnë
Folet me zëra t’i mbajnë
Teksti i kësaj kënge të valles së vajzave në atë ditë të vitit 2014 mbushi me lotë mallëgjimi jo vetëm sytë e gjysheve të përmallura për të parë nipërit e mbesat, por të gjithë të pranishmëve të përmallur për këngët e bukura dhe të ndjeshme të Pilurit. Këngëtarja Eleni Prifti e lindur në emigracion (Kretë) në vitin 2001, aktualisht vazhdon studimet në Tiranë është një marrëse e nivelit të lartë me një interpretim plot freski rinore.
Ajo e kaloi stadin e provës dhe hyri me dinjitet në grupin “Bejka e bardhë” ku kënga e
parë që këndoi me grupin e të rriturve të përbërë nga: Kristo Çipa, Dhimitraq Bala, Petraq Gerdhuqi, Valentina Gerdhuqi, Polikseni Merkuri ishte kënga “Nazevalia Tatianë” të cilës i “dha” zë dhe ritmin e duhur. Të kësaj këngë janë vargjet:
Kush e ndez shpirtin moj Tanë
nazevalia Tatianë
me këmb shkon detin me valë
nazevalia Tatianë
që kur u puthëm su ndamë
…këngë, që kur këndohen nga grupi në shesh të Pilurit, shoqërohet me valle nga dëgjuesit. E kishim fjalën te paraqitja e fëmijëve 10-11 vjeçarë në skenën pilurjote të vitit 2014, ku veç valles së djemve dhe asaj të vajzave të shoqëruara me këngë, pjestarët e dy grupimeve u bashkuan në grupin miks dhe kënduan këngën për Petro Markon apo “Këngën e amanetit”.
Shkuan vitet dhe fëmijët 11 vjeçarë e 2014 sot ndjekin shkolla të larta, por ata kanë marë me vete një pasuri të madhe, pasurinë e isopolifonisë, krenarinë e të qënit këngëtar dhe valltar dhe qysh në moshë të njomë u bënë të vlefshëm për atdheun.
Ndërkohë Kristo Çipa kishte mësuar që për këngën isopolifonike fëmijët nuk duhen parë si “fëmijë”, por duhen parë dhe vlerësuar si “ëngjëj” shpëtimtarë.
Si një ëngjëll erdhi në Himarë nga fshatrat e Lumit të Vlorës familja e Shejla Rrapaj, një vajzë që sot është vetëm 12 vjeçe, por që ka një vokal fantastik dhe premton për të ardhmen. I pëlqen isopolifonia, madje dhe kënga e kultivuar. Nuk ka përvojë isopolifonike në jetën e saj, por ka një dashuri, ekspresivitet dhe passion në të mësuarit dhe kënduarit këngë pilurjote, aq sa nuk dallohet nga shoqet e saj pilurjote të grupit Ranja Kongjini, Dhana Prifti, Jorgjia Kreku, Poli Koka, Artemisi Mërkuri dhe Najla Llakaj, por prin në këngë si marrëse. Ky grup në festivalin e vitit 2021 realizuan ritin “Martesa e zjarrit” duke e zbukuruar skenën dhe mbrëmjen me fantazinë dhe ëndrat fëminore me tekstin:
Martesa e zjarrit
Zunë e vijnë yjet e natës
Mblidhuni ëngjejt e darkës
Tek rrapi në mes të qafës
Të martojmë zjarrin e vatrës
Zjarr e prush i vatrës sonë
Ngrohna ti shpirtin e njomë
Nga Bunai në Vanovë
Lëmënjtë me grurë buromë
O zjarri që ndezur ri
Herë me flakë e herë nën hi
Nga Kalbaqi në Vërri
Mbush vëndin me dhën e dhi
Një dorë në derë trokiti
Me dhurata po vjen viti
Vatrën tonë që na riti
Me degë ulliri stolisni
Ky konaku ynë si zgjua
Plot me zëra u gëzua
Zjarr i vatrës u martua
Syri i natës u verbua
Gëzuar!
Tepër fëminore bota e kësaj kënge por pruri në skenë harenë fëminore të saj, dhe entusizmoi fëmijët që të realizonin në nivel të lartë edhe këngën e re “Këngën time shqip këndofsha” me marrëse Shejla Rrapaj, këngë që në fakt ishte edhe kënga e estivalit të dytë “Bejka e bardhë”
Kur po luaja me ëndra
Nga gjumi më zgjoi kënga
E këndonin disa zëra
Dielli yjet dhe hëna
Këngës ja kish marrë rrapi
Këtu qeshte festivali
Nëna ime zemër forta
Ma pëshpëriti te koka
Oh sa shumë e deshi toka
Sikur me këngë u zu bota
Në gëzime dhe ngado që shkofsha
Këngën time shqip unë e kënfogsha
Kështu u rritën në skenë fëmijët pilurjotë dhe u bënë artistë. Kristo Çipa shprehet se: në grupin
që këndoi aktualisjt në festivalin e isopolifonisë në Pilur, të gjitha vajzat janë të talentuara dhe shpresoj që një pjesë të mirë të tyre të jenë marrëse të grupit te ardhshëm të Pilurit.
Në Pilur, fëmijëve u erdhi radha para kohe të bëhen ëngjej të isopolifonisë. Ata shumë shpejt e mësuan atë dhe sot e kanë një pasuri të paçmuar në jetën e tyre. Ata kanë nevojë të rriten bashkë me këngën, si për tu pasuruar shpirtërisht me botën isopolifonike ashtu edhe për tu bërë artistë të arteve gojore kur të rriten. Ideja e artikuluar nga Kristo Çipa për futjen në shkollat 9 vjeçare të mësimit të këngës besoj se do rezultojë si zgjidhja më e drejtë dhe e përherëshme për vazhdimësinëë e isopolifonisë.
Mos i shikoni fëmijët si “fëmijë” ata janë ëngjëj jo vetëm për prindërit, por edhe për artin gojor shqiptar, sot edhe nesër.
Sarandë, më shtator 2021
1)- Në disa komente të pjesës së parë të këtij shkrimi, u shtrua teza se termi isopolifoni u përdor vetëm pas 25 Nëntorit 2005. Realisht termi isopolifoni e kishte fituar të drejtën e qytetarisë në Shqipëri qysh në vitin 1999 me botimin e Folklorit Muzikor, Polifonia shqiptare, pjesa I,,miratuar nga Akademia e Shkencave, botuar te Shtëpia botuese e librit universitar Tiranë 1999 ku në Kreun III dhe Kreu IV analizohet isopolifonia labe, isopolifonia toske etj. në fq 54 dhe fq 66.
Në fakt për këtë problem është shprehur qysh më herët edhe Ramadan Sokoli kur thotë: “…atje ku flitet gegënishtja kemi muzikë homofonike, kurse përposhtë këtij lumi (Shkumbini), atje ku ndihet rotacizmi i bashkëtingëllores n në r ose diftongu ua e tjera veçori fonetike të toskënishtes, atje ndihet” dhe isoja se bashku me veçoritë e tjera polifonike. . Shih Sokoli Ramadan, “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965, fq.127. Me mirë se kaq nuk mund ta thoshte në vitin 1965. Unë nuk mar përsipër të interpretoj profesorin e nderuar, babain e etnomuzikologjisë shqiptare por mendoj s’kishte se si ta thoshte më mirë, pra iso dhe veçoritë e tjera polifonike, e thënë ndryshe, polifoni me iso . E rëndësishme është që ai ishte i ndërgjegjshëm që polifonia ekzistonte si marrëdhënie mes zërave polifonikë dhe isos si kor, pra iso në një anë dhe polifonia nga ana tjetër ku bashkimi i tyre jep atë që e quajmë polifonia me iso, polifonia shqiptare ose isopolifonia.
2)- Sipas legjendës, Zeusi duke ndjekur Herën, i lodhur u ul te lisat e Pilurit (aty ku është kisha e Shën Kollit) dhe nisi të rrënkojë nga një dhimbje që ju formua në gjoks Pastaj filloi të këngëzojë fjalë dhimbjeje e dashurie. Gjëthet e lisave nisën të fëshfërijnë duke krijuar kështu një grup iso. Hera u magjeps, ndaloi rendjen nëpër re dhe u afrua të dëgjojë fjalët e kryezotit dhe mqse i pëlqyen, ja ktheu me këngë, duke u bërë kështu kthyesja e parë në isopolifoni. Sigurisht që kjo është një legjendë e trashëguar brez pas brezi që flet për kohën kur selia e Zeusit “ishte” në majën e Çikës, para se të vendoste në Dodonë, por ne dëshirojmë ta mendojmë si të vërtetë. Prandaj ne themi se kënga pilurjote e ka origjinën nga perënditë.
3)-Ndoshta kjo shprehje pilurjote e ka burimin te Moisiu kur udhëhoqi hebrejtë përmes detit që u hap.
Comments