ËNDRRA, SHPRESA DHE DËSHIRA


Vullnet Mato

ËNDRRA, SHPRESA DHE DËSHIRA

Synimet që mbajnë njeriun gjallë,

shpesh me qëllime të paarrira,

për të cilat derdh energji të rrallë,

janë ëndrra, shpresa dhe dëshira.

Kam dëshirë e më pëlqen shumë,

të jem sqep i një zogu këngëtar,

të jem vala që vrapon nëpër lumë,

të jem rrëkeja që shket nëpër bar.

Kam dëshirë e nostalgji të vjetër,

të jem flutur që rend mbi lulishte,

të jem ketër, në një pyll të gjelbër,

të jem gjinkallë degësh në ahishte.

Kam dëshirë e më rrëmben malli,

të jem bri dreri, që josh sorkadhet, 

të jem përrua, që gurgullon te zalli,

të jem puthja diellore që zgjon malet.

Kam dëshirë, të ëndërruar në vegime,

të jem re shiu, mes vapës përvëluese,

Të jem thëngjill zjarri në vatrat jetime,

Të jem pikë loti, në qerpikun e nuseve,

Kam dëshirë e shpesh herë imagjinoj,

të jem gjethe te shushurima e plepit,

të jem syri sogjetar, te një shqiponjë,

të jem dallgë krenare, përsipër detit.

Kam dëshirë e shpresoj gati si i marrë,

të jem bajrak kuqezi i shqipo emigrimit,

të jem pikë gjaku për vëllamin kosovar,

të jem gërshëra që pret shiritin e bashkimit.

23 views

Shkrimet e fundit