top of page

Ëndrra që zgjohen e treten tek piktura


Ëndrra që zgjohen e treten tek piktura

Historia e strukur e pikturës së të papërsëritshmit Nexhmedin Zajmi


Prof Dr Fatmir Terziu



Në vitin 1932 në shkollën teknike të Tiranës së asaj kohe, edhe pse ishte në degën bujqësore, Nexhmedin Zajmi, realizon një portret të një shoku të klasës së tij. Portreti si fillim nisi thjesht nga pasioni. Pasioni që ushqehej nga talenti brenda tij. E kështu, të treja bashkë, padashje zbuluan një histori që pikëtakonte fillesën e një jetë të re për piktorin e ardhshëm shqiptar… Portreti u bë me dëshirat dhe dashurinë e padukshme të Zajmit. Më tej duhet shpjeguar, se as vetë Zajmi, dhe as vetë personi, që ishte në atë portret nuk e kishin menduar se një ditë do të bëheshin pikërisht protagonistët e një memorjeje të gjatë në vite, në kohë, e mjaft të rrëndësishme për ta mësuar edhe sot.

Pavarësisht gjendjes së tij shpirtërore të lënduar që në fëmijëri, kur Nexhmedin Zajmit i kishte ndërruar jetë babai i tij në fshatin Trebisht të Gollobordës, që kur ai ishte vetëm 6 muajsh dhe kur ai ishte vetëm dhjetë vjeç i ndërroi jetë edhe e ëma nga një sëmundje e rrëndë, ai kishte gjetur ngrohtësinë egjyshes së tij që ta mbante aq afër sa të mos e ndjente këtë dhimbje të madhe. Madje në një ditë të shënuar, ndoshta do t'i tregonte gjyshja e tij e dashur, duke e përkëdhelur si gjithnjë se kishte parë një ëndërr, ku ai po pikturonte Zotin, dhe gjithë Hyjnoren që sillej rreth tij. Gjyshja, sipas rrëfimeve të kushërit të babait tim, Rrustem Terziu, që e kishte shumë të afër Zajmin, dhe që të dy kishin pothuajse fatin e njëjtë afërsisht të fëmijës jetim, i kishte treguar se në ëndërr ishte shtuar, se ai duhet të shkojë të vazhdoj një shkollë për piktura. Në një mëngjes Gjyshja e thërret dhe i tregon ëndrrën. Por i shprehet: „Dëgjo bir, do të bëj çmos të bëj realitet këtë ëndërr, por dua që të më bësh pastaj ti një portret të bukur!' Djaloshi, Zajmi, vetëm kishte tundur kokën dhe kishte buzëqeshur…


Imagjinojeni situatën e atëhershme. Po, jo më tej dhe fatin e një jetimi, që rritej nga duart e gjyshes. Sidoqoftë ëndrrat e asaj kohe ndoshta besoheshin më shumë, dhe gjyshes së tij, i ishte bërë fiksim, aq sa të thoshte: „Mos më jepni bukë, nuk dua asgjë, kurseni ato para që Nexhmedini të realizojë ëndrrën që pashë për të!“ Kaq ishte dashur. Dhe ëndrra, po edhe këmbëngulja e gjyshes së tij bënë që të kthehej në një bast. Basti ishte me disa të tjerë, familjarë dhe të afërm, por dhe me vetë gjyshen, që në këtë bast kishte hedhur dy monedhat prej floriri, që ia kishin dhënë kur ishte martuar. I kishte hequr nga gjoksi i saj ku vareshin për vite me radhë dhe kështu ajo fitoi bastin, dhe pothuajse realizoi edhe ëndrrën.

Ëndrra si fillim e ktheu nga rruga e studimeve bujqësore në degën e dekoracionit, ku studionin piktorët Andrea Mano, Ibrahim Kodra, Gaqo Kollumbi, Qamil Grezda, Kel Kodheli, Sabri Tuçi. Më pas ëndrra e gjyshes shkon më tej kur ai regjistrohet në shkollën e vizatimit në Tiranë, më 1938.

Nexhmedin Zajmi, në një ditë të bukur u nis për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Dhe kështu periudha kur fashzmi kishte mësyrë britalisht në Shqipëri duke e pushtuar vendlindjen e tij, Nexhmedin Zajmi ishte student i i mjeshtrit Carlo Siviero. Që nga viti 1939-1944, Zajmi realizon disa tablo që janë edhe veprat e para të tij, ku mund të veçohen ajo e “Punëtorit të vogël”, “Pamje nga fusha e Romës”, “Brendija”. Pasi kryen studimet dhe mbrojtjen e diplomës, Zajmi kthehet në Shqipëri e bashkë me një grup piktorësh e artistësh që u diplomuan në akademitë jashtë vendit, janë mësuesit e parë të brezit më të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë. Kur artisti i ri u kthye në Atdhe më 1944 emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë (1945) dhe një vit më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Në vitin 1955, ai punon si Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe më pas rikthehet në Liceun Artistik si pedagog, ku jep mësim deri në vitin 1963. Po në këtë vit emërohet pedagog në atelienë e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (ish-I.L.A), ku punoi deri në vitin 1969.



Veprimtaria artistike e piktorit Nexhmedin Zajmi është e gjerë dhe e larmishme. Ai nga viti 1945 ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të hapura në Tiranë. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës edhe në ekspozita e konkurime ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si Bienalet e Aleksandrisë, të Bukureshtit, në Sofje, në Vjenë, Petërburg, Kroaci, etj.

Ai ka realizuar tablo me temë historike, peisazhe dhe portrete. Zajmi është një ndër përfaqësuesit më kryesorë të pikturës së asaj kohe në Shqipëri. Arti i Zajmit shquhet në veçanti për ngjyra, pikturat e tij kanë forcë të madhe e të thellë në aspektin psikologjik, dhe shumë përfshirëse në tipa e karaktere. Për krijimin e veprave me cilësi të lartë artistike e historike, për kontributin e madh në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë e në zhvillimin e arteve figurative në Shqipëri, piktori Nexhmedin Zajmi është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Merituar” dhe “Artist i Popullit. Ai është gjithashtu fitues i “ Çmimit të Republikës” dhe është dekoruar me mjaft urdhëra të tjerë.

Nexhmedin Zajmi është nderuar me disa çmime në konkurset e ndryshme Kombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe është laureant i disa çmimeve të Republikës. Në vitin 1961 i jepet titulli “Piktor i Popullit”. Në aktivitetin artistik rreth 40 -vjeçar, piktori Nexhmedin Zajmi është pjesëmarrës në 27 ekspozita kombëtare. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen 72 vepra të piktorit Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve ’40 në Itali.

Kushëriri im më pati treguar se pasi ai u kthey në Atdhe, familjarë e të afërm organizuan një drekë festive në Tiranë. Pas shumë të qeshurash dhe këngësh, Nexhmedin Zajmi, ngriti një dolli për gjyshen e tij të dashur dhe tha: “Tani, gjyshja ime e dashur, është radha ime për të treguar se e kam mbajtur ëndrrën tënde në zemër Mund të të them se jam tashmë në gjendje që të realizoj atë kërkesë për ty”.

Të gjithë iu drejtuan me sy e më vëmendje Gjyshes së Nexhmedinit, që për të sikurse dihej kishte qenë nënë e kaluar nënës. Lotët që rridhnin në fytyrën e saj të zbehtë, flisnin shumë, sa nga lodhja, aq dhe nga sëmundja. Ai qau bashkë me të. Duke fshirë lotët në sytë e tij, Gjyshja pa fytyrat e më të dashurve të saj rreth tavolinës dhe mërmëriti butësisht: „Tashmë më lërë të udhëtoj e qetë. E di që do të mërzitesh, do të vuash më shumë nga të gjithë, por dije se …”.

Që atëherë kanë kaluar mjaft vite. Nexhmedin Zajmi udhëtoi gjatë nëpër Atdhe. Kërkoi mjaft gjyshe që të ngjanin sadopak me të, me nënën, dashurinë e zemrës së tij fëminore, me gjyshen e tij të bukur e të mençur për të rikthyer ëndrrën e gjatë e të madhërishme që e bëri atë piktor. E kështu në vitin 1955-të ai realizoi pikturën „Grua nga Dardha“ (Nexhmedin Zajmi, 1955). Askush nuk mund të thoshte më tashmë, nga ata që e dinin dhe e mbanin të strukur thellë në memorje, se rrjedha ishte pikërisht plotësimi i një ëndrre. Sikurse shihet dhe dihet tek ajo krijesë madhështore, natyrshëm duart mbeten tek shtiza që punon ndoshta ëndrrën që ka nëna tek fëmija, por dhe sytë që qasin mjeshtërisht se aty janë edhe nëna, edhe gjyshja, pra të dyja. Nexhmedin Zajmi, ai artist i Madh, ai talent me mjaft enigma të brendshme, kurë nuk foli për këtë në publik.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page