ËNDËRR E MAHNITSHME


Vllnet Mato

Vullnet Mato


Në një gjumë të thellë, shoqëruar me vegime,

pashë ëndrrën më të mahnitshme të jetës sime.

Kryetarët e shteteve nga e gjithë bota mbarë,

u mblodhën urgjent, në kongres ndërkombëtar.


Me ultimatum nga një fuqi madhore planetare,

të vendosnin kudo në glob paqen përfundimtare.

Pas debatesh se kush detyrën mund ta zbatonte,

së fundi vendosën emrin tim për President bote...


Kur më dërguan emërimin, më tronditës se tërmet,

zemra më ngriu dhe qimet m’u ngritën përpjetë.

Unë një copë kalemxhi, në lagje romësh strehuar,

të bëhesha i pari i botës, me miliarda të shkalluar?!...


S’i të pranoja peshën e rëndë të globit mbi supe,

të më flaknin agresorët me ndonjë raketë tutje?...

Por avioni presidencial, dërguar nga vetë Trampi

më priste te oborri me bajga e qeska plastmasi.


Në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara u prita,

sikur të isha ufo i largësive qiellore me galaktika.

Dhe sapo komandën supreme mora me brohori,

kërkova urgjent zonjën time të ma sillnin përbri.


Pastaj me skeptrin e presidentit të botës në dorë,

dhashë urdhër presidentëve të tjerë inferiorë:

luftënxitësve t’ua futnin këmbët në një këpucë,

të fshinin përgjithmonë nga truri fjalën “luftë”.


Vura në lëvizje të rreptë, për njëzetekatër orë,

të ngarkohej mbi mjete gjithë armatimi tokësor.

Në të tëra portet zbarkoi çdo fishek e raketë,

dhe i varrosa të gjitha në fund të Oqeanit të Qetë.


Ushtarakët i zhvesha dhe uniformat i civilizova,

dhashë detyra të riformatohej në veprime bota.

Uzinat që kishin pasur vdekjen e njeriut në linjë,

të prodhonin ilaçe e lodra elektronike për fëmijë.


Dollarët, Eurot, Rublat, Jenët e fondeve ushtarake,

ua dhashë kudo nënave dhe strehëve varfanjake.

Sapo i bëra një për një e me saktësi këto punë,

gruaja më shkundi fort siç isha ende në gjumë:


Ore njeri qejfi, që s’çan kokën për halle shtëpie,

çohu të blesh pakon me kus-kus e ca djathë dhie,

se s’kam fjetur as pesë minuta dhe të lë pa ngrënë,

të hash atë që ma tunde me qejf të madh mbrëmë!...


#vullnet #mato

12 views

Shkrimet e fundit