Çnatyrëzimi


Fatmir Terziu


Nga kornizat e së shkuarës shohim njeriun. Brenda njeriut lexojmë kohërat e tij. Jashtë kohërave dhe kornizave perceptojmë natyrën…, dhe tek natyra na mësyn pyetja.

Pyetja në lidhje me lidhjen e Njeriut me Natyrën: çfarë bëjnë njerëzit në këtë lidhje, si lidhet kjo me natyrën dhe njeriun? Në disa raste shkon tek shkrepja digjitale e fotografisë, qasja e saj në rrjetet sociale dhe natyrisht pos saj dhe tek forma fiktive, kreative, apo koment-vizive. Por të gjithë e dimë se kjo lidhje nuk duhet të paraqitet si një përgjithësim abstrakt.

Rastësisht lidhja “njeriu me natyrën” ose “natyra me njeriun” e ka zanafillën në kohën kur Njeriu lindi dhe u ushqye me të “organikikisht” kur ai nuk e kishte atë vetëm një arsye jete. Kohët e fundit, pararendësi i saj, termi “Njeriu me natyrën”, tregon privilegjin e një stili të jetës së ridimensionuar, të ripërshtatur, kështu që diçka cilësisht e ndryshme dhe shumë më e mbarë, se ajo ka hyrë në këtë derivat, ngadalë e përditë, jo vetëm si mesazh për kornizën, apo dhe për fotografitë. Dhe kjo tregon një ndryshim specifik. Një të tillë, sepse e ndërlidh atë me të gjithë strukturën semantike të kohës, një koncepti filozofik, i cili nuk është as i njeriut, as i vetë natyrës, i cili është i ngarkuar nga ekzistenca, dhe që për më tepër mund të përcaktohet si heteronom i një jete që i ka borxh vetë jetës, vetë ekzistencës në pasqyrim e thelbit të saj logjik. “Njeriu me natyrën”, duhet sqaruar se tashmë priret dhe pritet në analizën filozofike duke anuar në të kundërtën e kësaj lidhjeje historike. Në të vërtetë, ai, pra Njeriu, duke u nisur nga ekzistenca e gjatë, nga bashkejetesa me natyrën, ka shkuar tek marrëdhënia kundërshtare, në të cilën qëndron, krijon dhe mediton, fikson dhe pozon me karakteristika të caktuara thelbësore, duke e “mburur” veten në planin e parë të shkrepjes fotografike në celular apo dhe në të tjera moda.

Ku mbeti natyra? Ku shkoi plani i saj parësor? Për më tepër, dhe shumë më e rëndësishmja, kjo lidhje jetike varet nga tërësia e kushteve shoqërore, e cila vazhdon t’i mbajë njerëzit nën magjinë e saj retorike, euforike, antagoniste me vetë synimin e Njeriut që nga lindja. As në punën e tyre dhe as në vetëdijen e tyre njerëzit nuk disponojnë kuptimin e duhur, atë që është kuptimi dhe ekzistenca e vërtetë e lidhjes dhe natyrës mbi veten e tyre. Edhe ato teori pajtuese që përdorin termin “evolucion” si çelës i prishjes së ekuilibrave erozivë dhe mentalë e njohin këtë fakt, aq sa vetë termi vetë, i huazuar nga domeni i lojës me natyrën, sugjeron që ekzistenca e shkrepur te njerëzit nga shoqëria nuk është identike as me njerëzit pasi ata nuk janë në vetvete as me gjithçka që mund të ishin në këtë shkrepje fotografike, duke anashkaluar, ose nënvleftësuar natyrën. Sigurisht që kjo nuk duhet të përpiqet të bëjë një dallim të thjeshtë midis njerëzve ashtu siç janë në vetvete dhe rolet e tyre të ashtuquajtura shoqërore. Natyra është vetë ekzistenca. Atëherë pse duhen prishur ekulibrat? Pse duhen bërë betonizimet në hapësirën e natyrës që përcaton ekzistencën, jetën, prodhimin, bukën e vetë normën e jetës? Pse ndodh çnatyrëzimi?

Kjo dukuri filozofike e protokollit jetik të ekzistencës tashmë është deformuar jashtëzakonisht në ditët dhe epokën tonë. Dhe ky deformim duhet të kuptohet se nëse vazhdon si i tillë më tej, për shkak të kopjeve me “zhvillimin” dhe “qytetërimin” modern, po aq pos shpikjeve në fushën e automatizmit dhe fuqisë automatike, robotike, të cilat ende nuk janë askund si të shfrytëzuara plotësisht, natyrisht në vende të vogla, sikurse është Shqipëria, do të tregojnë se alarmi i ekzistencës nuk është më efikas. Nëse dikush do të provonte dhe t’i përgjigjej pyetjeve pa paragjykime ideologjike, nuk mund të shmanget dyshimi se “Njeriu me natyrën” po priret drejt së kundërtës vetvetiu dhe po bëhet një parodi e vetvetes. Kështu që pabindja gradualisht po anekson “Njeriun me natyrën”, edhe shumica e njerëzve nuk janë aq të vetëdijshëm për këtë proces sa janë vetë protagonistë të mosmarrëveshjes. Ata janë pasoja e vetë çnatyrëzimit.

30 views1 comment

Shkrimet e fundit