top of page

ÇMIMI


ILIRIANA SULKUQI


ÇMIMI


Ishim atje, në qytetin që, njëherë e një kohë, ia kishim zili gjithçka: Rrugët dhe ulicat e pastra e të lagura, a thua vesa e gjithë hapësirës qiellore binte natë e ditë veç atje; mollët starking e dardhat që, me një të kafshuar, të mbushnin gojën gjithë lëng; birrën, konjakun dhe glikotë, petanikun dhe turshitë, siodomos, piperkat e mbushura me gjizë….Ca më shumë, vajzat e bukura e të guximshme që shetisnin në bulevard “pa lejen e mamasë”. Ishim atje, ku njerëzia këndonte serenata (të kish mundësi edhe në raste vdekjesh do ta vazhdonin ritin e tyre magjik). Pra -atje, ku dashuria ndjehej, këndohej dhe bëhej. Madje atje kam fshehur puthjen time të parë, në cepin e një kishe të vjetër dhe shumë të dëgjuar, nga më të mëdhatë, por që në kohën time, ishte kthyer në një depo grumbullimi…

Ishin ditët poetike ballkanike, që sofrën e magjisë së poezisë e kishin shtruar pikërisht në qytetin e dashurive.

Rigonte shi…

Për dreq, nuk hyja në valë me nënën time. E kisha lënë sëmurë. Ah, këta celularët!…Ku ta dija, se pikërisht atë ditë AMC-ja kishte ndërruar prefiksin e saj.

Me ec-e-jaket nëpër verandën e hotelit, formoja papushim numurin…Dëgjoheshin tinguj muzike ngjizur me vargje. Veprimtaria ishte në kulmin e saj. Doemos , nata e fundit, ndaheshin çmimet.

“O Zot, nëna ime nuk do të flerë sonte nga meraku…” Futa dorën instiktivisht në xhepin e pantallonave, si për t’u mbajtur te vetja ime. U kujtova që isha akoma me xhinse. Eh, punë e madhe, vetëm të flas në telefon! Ndeza një cigare dhe nxirrja tymin duke ngritur fytyrën lart. Asnjëherë nuk më kishte përkëdhelur aq mrekullisht shiu…

-Ç’bën këtu, eja shpejt brenda! Të doli emri…

As rrufeja nuk do të më kishte goditur aq shpejt, sa fjalët e shokut tim poet…

E hutuar (ç’them), krejt e shushatur, si një pulë që ka harruar kotecin e saj dhe budallçka, nuk di të gjejë as strehëz për t’u mbrojtur nga shiu, hyj në sallë. Dridhesha e tëra. Nuk e di përse. Vetëm nga shiu i imët dhe i butë, jam e sigurt që jo.(Kur ke dalë nga deti i shkumëzuar ç’do të të bëjë më tepër shiu?…)

Duke harruar pamjen time të jashtme ( ku të gjithë , si vetë poezia, shkëlqenin edhe në metaforën e veshjes…), sipas shenjave që më bëjnë, shkoj në krye të sallës…(Nuk kanë faj nganjëherë që ne poetëve na bëjnë të çmendur…).

-Urime për çmimin…Keni gjë për të thënë…?

Salla poetike apo e poetëve, brenda sekondës m’u rrotullua si Toka rreth Diellit, ose si unë rreth nënës sime…

Recitova aty për aty një poezi të shkurtër, fare të shkurtër, sa një belbëzim,si vetë jeta, sa vetë sekondat e befasisë…

Përsëri jashtë…Përsëri pak shi…Përsëri nuk u lidha me nënën…

Diploma e çmimit, për krijimtarinë më të bukur për dashurinë, dridhej nëpër duar, si gjethëzë e njomë pranvere…

Brenda, të gjithë kishin filluar të këndonin një nga serenatat më të bukura…”Ilaçet nuk më bëjnë gjë,/ s’më shërojnë plagët-ë…”



43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page