Kopi Kyçyku
Suksesi i një interviste është i garantuar vetëm në rast se marrësi e dhënësi i saj përgatiten seriozisht. Duhet menduar edhe kjo: kur intervistuesi, - për të bërë sensacion ngaqë i ka hyrë vetja në qejf, - orvatet që, me pyetjet e tij, ta verë të intervistuarin në vështirësi, po qe se do të bindet që ky i fundit është tepër i zoti, duhet të kënaqet dhe do të thotë me vete: “Ky qënka i pamposhtur, nuk ditka të zmbrapset, përderisa njeh gjithçka me themel”.
Sepse, në fund të fundit, roli i intervistuesit është të ngjizë një dialog domethënës dhe të pranueshëm nga lexuesi, shikuesi apo dëgjuesi. Pyetjet duhet të jenë të shkurtra, të qarta dhe me brumë. Ato nënkuptojnë faktin që intervistuesi duhet të dijë sa më shumë gjëra për të intervistuarin, por edhe për objektin e temës që do të shtjellohet. Kjo e fundit është thelbësore sepse i intervistuari, kur është vërtet specialist i mirëfilltë, është në gjendje të flasë me orë të tëra për të. Por pyetjet duhet të jenë të tilla që përgjigjet të mos e kalojnë cakun e minutazhit të emisionit apo të faqeve të organit të shtypit. Sot është zor të gjesh një gazetë, revistë apo stacion radioteleviziv që nuk praktikon intervistat. Këto ndiqen me kurreshtje ngaqë njeriu sikur qënka lindur dhe jeton nën zodiakun e pyetjes. Por jo të gjitha pëlqehen, sidomos atëhere kur nuk thonë ndonjë gjë për të qënë ose shkaktojnë mërzitje. E rëndësishme është edhe njohja dhe përfillja e temperamentit të të intervistuarit, çka ndihmon në skicimin e portretit të tij psikik: nëse është komunikues apo i vrazhdë; nëse i nxjerr fjalët si me darë apo është i prirur të shesë mend; entusiazt apo moskokëçarës dhe e bën punën sa për të shkuar radhën etj.
Një intervistë që shpalos vetëm të dhëna, që nuk mbartin ballafaqim idesh e opinionesh, që zhvillohet duke miratuar me tundje koke, pa bërë asnjë kundërshtim, vetëm me falenderime, nuk ngjall interes.
Pyetjet më të rekomanduara janë të drejtpërdrejtat, ato që Frank Candin i quan “pyetje që të çojnë direkt drejt përgjigjes së kërkuar”. Pyetjet e përgjithshme, si: “Ç’mendoni për...”, “Ç’mund të na thoni rreth...”, “Ç’të reja ka në...”, “Çfarë keni për të shtuar...”, janë të papërshtatshme” dhe ka të ngjarë të pasohen nga përgjigje njërrokshe, si: “po” dhe “jo”. Pra cilësia e përgjigjeve varet nga pyetjet, nga aftësia e gazetarit për ta udhuar, orientuar dhe nxitur debatin. Vetëkuptohet që takti, durimi, maturia, japin ndihmesë që bashkëbiseduesi të krijojë besim e të shprehet pa rezerva e në mënyrë spontane.
Chilton R. Bush thotë se shumë prej nesh kanë lexuar ose dëgjuar për personalitete të fushave të ndryshme dhe do të gëzoheshin po të kuvendonin me ta, t’i njihnin nga afër bashkë me mendimet që kanë për gjithçka që na rrethon. Intervista duhet të synojë ta përmbushë këtë dëshirë të lexuesit, të shikuesit apo të dëgjuesit. Aq më tepër që roli i gazetarit nuk është të tregojë meritat vetjake, por ato të të intervistuarit.
Fill pasi lexon librin e Shpendi Hulësi Topollajt “Çlirova shpirtin - intervistat e mia” (Shtëpia Botuese “2 M”, 2021), kupton se të gjithë gazetarët që kanë kuvenduar me të, e kanë pasur tepër të lehtë të çlirohen nga emocionet përderisa i ftuari i tyre, me rrjedhshmërinë e koherencën, me çiltërsinë e sidomos me modestinë, u krijon bindjen se janë pranë një njeriu të afërt, të matur e zemërgjerë. Ja si shprehet Shpendi qysh në Parathënie të librit: “Intervistën nuk e kam parë thjesht si një marrëdhënie midis një gazetari që pyet dhe një krijuesi që përgjigjet, me synimin që biseda mes tyre të botohet diku apo të transmetohet për publikun. Sa herë më kanë thirrur, si ata të shtypit, ashtu edhe në emisionet televizive apo radiofonike, nuk kam ngurruar për të shkuar. E kam konsideruar këtë si një detyrim qytetar, pse jo edhe atdhetar, të çdo krijuesi për të komunikuar me lexuesit, shikuesit a dëgjuesit, pra me masën e gjerë të njerëzve... Për mua vetëm kështu mund të paraqitesh para publikut me dinjitet dhe të bëhesh i besueshëm... për ato që thua apo mesazhet që jep”.
Intervistat e librit rrokin një diapazon të gjerë kohor, nga viti 2007 e deri sivjet dhe, falë përgatitjes së lavdërueshme të të dy palëve (gazetar - autor), janë shmangur në një masë të madhe përsëritjet, gjërat e rëndomta e të sipërfaqshme, monotonia, banalitetet, fryrjet e larjelyerjet etj.
Çdo intervistë, duke pasur në qëndër diçka specifike, ia ka dalë mbanë të ruajë individualitetin, duke u dalluar nga simotrat e saj. Pyetjet, në shumicën dërrmuese të rasteve, janë formuluar saktë, qartë dhe me brumë. Gazetarët ia kanë dalë mbanë ta “vjelin” autorin duke u kujdesur që frutat të mos cënohen, ta ruajnë shijën e të mos bjenë përtokë.
Vetëm parapërgatitja serioze dhe thellimi në veprat e Shpendit, mund të shpjegojë domethënien e shëndoshë të pyetjeve që i kanë drejtuar dhe, si rrjedhojë logjike, marrjen e përgjigjeve për një gamë tepër të gjerë problemesh shoqërore, politike, kulturore, historike, filozofike, përmes ilustrimit me veprimtarinë e protagonistëve të vërtetë, të gjithë të mbarëvlerësuar nga opinioni i paanshëm dhe i pjekur. Larmia stilistike e pyetjeve, i ka dhënë dorë të nxjerrë në pah aftësinë e autorit për të folur sipas diktonit “Sipas vendit dhe kuvendi” , pra t’i përshtatet më së miri çdo intervistuesi. Këtë cilësi Shpendi e manifeston me çdo njeri, në jetën e përditshme. Dua të theksoj veçmas dashamirësinë dhe respektin e çiltër që përçojnë të gjithë gazetarët në këtë libër për prozatorin, poetin, publicistin, eseistin, kritikun Shpendi Hulësi Topollaj, për kontributin pa të dytë të krijuesit më pjellor të letrave mbarëshqiptare në mbarëvajtjen dhe pasurimin e pandalshëm të thesarit të qytetërimit tonë shumëshekullor.
Përgëzime Shpendit dhe gazetarëve të medias së shkruar edhe audiovizive, kuvendues me të: Ariola Kondakçiu, Albert Zholi, Garip Troci, Blerina Braho, Rezarta Reçi, Luan Laze, Migena Kraja, Aleks kalemasi, Kadri Tarelli, Migena Sotiri, Artur Korriku, Gëzim Agasi, Luan Jaupi.
Comments