Çfarë njeriu më bie të kem qënë e të jem?


Sefedin Çela

Sot jam 74 vjeç! Çfarë njeriu më bie të kem qënë e të jem? Mësohesh me pleqërinë e me jetën tënde, si ai që fut gishtin në hundë e kujton se nuk e sheh kush. Qesh me veten, e shoh nga lart, nga kati i gjashtë i apartamentit, nga 74 vjet larg e ai tjetri, i riu në foto, më duket si boca ime! Ngjis 85 shkallë e po aq i zbres, edhe tre herë në ditë ; duket se zemra ende më mban. Tani pleqëria është në modë, s’është e domosdoshme të jesh përherë i fortë, nuk bëhet qameti se në një çast kap veten duke të rrëshkitur një pikë lot. Ndodh dhe nga moti. Sidoqoftë, rruga për te pleqëria është e lodhshme, prandaj nuk duhet marrë me ngut.

Në 35 vjet kam lëvizur në 13 vënde e pozicione pune. E kam librezën të mbushur deri në faqen e fundit, me nga katër vula për çdo lëvizje e pozicion pune. I bie të jenë mbi 50 vula! Në asnjë rast nuk kam zgjedhur ku të punoj, kam shkuar atje ku është dashur të punoj. Ndoshta është një rekord vulash e pozicionesh, po tani kam kohë të gjykoj veten . Në 35 vite i bie që mëse gjysmën e kohës të kem punuar në shekullin e njëzetë e pjesën tjetër në shekullin njëzetë e një! Gjysmën e viteve në një sistem shoqëror e gjysmën tjetër në sistem tjetër! Gjysmën e funksioneve publike i kam patur në sistemin e më parshëm e gjysmën tjetër pas tij! Me karrike në dy sisteme! Si ia kam bërë për të ruajtur faqen, me gjithë ato vula në librezën e punës?

Në vitin e hershëm 1966 drejtorin e shkollës 8 vjeçare ku punoja, me institut të lartë pedagogjik, e thirrën ushtar. Pa bërë ende 20 vjeç, me vetëm një vit e gjysëm përvojë pune, në vend të tij më emëruan drejtor! E vetmja gjë që mendoja se bëja ndryshe nga kolegët ishte bojatisja e shkumësave me lëvore arre, lule shtogu apo me bojë shkrimi. Me to ilustroja me ngjyra amebën në orën e biologjisë, ngyrosja vazon ndryshe e lulet ndryshe në orën e vizatimit , nënvizoja titullin e mësimit në orën e fizikës të klasës së tetë.! A, secilit na binte të bënim nga disa lëndë e mua më mbeti të bëja dhe fizikë, lëndë e vështirë , për të cilën pasditeve përgatitesha si nxënës , sidomos duke zgjidhur problemat. Këto që bëja unë, që nuk shkruheshin gjëkundi në metodikat e një ore mësimi e as në rekomandimet e seksionit të arsimit, që i bëja thjesht për qejf e as t’i kërkonte kush, duket i kishin bërë përshtypje gjatë kontrollit inspektorit Skënder Myftari, i cili në aktin e tij e kishte nënvizuar si risi. Ndoshta ai ka parë e ka thënë diçka më shumë, që unë s’e di. Edhe sot më duket çudi të të bëjnë drejtor se , ndryshe nga të tjerët, ngjyen shkumësat me lëvore e vizaton me ngjyra shumëqelizorët në orën e biologjisë! Nuk isha as më i mirë e as më i keq sa sa shokët e mij që shihni në këtë foto, me një mushama mbi kokë . Sa kishim parë një për një kokrrat e misrit për të hequr të mykurat, para se të çonim në mulli racionin e muajit dhe ja, këtë çast, duke luajtur , e kemi fiksuar si dëshmi për atë që kemi qënë : Kostandin Gjika majtas e unë djathtas lart kemi guxuar e kemi bërë dhe shqiponjën me krahët për fluturim , - ishim në moshën e ëndrrave! Nuk kam bërë kurrë shaka me punën, po më duket se ky ishte nga ato raste kur ke fatin me vete, sepse këto “vula” të para në librezën e punës shërbyen, them unë, si ajo dhjeta e parë në librezën e studentit , që vë në mendime çdo profesor në provimin pasardhës. Duket kisha mbetur në ato listat e “të gatëshmve” se, pasi kisha provuar të bëj sekretarin e kolegjumit në një të përditëshme, pa bërë pesë muaj si drejtor i Shtëpisë Botuese Enciklopedike, korrik 1983, në fund të nëntorit e gjej veten zv.ministër të kulturës! Kiu fiu, si te ai skeçi! Pas pesë vitesh, në nëntor 1988, - Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së! Pak njerëz kanë jetuar këtë përrallë në jetën e tyre : unë bëj një farë vetëironie, ky fat e nder më bëri të njoh shkrimtarë e artistë të mëdhenj, aktorë, regjisorë filmi e teatri, kompozitorë, koreografë, këngëtarë lirikë e të muzikës të lehtë, gazetarë të shtypit të shkruar e atij audioviziv. Do të isha i pasinqertë po të thosha se kjo ngjante me përrallën : këto punë, atëhere dhe sot, ta bëjnë jetën të vështirë, po edhe shumë të bukur. Nuk më ka ndodhur të përjetoj gjëra të bukura pa telashe dhe nuk di të them a ka bukuri të tilla pa telashe! Veten e kam quajtur pa droje një administrator ; ata, emra të mëdhenj publikë, me të cilët rasti e solli të punoj, nuk kam zgjedhur t’i thërras në zyrë, i kam ftuar në kafe, kam shkuar në studiot e tyre, i kam vizituar në shtëpitë e tyre, kam marrë mendimin e tyre. Turp është të mos pyesësh për gjëra që nuk i di. Besoj se ia kam dalë të mësoj edhe duke pyetur në punë e sipër. Kam kujtime të mrekullueshme me ta, që më mbushin ditët e më bëjnë të mos ndihem vetëm në këto kohë pandemie.( I them vetes, pandemia, -një rastësi tjetër, - e pse duhet ta përjetoja dhe këtë?) Kam ç‘ të tregoj për këto. Kam ç’të tregoj për vendime të vështira , që më është dashur të marr e për situata të vështira , që më është dashur të përballoj. Në vitin 1985 u desh të asgjësoheshin një stok librash në vlerë prej dhjetra milion lekësh, të krijuara në dekada, që nuk mund të shiteshin e që kishin asfiksuar depot e rrjetit në gjithë vendin. Situata bartej vit pas viti si mosrealizim në sektorin e kulturës. Kryesisht ishin libra të dëmtuar nga lagështia, nga raste përmbytjesh të depove, tekste shkollorë apo libra teknikë të kapërcyera në kohë, si broshura “Mbi çekankën në pambuk”, prej së cilës ishte hequr dorë vite më parë. Urdhërin e asgjësimit e kishte firmosur ministri T. C. por studimin e gjendjes, konsultimet me sektorët përkatës në piramidën e kohës, relacionin e konceptin e urdhërit i kisha paraqitur unë. Një sekretar i zellshëm rrethi shkruan lart e ngre alarmin “Me firmë e vulë ministri po hidhen në karton vepra të Enverit, të Leninit e të klasikëve të tjerë”. Çfarë emri mund t’i vihej kësaj se pse bëhej? Sikur ujët, kur vërshonte në depo, duhet të bënte dredha e të mbante me hatër veprat e klasikëve. Sigurisht, duhej t’i dilja zot asaj që kisha gatuar vet e të mos ua lija përgjegjësinë në derë të tjerëve. Kam njohur veten në këtë histori , kam njohur të mirë e të ligj e nxora mësime, kësaj radhe jo duke pyetur për atë që s’dija, po si ai që digjet një herë nga qulli. Vite më vonë , tashmë në sistemin tjetër, e sjell në ngjarjet e ditës këtë histori një i njohuri im , që e konsideroja mik, nxjerr emrin tim në një shkresë për kthim në karton të një libri, kësaj radhe jo të Leninit , Enverit a klasikëve, po të një karikaturisti, ingjinier nafte, dënuar nga diktatura. Ky miku im , i veshur me petka të kohës, që merrej me librin, në vitet e demokracisë, të mendimit të lirë e të fjalës së lirë, vet sapo kishte hedhur për karton Historinë e Luftës Antifashiste!

Në krye të Rtsh-së ka patur emra të mëdhenj drejtuesish, nuk them se u ndodha aksidentalisht aty, po u ndodha në kohën e ngjarjeve më të stuhishme të historisë që nga Lufta, në kohën e përmbysjes së sistemit. Këtë nuk ka patur rast ta përjetojë askush nga pararendësit e mij. Nuk qe zgjedhje, ndodhi e unë u ndodha aty. Ka histori të pafundme, të jetuara çast pas çasti, me intensitet të lartë. Ka dhe histori komike, në thelb për të qeshur e për të qarë. Në shkurt të vitit 1989, muaji i maceve e maçokëve, në një dhomë që administrohej nga Rtsh në katin e sipërm të Pesëmbëdhjetëkatëshit, kështu quhej Hotel Tirana atëhere, ku kishim një repetitor për tv shqiptar, një çift macesh hyjnë vjedhur aty për të festuar shën Valentinin e vet e na bëri gjëmën! Pati kontakt me rrjetin , repetitori u dogj e në vend të tv shqiptar shfaqet Rai! Në telefon zëvendëskryeministri M. M. “E ke televizorin hapur?” më thotë. “Po!” them. “Ç’dreqin po sheh, mua më del Rai!. Pa shih ç ‘ka ndodhur e më thuaj , se po zien qëni i kallajxhiut!” Unë e mbaja televizorin në kanalin C, me antenë në Dajt. Për të mbuluar një sinjal të Rai-t , që vinte nga një repetitor i fuqishëm i vendosur në Malin e Zi, në kufirin verior me vendin tonë, në kanalin 10 uhf, përmes transmetuesit në Pesëmbëdhjetëkatësh rishpërndahej sinjali i tv shqiptar. Këtu gjetën të bëjnë gjëmën macet ! Në studiot e transmetimit të lajmeve ishin sulur sigurimsat. Nga e kush emetohej sinjali i Rai-t ? Në të vërtetë, ky ishte skandali : askush, asnjë person i paautorizuar, që nuk kishte emrin në listën e afishuar në derën e studios, nuk lejohej të hynte aty. Ministria e Brendëshme, që kishte urdhëruar këtë kontroll, kishte shkelur me të dy këmbët Rregulloren e përbashkët të firmosur nga titullari i dikasterit dhe ai i Rtsh-së. Kryeinxhinieri i televizionit, që më rrëfeu për gjithçka kishte ndodhur, ishte bërë tym! Për disa minuta të tëra kam bërë bisedën me të vështirë në jetë me disa persona në zyrën e ministrit ; ishte si të trokisje në derën e shurdhit : nuk donin te kuptonin që nga injoranca e tyre e plotë rreth defekit teknik te hoteli , kishin bërë një akt të rëndë duke hyrë në studio në kundërshtim me rregulloret e duke traumatizuar të pranishmit. Me zëvëndëskryeministrin u qartësuan gjërat shpejt. “Mos e zgjat më tej si e qysh, më qetësoi ai, ma lër mua këtë punë!”

Pak ditë pas ngjarjes së 2 korrikut 1990 drejtoresha e kuadrit vjen e tronditur në zyrë me një listë në dorë. Në listë ishin emrat e jo pak punonjësve të Rtsh, që u ishin futur të afërm në ambasada. E ftova të ulej t’i tregoja diçka. Një ditë më parë kish kërkuar takim një ish bashkëstudente, L.Sh., përgjegjëse redaksie në Radio Tirana. “Dëgjo, më thotë, vëllai im ka hyrë në ambasadë.” “ Edhe?”. “Që ta dish, ta them vetë , para se të ta thonë!” Ishte një person me humor, dimër verë, po kësaj radhe humori nuk bënte për të. “Erdhe të më thuash që bëri mirë , apo që bëri keq?”Qe pyetje krejt pa takt, po e bëra. “Erdha të them se qe zgjedhja e tij dhe as më pyeti”, tha ajo. “Epo, me Kodin e Punës ti je në rregull, vazhdo punën” i thashë shkurt unë. Drejtoresha e kuadrit ishte një grua e moshuar, e lodhur, një ish kuadro e lartë partie rënë nga fiku, ardhur vetëm disa muaj më parë nga rrethi. E kuptoi shpejt pse përmenda Kodin e Punës. Lista të lihej në heshtje! “Nuk kam ndonjë porosi të veçantë, tha, si ta gjykoni ju!” Ngjarjet precipituan shpejt, vjeshta solli studentët e protestat, filluan të dëgjohen kambanat e zilkat gati u harruan. Ligjërimi i pluralizmit politik solli me vete përmbysje në informacion, në mendimin e veprimin politik ndryshe, madje të kundërt me atë zyrtar. Ligji për tubimet parashihte leje nga policia për metingjet , po ndërsa njëra palë merrte lejë, pala tjetër, pa leje e krahas, bënte “metingje spontane”. Dukej sikur kërkohej një ekuilibër forcash e frenim i revanshit, po kjo , në thelb, ishte lojë e pabarabartë dhe e pandershme. Për informimin publik nuk ishte aspak profesionale, cënonte paanshmërinë e besueshmërinë e informaqcionit. Këto momente pothuajse i kam bluajtur me veten, duke mos pyetur më lart, ku ç’ thoshte njëri e përmbyste tjetri, pa pyetur as poshtë, ku kishin filluar lëvizje të ethëshme për të ndërruar ngjyrë e gjuhë! Ishte krijuar sindikata brënda institucionit , e trimëruar aq shpejt, sa hynin në zyrë kohë e pa kohë, të pasigurtë dhe vetë për çfarë kërkonin e përherë diçka kërkonin. Edhe unë përherë gjeja kohë e durim t’i dëgjoja. Sot i them vetes si kam mundur ta bëj këtë! Nuk i helmova mardhëniet asnjëherë, sikur kisha montuar në kokë kavo çeliku. Ndodhën më vonë ngjarje aq të rënda sa m’u mbush mendja se nuk mund të isha më unë në krye të Rtsh-së ai që duhej të çonte pa ekcese proceset përpara, tashmë të pakthyeshme. Po këto duan radhë e faqe të tëra të tregohen. Pra kishte ardhur koha të mendoj dorëheqjen! Në familje ndërkohë mardhëniet e nënës e gruas me shëndetin po bëheshin perditë e më tepër shqetësuese; fëmijët, të dy adoleshentë, ndiheshin si të lënë mënjanë. Tensioni im në punë kishte induktuar atmosferën brenda shtëpisë. I përqëndruar te puna , mendoja se gjithçka tjetër ishte në rregull. Në fakt, gënjeshtra më e besueshme është ajo që i tregojmë vetes. Më 19 shkurt 1991, në një letër format të ndarë përgjysëm, shkrova me stilolaps tekstin e dorëheqjes “të menjëhershme e të pa revokueshme ”, me datën e të nesërmes në fund. I kërkova sekretares ta shtypë në çast. Pas disa minutash ajo hyri e zverdhur me shkresën duke iu dridhur në dorë. Nuk i kishte ndodhur të daktilografonte shkresa të tilla ndonjëherë. Për herë të parë i thashë që atë që mësoi ta mbante për vete. Të nesërmen, rreth orës nëntë, e protokollova doras dhe me shkresën në dorë u nisa drejt kryeministrisë. Në dhjetor, pas legalizimit të pluralizmit politik, kishte dalë një VKM, sipas të cilit Rtsh kalonte në vartësi të qeverisë. E lashë zarfin në paradhomën e zyrës së kryeministrit, kërkova t’ia çonin menjëherë e dola, duke spieguar sjelljen time se nuk më premtonte koha të prisja. Ishte hera e dytë brenda muajit që dilja nga ajo zyrë. Në janar isha thirrur nga kryeministri për një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur në Rtsh. Nuk rashë dakord për sa m’u kërkua të veproj e, në prani të B. H., thirrur dhe ai si pjesë e zgjidhjes së problemit, ofrova për herë të parë gojarisht dorëheqjen , nëse nuk merreshin në konsideratë sugjerimet e mia. Nuk do të harroj kurrë që ai më mirëkuptoi, kjo ishte një nga arsyet që e lashë zarfin e dorëheqjes në paradhomë: ndruhesha të përballesha sërish me të! Kur u ktheva në zyrë dallga e madhe e njerëzve , që ishte nisur nga Qyteti Studenti po derdhej në tërë gjerësinë e rrugës nga liceu te godina e radios. Disa minuta më vonë do të ishte e pamundur ta bëja atë copë rrugë kundër rrymës Ishte 20 shkurt 1991, data që simbolikisht do të ndante historinë në dy kohë . Rastësia vendos ato rreshta të dorëheqjes time në vijën ndarëse midis dy botëve. Isha në zyrë kur u njoftua rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës. Nuk m’u duk me vend ta quaja veten dorëjashtë lidhur me ngjarjen. Prisja përgjigje, prisja zëvendësuesin tim, nuk mund të ikja si cub. Kisha njoftuar drejtorët e Radios e Televizionit për dorëheqjen time. Porosita të bëhej lajm i veçantë, pa emocione, për rrëzimin e monumentit, pavarësisht nga kronika e zgjeruar e zhvillimeve të ditës. Lajmin e kishte përgatitur A. G. Ai erdhi disa minuta para se të fillonte edicioni i lajmeve me një regjistrator audio në dorë. “Kam tekstin e lajmit këtu, tha, mund ta dëgjojmë së bashku!” Për herë të parë në tv shqiptar Enver Hoxha u quajt diktator. A.G. më pa në dritë të syrit. Hë, ke vrejtje? “ Mund ta thoshte këtë, sinkron, ndonjë nga ata që e rrëzuan, po jo gazetari. Gazetari s’ka pse bëhet palë! Po pala tjetër, duhet ta kërkojë me forcë atë që do?. Nuk të diktoj ç’të bësh, vendos ti!” Edhe sot kam të njëjtin mendim, në ngjarjet e mëdha politike, dhe në raste të ngajshme, ku ka palë,ngjarjet nuk fshihen , - tregohen ; por gazetari, në një trasmetues publik veçanërisht, duhet të jetë neutral, moderator, i pa rrjeshtuar me askënd. Aq më tepër në rastin në fjalë si një akt moral e profesional në raport me audiencën se , deri dje, kronikat me të parin e vendit ishin ekskluzivitet i këtij gazetari. Mund të përmendej vetëm emri, pa ngarkesë pejorative si dhe pa funksionet e dikurshme, aq më pakë ditirambe nga xhepi! Gjeta dhe një argument tjetër për veten për të justifikuar dorëheqjen. Nuk isha unë ai që duhet të vendosja standarte të tilla të reja, nuk do të kisha as besimin e as mbështetjen e duhur, nga brenda e nga jashtë institucionit, nga asnjë palë! Them se koha më ka dhënë të drejtë : shoh sot si kacafyten midis tyre analistë “të pavarur” , që hiqen si mentorë të palëve e bëhen ashiqare palë. Them, si ia bëjnë me veten, vallë pyesin a i besojnë, të paktën, familjarët e tyre? Pas dorëheqjes u caktova përgjegjës në departamentin e filmit artistik e dokumentar në televizion. Ndihesha mirë aty, i mbështetur moralisht, duke verifikuar kështu se akti im nuk ishte lexuar si dobësi. Erdhi shpejt koha e ndryshimeve të thella strukturore, e reformave, që shpesh shfaqeshin në ndryshime emrash, të ikë ky e të vijë ky, si dikur e më zi se dikur. Degë partish propozonin emra me shkresa zyrtare me firmë e me vulë! Nuk mund të them se ishte vullneti i drejtuesve të rinj për të vepruar kështu. Në rastin tim u jam mirënjohës S. Buçpapës, B.Pollos, Q.Sakajevës, që më kanë trajtuar me dinjitet, madje duke kërkuar edhe ndonjë sugjerim. Po që kanë qënë në presion e në hall, e tregon episodi i mëposhtëm: Pas ngjarjeve të vitit 1997, pas zgjedhjeve, ishte ndryshuar edhe kupola drejtuese e Rtsh-së. Isha tashmë në pozicionin e zv.drejtorit të Përgjithshëm. Nuk kishin kaluar as dy muaj kur m’u shfaqën në zyrë miqtë e mij të dikurshëm, sindikaliatët! Ishim parë në oborrin e brendshëm, edhe në kafe, po për disa vjet , ndoshta për moskokëçarjen time, nuk dija fare ekzistonte sindikata a jo! U thashë që ma kishin marrë dorën me kohë e më thanë se po, ishim të njohur të vjetër e mund ta gjenim më lehtë fjalën. “ Gjithandej janë rritur rrogat, ne me këto paga do të mbetemi?” Ishte rasti, meqë po diskutohej projektbuxheti i vitit të ardhshëm! “Po gjithë këto vjet ku kini qenë, o djema, thashë, e dini se zëre se nuk kini shkelur në punë?” Nxora ca pasqyra nga sirtari e thirra drejtorin ekonomik, që e njihnin, kish disa vite aty. Prej 5 vjetësh nuk ishin paguar sigurimet shoqërore për gjithë punonjësit e Rtsh-së, në tërë sistemin. Fondi i sigurimeve shoqërore ishte përdorur si fond pagash për të rinjtë që futeshin me lista. “Pesë vite pune të pa siguruara do të thotë që secilit prej nesh, edhe mua, nuk na njihen pesë vjet vjetërsi pune! E dinit ju këtë?” Drejtori ekonomik konfirmoi. Sipas një udhëzimi të Ministrisë se Financave Rtsh duhet të derdhte çdo muaj në sigurimet shoqërore shtesë 10 për qind të detyrimeve të mbrapambetura, për aq kohë deri sa ky detyrim të zerohej, ndryshe nga thesari nuk delte për Rtsh as një qindarkë, as për një fije letër! Kjo ishte zgjidhja, pa alternativë. Për shtesat e rrogave,- durim! Ata u çuan pa bërë debat, më dhanë dorën një nga një e dolën. U jam mirënjohës për mirëkuptimin. Një vit e gjysëm, sa isha në atë zyrë, nuk trokitën më në derën time.

Dhjetorin e atij viti u krijua një situatë e paparashikuar nga dëbora . Turni i radhës i teknikëve të mirëmbajtjes se transmetuesit rtv në Midë të Pukës ishte izoluar nga reshjet e mëdha të dëborës.Nga drejtoria e Radio Shkodrës u dha alarmi për ndihmë. Për dy javë në rrethimin e bardhë, pa rezerva ushqimore, pa mundësi as ndërrimi të turnit, as të furnizimit me ushqime, situata ishte kritike. Atyre u rrezikohej jeta. Kisha qënë në Midë në verën e viti ’89, e njihja përgjegjësin e turnit, e kuptoja fare mirë në ç’lak kishin rënë e më zunë ethet . Mund të bënte punë vetëm helikopteri. Ministria e Mbrojtjes helikopterët i kishte me rrota, ata e dinin mirë, një helikopter me rrota nuk mund të ulet në një vend ku ka dy metra dëborë trashësi. Edhe Ministria e Shëndetësisë kishte vetëm një helikopter të tillë. Për fat, qënkej një kompani kanadeze që kishte helikopter me slitë, që mund të ulej si ta doje , vetëm se kishte tarifa shërbimi të kripura , të pa negociueshme. Po jeta e tre teknikëve ishte e negociueshme? Specialistët që merreshin me shërbime të tilla më kujtuan rregullin e tre ofertave, do të quhej shkelje financiare! Epo mirë, bëra hesap me vete, do t’i paguaj nga rroga po u desh, me këste! Humbja e jetëve ishte e pa kthyeshme dhe e pa shlyeshme. Helikopteri me slitë e bëri magjinë, teknikët tanë u kthyen në shtëpi! Një vit më vonë Kontrolli i Shtetit në aktin paraprak e trajtoi si shkelje : pse nuk ka tre oferta për të zgjedhur atë me tarifën më të ulët? Helikopter me slitë ishte vetëm një! Nuk e di a ka sot helikopter me slitë për raste të tilla në strukturat e Emergjencës Civile.

Si në një film në tre akte, e njoha Rtsh duke e parë e riparë nga pozicione të ndryshme, nga lart – poshtë, nga poshtë – lart e përsëri nga lart – poshtë. Gjashtë vjet te filmi e dokumentari isha më afër atyre që punonin se sa atyre që urdhëronin. Kam njohur njerëz të mrekullueshëm, gazetarë, regjisorë, muzikantë, piktorë skenografë, me kulturë të plotë, me interesa të gjëra, që, pavarësisht bindjeve të ndryshme, i ndjeje afër natyrshëm. Shpesh më ka ardhur keq që shumë prej tyre dikur i kisha dëgjuar vetëm si emra. Po këto vite pashë dhe çudira që solli me vete përmbysja e dy boteve Njerëz, me kokrra në fakt, që prej vitesh punonin aty, shtireshin tani si të persekutuar! Dihet, ata që punësoheshin në Rtsh, edhe pastrueset, kishin garanci politike: si ishte e mundur që këta të fundit të kishin kaluar në vrimën e gjilpërës, ku kalonin të gjithë, pa u vënë re!? Çudia tjetër ishte përmbyjsa e të vërtetave, që vazhdon sot e kësaj dite. E deridjeshmja si e vërtetë filloi të raportohet si rrenë e mashtrim. Vrasësit e deridjeshëm të Ndrecë Ndue Gjokës, mësuesit që ktheu kasollet në shkolla, vrasësit e Cucës, po i prezantoheshin publikut si patriotë antikomunistë ; bëmat e bandave si aksione trimash kundër terroristëve në pushtet . Ata që thurnin ditirambe për heronjtë e djeshëm, antiheronjtë i kthyen në martirë. Rrugët e urat e para, vepra të mëdha e të vogla të rindërtimit dukej se i kishin bërë vetëm të burgosur e të persekutuar. Jam ndjerë keq unë e brezi im, e breza pas nesh, që kanë qenë vullnetarë për ndërtimin e hekurudhave Rrogozhinë-Fier e Elbasan Librazhd. Ndihem i fyer që personazhin e reportazhit tim nga Komani Dali Lika, që të gjithë e thërrisnin me mbiemrin Diga, që emrat e fëmijëve i kishte me emra kantieresh ku kishte punuar, nuk e kujton kush, as çfarë ka bërë ; kaskada e Drinit nuk vlen as si dëshmi. Sigurisht, ajo që është bërë keq dje, ajo që është ndërtuar me gjakun e djersën e të dënuarëve, e lënë qëllimish pa thënë, duhet dëshmuar e nderuar, po një popull i tërë ndërkohë nuk ka dredhur zinxhirin. Si përmënden me nderim mjekë e infermierë që për ditë, javë e muaj luftojnë për jetën në vijën e parë të luftës kundër pandemisë, kemi patur me dhjetra projektues e realizues veprash të mëdha, agronomë krijues kultivaresh, inxhinierë, konstruktorë, ndërtues të talentuar , që duhen nderuar. Në vend të mirënjohjes i lëmë në harresë! Nga hiçi ndërtohet hiçi!

Ndoshta fati, sërish rastësia, apo ato vulat në Librezën e Punës, që me termat e kohës i thonë cv,më çuan në krye të rregullatorit të mediave audiovizive, KKRT. Ishte viti 1999. Nga viti i mbrapshtë 1997,kur ra shteti, për gati tre vjet, kishte ndodhur bathorizimi i medias, shqip ,- kush mundi zaptoi një a dy frekuenca e mbinë radio e tv kioska,pa lejë, si një Bathore, në tërë Shqipërinë. Ndërkohë rregullatori vetë sa kishte marrë çertifikatën e lindjes. Pa zyra, pa administratë, pa asnjë akt tjetër veç ligjit, u desh të bëheshin njëherësh e krahas rregulloret e funksionimit të brëndshëm, kriteret e procedurat e rekrutimit të punonjësve, kriteret e procedura e licensimit të operatorëve rtv, përmes konkurimit publik e në transparencë të plotë. Përvoja ligjore e legalizimit të ndërtimeve pa lejë në Bathore përcaktoi edhe sjelljen tonë ndaj transmetuesve që tashme ishin një realitet që dukej e dëgjohej : derisa nuk u prishën shtëpitë ndërtuar mbi trojet e të tjerëve, si mund të mbyllej fjala e lirë ? U vendos që kthimi te standartet që kërkonte ligji të arrihej gjatë afatit të parë të licensës, pa përjashtuar kështu nga gara asnjë operator. Ky ishte konsensusi i parë nga vendimmarrja e këshillit, zgjedhur nga Parlamenti sipas formulës tre pozita, tre opozita , një Presidenti. Shpreh respektin e mirënjohjen e thellë për ata kolegë e intelektualë me integritet të plotë që, në respekt të ligjit, të përgjegjësisë e të dinjitetit të vet , votuan gati në mënyrë unanime çdo vendimmarje. Me ndihmën e çmuar edhe financiare të Institutit Amerikan të Medias u porosit e u realizua në Francë Harta Digjitale e Shqipërisë,që përcaktonte relievin,lartësitë, gjithçka duhej për të studiuar e hedhur në hartë brezin e frekuencave e pikat ku do të vendoseshin transmetuesit. Krahas trajnimit një muaj të gjithë bordit në Uashington, në verë, menjëherë pas zgjedhjes, kjo ishte një ndihmë që na vinte mendjen e duart në punë. Me një donacion tjetër nga qeveria daneze paisëm zyrat me kompjutera, u porosit në Japoni një studio lëvizëse paisur me aparatura për identifikimin e frekuencave, sinjaleve, interferencave, monitorimin e tyre në terren , të markës Sony, të gjeneratës më të fundit. Ky investim, rreth 800 mijë dollarë , sipas specifikimeve tona, u realizua nga homologët danezë, me tender të realizuar nga Ministria e tyre e Punëve të Jashtme . Ne morëm kështu një produkt të gatshëm, të testuar, në afat maksimal dhe duke shmangur procedurat e diskutueshme e aq të përfolura . Edhe në vëndet me traditë shekullore demokratike mardhënia e rregullatorit me mediat është pak e ngjashme me fabulën e maces me miun . Rregullatori nuk u thotë “mbyllni gojën!”, u thotë “kujdes me fjalën!”. Atyre u duket sikur u thuaj “qepeni!” . Pas avazit u vjen edhe politika, në pushtet a në opozitë, duke i shkelur syrin njëri tjetrit, për interesa të ndërsjella. Për të dy palët interesat dalin mbi ligjin,i cili nuk lejon konkurenën e pandershme, gjuhën e urejtjes, shpifjen, cënimin e lirisë së tjetrit, cënimin e privacisë e sidomos standartet që mbrojnë fëmijët. Jam gëzuar e shqetësuar disa herë në atë “shtëpi”, që e kam parë fëmijë nga lindja, që nga dhëmbët e parë. Po edhe aty, pas pesë vjetësh, një vit para përfundimit të mandatit, e mbylla me dorëheqje! E treta dhe e fundit. Nxora veten në pension të parakohshëm që 57 vjeç! Në fundin e shekullit të 20-të u bë revolucion i vërtetë në teknologjinë e transmetimeve. UIT, rregullatori ndërkombëtar i administrimit të frekuencave, anëtar i të cilit është dhe vendi ynë, vendosi rregulla, standarte e afate per kalimin nga dransmetimet analoge në ato digitale.Për herë të parë ne raportuam në Kuvend për këto perspektiva në vitin 2002. Propozonim ndryshime në ligj për hyrjen në treg të këtyre shërbimeve të reja. Diku nga pranvera e vitit 2003 më vjen në zyrë T.H. një nga emrat e mëdhenj të medias elektronike në vendin tonë. Më vuri një dosje përpara. “ Kam gati projektin për transmetime digitale me pagesë, tha, dua liçensë!” I thashë se ishim duke e konsultuar draftin e amendimit të ligjit me sektorët e interesuar në qeveri dhe me biznesin. I dhash një kopje e i ofrova bashkëpunim për ta përshpejtuar punën. “Projekti është fantastik, është risi në program, në teknologji”, ngulte këmbë ai. “ Duro pak, rregullimi me ligj e bën më të sigurtë investimin”.. “Ne jemi guximtarët”, tha, “ pse të mos jemi njëherë të parët në Shqipëri e në rajon, për të mos thënë në Europë?” Ma la dosjen e tij , mori draftin tonë e duke dalë tha : “ Fundja, gjithçka nuk pengohet me ligj, - lejohet!” Ai ishte njeriu i shpejtësive të mëdha, nga ata që rregullat u duken gardhe penguese. Duket nuk kishte përpara njeriun e duhur. Tërë jetën jam përpjekur të gjej vijat e bardha, kam vrarë mendjen t’ia dal mbanë duke pritur dritën jeshile, kurrë me semafor të kuq, apo duke e thyer atë. Në fillim të vitit 2004 në Komisionin e Medias u paraqit një amendament për transmetimet digitale sipas propozimit të operatorit të interesuar. Ne kërkonim që shërbimet me pagesë të mos ofroheshin nga një operator i vetëm, i cili mund të deformonte tregun duke diktuar pa konkurencë tarifat. Sipas nesh, në një zonë të caktuar duheshin lëshuar njëherësh minimumi dy licensa, duke harmonizuar interesat e ofruesit të shërbimit me interesat e përdoruesit të atij shërbimi. Amendamenti u miratua me konsensusin e të gjitha palëve, pozitë – opozitë! Në relacionin shoqërues thuhej se me këtë investim Shqipëria jepte një dëshmi në investime në teknologjitë më të fundit inovative, duke dalë para edhe vëndeve shumë të përparuara , si Holanda. Në fakt në Holandë transmetimet rtv me pagesë kishte vite që ofroheshin, së bashku me telefoninë e shërbimet bankare me kabllo, në një paketë të vetme,ku mund të zgjidhje shërbimin më të lirë! E pse duhet të investoje për të njëjtin shërbim , me kosto më të lartë e pa treg të sigurtë? Mëngjesin e datës kur Digitalb do të dilte në transmetim, në një konferecë për mediat, dhashë dorëheqjen. Nuk kam menduar kurrë se jam shkëmb graniti. Vetëm askush nuk është i fortë.

74 veç është moshë për të rrëfyer, nuk ke më kohë për të ndrequr . Të duash a të dish të punosh nuk është e njëjta gjë si të duash a të dish të jetosh. Për vete jam i sigurtë për këtë. “Kur të më rriteshin fëmijët , nuk doja t’u thosha se kur luftohej me karkalecin unë bëja sehir”, më thoshte këto kohë një pensionist i lodhur, shumë më i vjetër se unë. “E çfarë u the?” “U thashë se mora një bidon me benzinë dhe luftova edhe unë me karkalecin”. Unë nuk kam bërë luftë me karkalecin, po nuk kam lidhur duart, kam punuar si kam ditur a sa kam mundur. Ca gjërave nuk u gjen dot kapak e as u vë dot kapak. E mundoj veten e them : Çfarë njeriu i bie të kem qënë e të jem? Nëna plakej vit pas viti, e rrëzua nga shtrati e nuk u ngrit më, u verbua, u shurdhua. Nga lëvizja e ajrit kuptonte se isha aty. “Erdhe, bir?”Unë e vendosja në karrocë e vrapoja me të nga dhoma në dhomë , në ballkon e kthim e kaq. Ajo gëzohej si fëmijë. Një ditë iku. “ Të kam fshirë hundët, të kam larë këmishët me finjë me hi”, sikur më thotë,” harrove?” Kuptojmë se gjithçka ikën vetëm kur ndodh. I ke gjithçka do brënda shtëpisë, mësohesh me to e të duket se aty i ke përjetë. Një ditë fluturuan dhe fëmijët nëpër botë, si zogjtë. Një ditë tjetër edhe mamaja e tyre nuk u zgjua më, nuk tha as mirëmëngjes, as lamtumirë. Atë ditë u ndjeva krejt i vetëm, gur i hedhur në lumë! Fëmijët, ardhur për të përcjellë mamanë e tyre, më gjetën vuv, humbur s’di se ku. Mamanë nuk e kishin humbur vetëm ata, e kishim humbur të gjithë, veç mua më dukej sikur më thoshin “Po ku ke qënë tërë jetën tonë, o bá?” E si t’u thosha, “më ka rënë bretku , që juve të mos u mungonte përsheshi?” Kohë pas kësaj shkoja shpesh në varreza per t’u ndjerë fajtor. Gjithmonë kam menduar se do të kem më shumë kohë për ta e nuk e gjeta atë kohë. Nuk kam më kohë të ndreq jetën time. Mund të tregoj e të shoh çfar mund të bëhej ndryshe, mund të ndreq diçka te vetja, po atë që iku nuk e kthej dot pas. Më duket se jam i vetmi që lë të ikë kë dua më shumë , si i lë unë. Ende magjepsem nga një çift të rinjsh,që shohin veten te njëri tjetri. Më rreh zemra kur shoh një çift të moshuar duke pëshpëritur , të kapur për dore. Shumë dashuri përcillet në gishtërinjtë e tyre. Çfarë njeriu i bie të kem qënë e të jem? I kam shkolluar fëmijët, po nuk i’a arrita t’i kem pranë , në vendin e tyre. Kam patur karrige në ndërrimin e të dy shekujve . Nuk i kam parë si karriget e shtëpisë, nuk i kam hipotekuar, nuk kam bërë trafik me to. Nuk më vjen keq se ngjit e zbres 85 shkallë sa herë më duhet të dal nga pallati, nga ata ndërtuar dikur me kontribut vullnetar, se nuk është turp të jesh si shumë të tjerë, vetëm se ndihem i lodhur, prej moshës, jo prej pendimit. Kam dhënë tre herë dorëheqjen e çdo here kam filluar nga e para, atje ku është dashur të jem. Po ia rrëfej vetes e miqve të mij gjithçka kam bërë mirë a keq në këtë botë. Do ta marr me ngè, një pas një, si dëshmohet në Librezën e Punës, mbushur me shënime e vula deri në faqen e fundit. Nëse do të kem kohë!

42 views0 comments

Shkrimet e fundit