Poezi nga Armela Hysi
sfera dhe plani takohen në një pikë të vetme
ligj tredimensional i botës së verbër të
materies.
dimensionet e shpirtit njerëzor
pasionojnë turmat foshnjërake të etura
dehura nga adrenalina.
ozmoj bukurinë der' n'thjeshtësi
të njeriut. lundroj shqisat
detit të famës eshtrathyese
për t'u rikthyer
në pirgjet prej rëre
që fantazia i shndërron
në ishuj gjigand ajror
lumturie të qetë fëmije.
koha punon me klepsidra të gjakta
koha tallet me pendesat tona.
kohën nuk e ka krijuar Ati.
është iluzioni që përtypëm ritmikisht
mes fibrave të lëngshme të mollës.
sfera dhe plani takohen në një pikë të vetme
ligj tredimensional i botës
së verbër të materies.
për të është pika e bardhë e rifillimit
në një fushë të ndarë baras.
unë numëroj dimensionet e shpirtit
njerëzor që edukon muskujt në
vallen e egër të mbinjeriut.
koha mund të të vesh me plagë
të të çjerr sipërfaqen
por s'mund të ç'bëjë vorbullën e memories
së atyre që thërrmojnë qenien e vet
si ashkla për vënien në punë
rrotat e pandjeshme të historisë.
17 mars 2013
*Thënie e vet Diego Armando Maradonës
Nga dokumentari “Maradona by Kosturica”.
Nga Libri “Ujdhesës së Përrallës Tënde”Armela Hysi-2013-Sh.B. “Milosao”
BUKUR, URIME, MYSLIM MASKA.