Çfarë lexojmë?!


Çfarë lexojmë?!

Astrit Lulushi

Nuk është libri i fundit me kujtime nga koha e diktaturës nga këndvështimi i atyre që e gëzuan pushtetin e krimit njerëzor. Pas Ramizit e Nexhmies, tani na sillet për të lexuar Dritëhijet.... e kryehetuesit. Shkruar në Gjermani, libri duhej të kishte më shumë Niçe: “Një ditë do të vdesim dhe më e mira për të cilën mund të shpresojmë është të jetojmë një jetë për të cilën do të ishim të lumtur ta jetonim përsëri pas vdekjes. Ai që thotë ndryshe, iu gënjen.”

Sistemi më shtypës në botë na paraqitet në libër si periudhë ku njerëz të lirë diskutojnë, kritikojnë, denoncojnë me zell njeri tjetrin për veprime armiqsore. Prej tyre sigurimi merr informata, plotëson çështje, kryen arrestime e burgosje të njerëzve pasi kanë kaluar në tortura çnjerëzore të hetuesve (por çuditërisht Kryeprokurori nuk di gjë?!), dhe ku çdo veprim kryhet sipas ligjit (këtë e thonë me plotgojë, dhe shpëtojnë). Hetuesia e Përgjithshme është në majë të këtyre veprimeve. Fjalët e kryehetuesit i dëgjon me vëmendje diktatori dhe njerëzit futen në burg, vriten, ‘hanë dhe’, ose ngrihen në qiell, sipas këshillave që jep hetuesi, i cili ushqen me “prova” prokurorët për të akuzuarit a armiqtë e shtetit.

Por realiteti vjen i nxirrë në pamje, duke penguar t’i qasesh realitetit të vërtetë. Kush nuk e ka jetuar atë kohë sheh vetëm hije. Realiteti i fshehur është shkatërrues për mënyrën sesi e largon tjetrin nga përvoja; është propagandë. Paraqitja e një realiteti të mjegulluar krijon vërtetë problem të thellë; synon shtrembërim i historisë dhe i bën njerëzit të gënjejnë me ndërgjegje. Nëse ka këtë qëllim, autori duhej të kishte pritur edhe ca kohë, derisa brezi që e jetoi atë periudhë, të shuhej.

Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1981-1992; studiuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, Fakultetin Ekonomik, Akademinë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Doktor i Shkencave Juridike, Pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në Universitetin Enver; analist, opinionist, publicist, autor i disa librave, aktualisht jeton në Gjermani, ku ka marrë azil politik. Nga kush mund të ketë qenë i persekutuar? Me siguri nga ata që vetë i persekutoi, nga populli.

Thuhet se ka qenë prokuror i gjyqit në vitin 1978 ku dënoi për agjitacion propagandë me pushkatim 2 dhe 2 të tjerë me 20 e 25 vite burgim; Vendime, sigurisht, që shtruan rrugën e karrierës drejt postit të tmerrshëm të krye-hetuesit të përgjithshëm.



9 views

Shkrimet e fundit