
Poetit Milianov Kallupi, në vend të një përkujtimi...
Nga Fatmir Terziu
Çka janë Hajket,
flurudha, gërma apo fjalë?
Ndoshta kapje e radhë,
bijëza gjuhësh,
gjashtë sekonda për tu lexuar mbarë,
qepur nga përkujdesja e një shpirti poetik,
në shpirtin tënd atlas,
një kënd i artë,
si vend i lulëzimit të tyre.
Në gjuhën tënde dhe timen
haiku është shkruar shpesh mes tre linjave të shkurtra
ka krahë të tejdukshëm,
dhe të nderë, të gjatë e të lehtë mbi ullishten
e këmbëve. Është një lum,
ku janë ngulur mitet,
të lashtë, të hershëm, të pagjumë,
që ta vodhën ecjen.
Çka janë Hajket,
fundja pa ty,
njëra pranë tjetrës, pas emrit,
qëndrojnë kulturat e kapura duar-duar,
në një stinë malli.
Kudo ti mbete qafuar,
brenda vargut aromë djali,
mik i poetëve i paharruar,
e mbijetojmë mbi aktin e të parit,
copëzjetën e mbetur trazuar,
tek ndrit si monedhë e arit,
gjerdani yt Hajkor i paharruar.
Çfarë kanë hajket poet i nderuar, vërtet,
brenda një sofrabezi lamtumire,
ku jeta palon me çmimin e vet,
imazhin në ikje,
mes miqsh që kthejnë lotët Haik,
mëngjeseve, drekave, darkave në pritje,
të flasësh me mburrje për një mik,
pas Pushkinit kishte një Lermontov,
por pas teje, a do të ketë më Milianov?