top of page

Çfarë bënë?


Çfarë bënë?

Astrit Lulushi Duhet të paguaje në Shqipërinë e mbyllur të para 30 viteve. Mjaftonte vetem të dalloheshe mbi të tjerë ose të kishe një “kleçkë” për të qenë në listën që qarkullonte në duart e sigurimit; duhej të paguheshin, qoftë edhe me jetë, dyshimet e tyre. Prandaj vendi u mbush me skelete e viktima të një kohe “pa” luftë. Po më e keqja, ata që eksperimentuan nuk i janë përgjigjur viktimave që ende pyesin: “Çfarë bëmë?” Didi Biçaku, lindur më 1924, i mbijetoi Masakrës së vitit 1951, nuk e pagoi me jetë. Ajo lindi në Elbasan, dhe bashku me motrën më të madhe, Semin, ishin vajzat e Qani Biçakut, mbesat e Aqif Pashë Elbasani. Babai i vdiq dhe motrat Biçaku mbetën jetime. Të dyja u regjistruan në Institutin Pedagogjik Nëna Mretëreshë. Ndonëse vinin nga familja më e njohur patriotike dhe fisnike, dy motrat silleshin njësoj si vajzat e tjera. Gjatë kohës pas orëve të mësimit, Didi merrej edhe me sport. Pleqtë e sotëm, ata pak 100 vjeçar që kane mbetur, thonë se Didin e shihje duke rrëshqitur me patina nëpër rrugët e Tiranës. Pasi kishe mbaruar shkollën për mësuese, në vitin 1947 Didi emërohet në fshatrat e Beratit. Pas dy vitesh punë e pushojnë sepse xhaxhai u fut brënda (në burg). Ajo shkoi të ankohet dhe e caktojnë në një farmaci të Kryqit të Kuq, por sërish e pushojnë nga puna. “Çfarë kam bërë?”pyeste Didi veten. Në vitin 1951, ajo jetonte me nënën dhe motrën me bashkëshortin në shtëpinë në rrugën Bajram Currit, në Tiranë. Pas mesnatës së 23 shkurtit, në derë ra një trokitje e fortë, tre ushtarë të armatosur të sigurimit u turrën brenda dhe me listën në duar, një prej tyre lexoi emrat e familjarëve. Kur lexoi emrin Didi Biçaku, i thotë: “Në emër të popullit, je e arrestuar! Duart lart!”, kontrollojnë shtëpinë cep më cep, motra e saj, Semi, ishte ulur në divan, poshtë saj mbante fshehur librin e gjuhës angleze që po mësonte Didi dhe nuk duhej ta shihnin ushtarët sepse gjuhët e huaja ishin të ndaluara. Didi veshi pallton e trashë, burri i motrës i hodhi mbi supe një shall të madh leshi dhe sigurimi e mori të prangosur. E shtynë drej sheshit, ku ishin mbledhur qindra të tjerë, të kërcënuar nga armët e atyre që i ruanin dhe u nisën drejt Burgut të Ri. Te dera e burgut Didi priti gati dy orë, duhej të hynin një nga një. Ajo kaloi nëpër portën e madhe, pastaj portën tjetër, dhe e shtynë te një derë birucë. Aty, kishte shumë njerëz dhe ishte krejtësisht errësirë; u takua me Sabiha Kasimatin, për të cilën kishte dëgjuar se e kishte kundërshtuar Enverin për vrasjet dhe bugosjet e intelektualëve, veçanërisht të fy vëllezërve Kokalari dhe burgosjen e Misines. ato ishin dy të vetmet femra të burgosura. Pas daljes nga burgu, Didi punoi si rrobaqepëse, më vonë si punëtore ndërtimi, dhe “i dhanë kategorinë e gjashtë”, thotë me të qeshur. Ajo u martua në familjen Maliqi, njerëz patriotë që punuan dhe luftuan për Pavarësinë e Shqipërisë, Në një bisedë për shtyp më 2012 në Tiranë, Didi tregon: “Më në fund, dëgjoj një ‘bram’ dhe u hapën dyert. Hynë dy-tre të sigurimit dhe me një dritë të vogël feneri që të mos shihnim njëri-tjetrin, na nxorën mua e Sabihanë jashtë. Na lidhën duart dhe na çuan në një sallë. Atje ishin të gjithë ata të shkretët që e pësuan. Ishte vetëm një tavolinë, një dritë e vogël ndezur dhe të gjithë të burgosurit me kokën ulur. Aty pashë Mehmet Shehun, i cili përplaste dorën në tavolinë dhe thoshte: ‘Këta janë armiqtë e popullit, për këta nuk duhet të kemi mëshirë se na përmbysin pushtetin tonë popullor’. U habita e i thashë Sabihasë - ‘Çfarë kemi bërë?’ Sabihaja më shtrëngoi dorën e donte të thoshte se e kemi punën keq. Kur mbaroi komplet biseda e Mehmet Shehut, u dëgjua prapë zhurma e dyerve dhe një makinë e madhe ndaloi aty. I morën të gjithë, i futën me kokën ulur brenda në makinë. Erdhi dhe radha ime me Sabihanë. Ajo doli përpara dhe mua më tërhoqi një gardian pas. Si dukej nuk figuroja te lista me kryq. Unë mendoja se ata që u futën në makinë do të liroheshin dhe e mallkova atë që më tërhoqi. Dora ime dhe e Sabihasë mbetën në ajër teksa na shkëputën. Ishte hera e fundit që e pashë. Më çuan në një birucë ku ndenja dy netë. Nuk e mora vesh se ku i çuan ata që hipën në makinë. Kur më nxorën nga biruca, i thashë njërit prej gardianëve se çfarë kam bërë, pse nuk më hipët edhe mua në makinë? - ‘Pse deshe të shkoje edhe ti tek ura e Beshirit?’, m’u përgjigj. Më vonë e kuptova se çfarë kishte ndodhur. Ata i kishin pushkatuar”.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page