Çfarë është nesër
Fatmir Terziu
Ti e dashur pyet me sinqeritet sërrish
të kuptosh se çfarë do të thotë nesër
një ditë si një dhuratë perëndish
asgjë më shumë s'do jetë patjetër.
U zgjove e dashur, ndaj t'u përgjigja,
ndërsa dita lind dhe dielli perëndon,
Nesër? Është Perëndimi, edhe Lindja,
edhe kur erret, edhe kur dita agon.
Ndërsa bota rrotullohej ne kujtuam
si njerëzit vijnë dhe shkojnë atje tutje
si ne jetojmë, qeshim por dhe si duam
si ne qajmë dhe si ne ndjejmë humbje.
Si shpresojmë për një ditë më të mirë,
duke u trashëguar me një kod të vjetër,
të lindim, të rrisim dhe edukojmë fëmijë
kështu që nesër është vetëm një ditë tjetër.
Tashmë e dashur më shiko në sy
më thuaj vetë çfarë ke kuptuar
çfarë është nesër për ty gjithsesi
kur ne jemi përditë të dashuruar?
Comments