top of page

ÇDO VIT PRESIN SHPAGIMIN


Studiues Fahri Dahri.

SHPIRTËRAT E TË MASAKRUARVE

DHE TË TË "PADËSHIRUARVE"

ÇDO VIT PRESIN SHPAGIMIN E

GJAKUT TË DERDHUR

Pjesa e I

Dje ata, sot ne, nesër ata pas nesh, pasnesër nipat dhe mbesat, nuk do heshtin dhe as nuk do të zmbrapsen nga vitet që ikin dhe largohen nga masakrat greke, por do të vazhdojnë të kërkojnë të arrijnë tek të drejtat, deri sa shteti ortodoks grek të gjunjëzohet para shpirtërave të tyre.

Ky tekst (artikull) të ruhet dhe të botohet në çdo 27 qershor, deri në zgjidhjen përfundimtare të "Çështjes Çame" e gjykimit të "Gjenocidit Grek" të ushtruar ndaj banorëve autoktonë të Çamërisë.

Pse e shikoj të nevojshme këtë

ruajtje teksti?

Sepse të gjithë ne, nuk jemi vetëm të sotmit. Mbartim trashëgiminë e të shkuarës dhe përvojën e dobishme tonën të për të ardhmen. Nga e shkuara dimë që çdo veprim, çdo përpjekje, që bëhet në çdo kohë, sidomos kur bëhen për "Farë e fis", për kombin, gjithëmonë krijojnë një lindje, një fillim dhe nisje të ekzistencave të reja. Ngjarjet, mendimet tona të sotme, nëse shkruhen, mbeten përvoja të vlefshme për kohën mbas nesh. Ato mbeten fuqi të "gjalla", të cilat do përdoren në çdo moment, duke u shndërruar në forca të veçanta në të gjitha kërkesa që dikton jeta. Çdo individ lind dhe vdes, por ngjarjet trashëgohen ndër brezni.

…………...

Shteti ortodoks Grek dhe kauza me akuzën qorre që vetëm përsëritet me sloganin: "Dikur, ishte një komunitet, por i padëshiruar etnikisht dhe fetarisht. Sot "Çamëria dhe Çështja Çame nuk ekzistojnë", nuk duhet të mbeten pa u gjykuar. Ky problem, 77 vjeçar, çdo ditë dhe vit, jo vetëm nuk shuhet, por rri i ndezur, është tregues i fortë që mat demokratizimin europian.

Nuk mundet të harrohen hanxharët, sopatat, thikat që prenë fytet e fëmijëve, që u ngulën në mishin e njeriut; as djeg'jet me benzinë të të rinjëve dhe vajzave, apo groposjen të gjallë, masakra shëmbëlltirë hitleriane.

Jo. Jehonat e atyre zërave nuk shuhen, veçse ndër kohë riprodhohen.

"....ato që tani po bëjnë jehonë në veshët e shurdhët

zërin e dashurisë së panjohur që riprollonte nga e para...", na e përforcon mendimin e riprodhimit edhe profesor Fatmir Terziu tek poezia "Natë Çame", bot. "Fjala e Lirë", 16/06/2021.

…………...

I.- A ka të vërteta në akuzën greke të bashkëpunimit të çamëve me gjermanët?.

Shumica e cilësuar e banorëve autoktonë të rajonit të Thesproti/ Çamërisë, gjatë L2B, ku Italia dhe Gjermania i shpallën luftë Greqisë në vitin 1940 me vazhdimësi deri në vitin 1945, është dokumentuar dhe vërtetuar se qendroi neutrale. Në gjuhën e folur të brezit që u masakrua, e vërteta që duhet të thuhet është: "Ata banorë shikonin punën dhe hallet e rënda 35 vjeçare që i u kishin rënë nga sjelljet dashakeqe të shtetit ortodoks grek. Nuk e kishin mendjen tek asnjë parti, asnjë dinakëri, apo "vëllazëri" ofiqesh". Konferenca e Londrës i dha mundësitë shtetit grek që i shndërroi nga zengjinë, në hallexhinj.

Si çdo popullsi, brenda një shteti të "pushtuar" nga të huajt, ashtu si dhe në çdo luftë, pati nga këta banorë që u përfshinë në formacionet luftarake. Veçoria e popullsisë çame ishte se në atë kohë mbi 1,000 të rinj e të reja çame, u rrjeshtuan në formacionet luftarake të forcave të majta, në ushtrinë partizane EAM-ELAS.

…………….

"Partizanët e ushtrisë greke EAM-ELAS, nga e majta në të djathtë i katërti çami Petrit Musa Demi nga Filati, dy shqiptar të tjerë dhe partizanët grek Takis Theologos, Panajoti Mici, Kosta Sternaras, Jani Kondi, Vangjeli Pulis". Finiq, 1943. (Shënim(*): Sipas historianit Arben P. Llalla). Ndërsa rreth 70 banorë të tjerë, ndjekës të vllezëve Dino, u rreshtuan me forcat e djathta greke, EDES-it, të Napoleon Zervës, forcë politike greke që bashkëpunonte me pushtuesit gjermanë kundër partizanëve. (Misioni Britanik, që kreu hetime në Çamëri pas luftës nuk e mohonte pjesëmarrjen e çamëve në radhët e EAM dhe jepte një shifër prej 700 luftëtarësh. Kurse biografi i Zervës, Mihal Miridhaqi, jep shifrën e 1,000 luftëtarëve shqiptarë nga Çamëria që morën pjesë në formacionet e EAM. . Statistikave të kohës? *- Sipas të dhënave statistikore rezulton se nga rreth 30 mijë banorë myslimanë që kishin mbetur pa u këmbyer (1923) nga rajoni i Çamërisë në prag të L2B, ata që u inkuadruan me italo-gjermanët dhe EDES-in, nuk i kalonin 0,3 përqind; ndërsa ata që u inkuadruan me partizanët grekë ELLAS-in, ishin 3,9% të banorëve të komunitetit çam. Të dy grupimet e vogla: (0,3 dhe 3,9%) që u përfshinë në “pro” dhe “kundër” okupatorit, përfaqësonin vetëm 4,2% të të gjithë popullsisë çame. Ndërsa shumica absolute e banorëve çamë, ose 95,8 % e tyre, nuk u angazhua në asnjë formacion luftarak kundër shtetit Grek dhe në asnjë forcë politike greke. Strategjia greke e “Megalloidesë”, vrau, masakroi, humbën dhe vdiqën nga uria e marazi mbi 8 mijë njerëz të të gjitha moshave. Të tjerët, afro 22 mijë banorë u larguan dhunshëm nga vendi i tyre i lashtë. Sot, presidentë, kryeministra, kryetarë partishë, lobistë të shumtë dhe predikues të lartë klerikë grekë, vazhdojnë përbaltjen ndaj viktimave që krijuan prindërit apo gjyshërit e tyre ashtu dhe të të gjallëve të sotëm me sloganin e turpshëm papagallian: "Nuk ka problem çam”., ose "Çështja Çame nuk ekziston". Po, sepse nga vrasësit nuk pritet që të thonë se janë vrasës. Vrasësi duhet gjykuar dhe ndëshkuar.


Masakra greke e 1944-'45 është çështje kryesore e GJND. Çdo kohë që kalon veçse rëndon përgjegjësinë e BE-së, shton energji negative për kriminelët, shkatërron demokracinë. E keqja, pjellë e shpifjeve, mashtrimeve, gënjeshtrave, shtrëmbërimeve, kur shtratin e kultivimit e gjen tek shteti, përvoja na sqaron se e mposht të vërtetën, të drejtën. Në mjergullat që krijon e keqja, vetvetiu lindin dyshime ndaj informimit ku banorët e Çamërisë, para vitit 1913 ishin të pasur (shtresë e mesme dhe e lartë). Ata ishin pronarë tokash, bagëtish, të pyjeve, kullotave. Ishin zotër të rajonit që nga fillesa. Ata ishin "Filimët". Rronin të pavarur nga as dikush mbi krye. Në këto kushte, si pronarë u takonte të bashkëpunonin si regull me të djathtën; ndërsa ata pranuan të majtën. Nisur nga ky vështrim lind pyetja: "Ç'farë ndikoi në ndërrimin e kursit? Teorikisht dhe praktikisht çdo devijim nga parimet themelore, sjell ndërrim kahjesh. Ky devijim në parime, ndikoi edhe tek pronarët me trashëgimi që nga lashtësi, por jo pa shkak. Le ta konkretizojmë:

* E djathta greke luftonte kundër të majtëve, kundër partizanëve, siç vepronte dhe pushtuesi, ishte kjo e përbashkëta e EDES-it dhe nazizmit. Ishte luftë kundër komunizmit. L2B ishte ndërmjet dy ndarjeve të madhe: ALEATËT me BOSHTIN. Qasja e disa banorëve çamë, me më shumë anësi me të majtët, në rrethanat dhe kushtet që u krijoi shteti ortodoks grek, ishte e natyrshme. Njihemi me disa nga veprimet greke, tejet armiqësore, të ashpra, të ndërmarra ndaj banorëve çamë.

* Tek banorët autoktonë të Çamërisë, nga viti 1912 dhe në vazhdim, kishte lindur mos besimi dhe një ndjenjë vetëmbrojtjeje ndaj vetë shtetit grek, i cili i goditi rëndë çamët në të gjitha të drejtat e tyre, pronësore, ekonomike, sociale dhe politike, si qytetarë të atij shteti. Sjellja armiqësore, diferencimet dhe pabarazia ndaj çamëve nga e djathta e shtetit grek, vazhdimisht ushqente në tërësi popullin grek me nacionalizëm ekstrem, kundër të gjithë minoriteteve me shigjetim të ashpër etno-fetar.

* Shteti Grek në vazhdimësi aplikoi persekutimet, shpronësimet, shpërnguljet. I trajtonte si shtetas të huaj, i shpalli qytetarë të padëshiruar, i klasifikoi tradhëtarë të kombit grek nga që ishin konvertuar në besimin islam, para 200 vitesh, kur nuk kishte shtet grek dhe kisha ortodokse bizantine bënte krushqi me osmanllinjtë.

Faktet dhe dokumentat zyrtare që vërtetojnë veprimet greke kundër tyre:

- Në nëntor të vitit 1917, qeveria greke nxori ligjin numër 924, dt.14/11/1917, me të cilin detyroheshin të gjithë banorët myslimanë të Çamërisë se "ata nuk kishin të drejtë të shisnin, të blinin apo të kalonin pasurinë e tyre tek njëri-tjeti".

Ai Ligj është një dëshmi tronditëse, ku shteti grabit dhunshëm pronat e pronarëve të ligjshëm të komunitetit çam, i cili ishte ndryshe nga ai etno- fetar grek.

Ai Ligj, zyrtarisht shpronësonte çamët nga pasuritë dhe pronat e trashëguara që nga lashtësia. Një akt-ligjor i qartë diskriminimi, përvehtësimi, zhvatje e pashembullt që vërteton egërsinë, nacionalizmin ekstrem, fetishizimin ortodoks grek, mentalitetet mesjetare. Të gjitha këto i u zbrazën me forcën e muskujve dhe barutit banorëve myslimanë të Çamërisë.

- Arësye tjetër lidhej me faktin se edhe në Shqipëri luftohej kundra pushtuesve gjermanë. Në shumicën dërrmuese, popullsia në Atdheun Mëmë, luftonte krah për krah me partizanët, të cilët ishin inkuadruar në ushtrinë Nacional Çlirimtare që udhëhiqej nga forcat e majta.

Bilanci i masakrave greke

ndaj çamëve.

Në bazë të statistikave që jep Shoqata Politike Atdhetare“Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2.771 civilë shqiptarë: Në Filat dhe rrethinat 1.286, në Gumenicë dhe rrethinat 192, në Paramëthi dhe rrethinat 673 dhe në Parge 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5.800 shtëpi në 68 fshatra. Sipas një liste, disa humbje materiale janë llogaritur:110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 25.000 tonë grurë dhe 8.000 tonë vaj ushqimor.

Në vitin 1941 pasuritë rurale të popullsisë shqiptare në Çamëri arrinin në dy milionë e gjashtë qind mijë (2.600.000) strema (dynymë) ose 260 mijë hektarë, që përfshinin: tokat bujqësore, lëndinat, kopshtet, pyjet dhe kullotat. Pronat e paluajtshme ku përfshihen: shtëpi, punishte dhe fabrika, hotele dhe dyqane shërbimit, ndërtesa publike, etj.shumica e të cilave janë djegur dhe shkatërruar. Sipas vlerësimeve të asaj kohe, pasuritë vlerësoheshin mbi 100 milionë franga ari. Gjithsej humbje produktesh të prodhimeve bujqësore për vitin 1944 -1945 për fermerët çamë ishin 4.000.000 okë drithëra, 3.700.000 okë misër dhe 2.990.000 okë vaj.

(Shënim: shifrat nuk janë të plota, mbasi nuk ishte e mundur të merreshin të gjitha dëshmitë).

Vijon

Studiues Fahri Dahri.

Itali, më 22/06/2021.-

21 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page