top of page

ÇDO KOHË KA NEVOJË PËR ZOTËRINJTË E SAJ...(?!)


ÇDO KOHË KA NEVOJË PËR ZOTËRINJTË E SAJ...(?!) “Zëri I Rinisë”, nr. 53, Korrik 1991 BLLOKU U BOSHATISË. I FUNDIT IKU PRESIDENTI...MË TEJ?

E enjte, 15 korrik. Merret vesh se Blloku s’është më Bllok.

Ai u gërrye pjesë-pjesë, nga erozioni i rreptë i demokracisë dhe nga opozita e madhe, populli. Byro-istët evakuuan një nga një, sipas “radhës”, sipas nuhatjes së secilit prej tyre. Sipas rregullit që përcaktoi “thashethemnaja” popullore, sipas lojës dhe tolerancës së vetë demokracisë, që vazhdimisht përsos veten. Iknin dhe rregulloheshin diku, për shembull në një vilë diku pranë Bllokut, duke dëshiruar që së paku të jenë tri katër familje homologë pranë e pranë! I fundit iku Presidenti... Ç't'i bësh rregullit, harmonisë së kuadrateve! Në të vërtetë ai iku vetë, nuk e detyroi kush. I kërkoi parlamentit që të shqyrtonte vazhdimësinë e vazhdueshme të limontisë së jetës Bllok. Sidoqoftë... Edhe ikjet kanë dinjitetin e vet!


Katër gazetarë të “Zërit (të rinisë)”, vizitojmë Bllokun e Çliruar, bashkë me dhjetrat e para të banorëve të kryeqytetit. Thjesht për kureshtje. Por ja që nuk kemi vetëm sy, s'mbetemi dot në kuadrin e sipërfaqes së kapshme nga sytë; kemi edhe veshë, (për fjalët e njerëzve përqark), pa kemi, fatkeqësisht, edhe aftësinë për të krahasuar! Sa thjesht paskan jetuar!, thotë dikush, mos u kemi rënë kot më qafë?! Si nuk paskan shpallur grevë urie...E paskan mbajtur gjallë frymën me kursimet tona! Gjelbërimi të deh, por kjo është dhuratë e natyrës (Zotit të mohuar qysh më 1966!)...

Njerëzit lëvizin përgjatë vilave, jashtë gardheve, si të hutuar. “Do t'jua falnim të gjitha sikur... të ishte edhe Shqipëria “bahçe me lule”, por na është bërë e pamundur zemërgjerësia...

Madje prej tyre dëgjojmë edhe thashethemet e zgarës, më të freskëtat. Ata dinë më shumë, paçka se flasin më pak. Sidoqoftë po flasin. Thonë për shembull, se…” çdo kohë ka nevojë për zotërinjtë e saj”.

Ne mbajmë këmbët. Jemi mësuar që tek thashethemet e sotme të lexojmë të vërtetat e nesërme. Ata thonë për shembull se te vila e Filan Byroisti pritet të hyjë Filan-Politikani.

Përmendet për shembull edhe emri i Kastriot Islamit dhe ne, qindrat, mbetemi të mpirë... Ndjehemi edhe vetë si ata me duar në xhepa, të ftohtë ndaj politikave, skeptikë, si ata që dyshojnë te gjithçka... Vërtetë, vetëm se duhen ndryshuar zotërinjtë?

“Çdo fund, nuk është gjë tjetër veçse shfaqja e plotë e fillimit, shkruan T. Eliot. Edhe ky fillim si ai tjetri, atëherë...përse i quajmë të pa-ligjshëm Vendimet e Byrosë së Vjetër Politike, për Privilegjet e Të-sapo-ikurve nga Blloku? Qortojmë ndonjë fëmijë që këput një dorë lulesh nga Blloku, por kur hamendësojmë vërtetësinë e thashethemeve të fundit, na sulmon mendimi se ndonjëherë ndërtimet duhen nisur nga themelet, pas shkatërrimeve. Blloku megjithatë s'ka pse shkatërrohet. Por kurrë, kurrsesi nuk ka pse bëhet Bllok i Ri...

Demokracia nuk ka nevojë për asnjë lloj Blloku, për asnjë lukuni Zotërinjsh. Edhe deputetët, edhe figurat e shumta partiake, janë qytetarë të zakonshëm, si gjithë të tjerët. Nuk ka pse të bëhet rindarje e privilegjeve: Qytetarë të Rendit të Parë, të Dytë, të Tretë...

Përse të kemi pas 20-30 apo 50 vjetësh të tjerë, “ahe e uhe”, prej shpurave të tilla?

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page