top of page

Çaush Kullafi: vajza që dashuron profesionin e saj


Rigelca Albajrami, vajza që dashuron profesionin e saj

 

Shkruar nga Çaush Kullafi

 

Aktivitetet në qytetin e Kamzës po ndjekin njëri - tjetrin. Secili prej tyre ka atë bukurinë e tij. Nuk ka rëndësi vendi ku zhvillohet aktiviteti, te sheshi apo te Parku i Liqenit, e rëndësishme është sa ai ka impakt në masën e komunitetit.

I tillë ishte dhe Panairi i Librit "Kamza Lexon", i organizuar nga Bashkia Kamëz dhe iniciuar nga kryetari i Bashkisë, z. Rakip Suli. Shkrimtarë dhe lexues u angazhuan në këtë panair. Libra të shumtë u publikuan, çdo shkrimtar paraqiste në stendën e tij librat e shkruara.

Duke ndjekur ecurinë e aktivitetit final të akordimin të çmimeve, më 16 maj 2024 shoh një djalë truphedhur dhe me plot energji që kujdesej në detaje për mbarëvajtjen e këtij eventi. Më pas mësoj se ky djalë ishte Drejtori i Bibliotekës së Bashkisë Kamëz, z. Liridon Mulaj.

Darka vazhdon duke përcjellë te çdo pjesmarrës emocionet e çastit për librat e shkrimtarve pjesmarrës.

Isha  mësuar që në evente të tilla të dëgjoja nga podiumi për të marrë çmime autorë të njohur. Sonte këtu, komisioni vlerësues, kryetari i Bashkisë kishin konkluduar se duhej vlerësuar me çmim djali me aftësi ndryshe, Jamarbër Hoxha. Ky djalë që në vogëli, edhe pse me aftësi ndryshe, nis udhën e leximit me përrallat e Hans Christian Andresen, përkrahur nga mami i tij.

Jamarbërit i dorëzohet nga Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Kamëz, znj Albana Sulçe, çmimi i krijuesit në prozë e poezi.

Në gjithë atmosferën e këtij aktiviteti shoh që kalon në çdo tavolinë një vajzë si flutur krahëshkruar. Ajo kujdesej për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kaq të bukur. Vajza organizatore ishte Drejtoresha e Pallatit të Kulturës “Artan Cuku" Kamëz, znj. Rigelca Albajrami.

Rigelca, vajza nga Çermenika e Librazhdit, bën krenar çdo çermenikas me punën e saj.

“Erdha nga Çermenika një vajzë e vogël plot ëndërra, - tregon Rigelca. - Në Kamëz m’u desh të përshtatem me një kulturë krejt ndryshe, me njerëz që nuk i njihja, por që mikpritjen e kishin traditë.

“Këtu, në Kamëz, gjeta Zdranjshën time, - tregon ajo. - Ky qytet më rriti, edukoi dhe vlerësoi punën time.

Kjo vajzë për një kohë të gjatë është marrë me talentet e reja, i ka përkrahur dhe motivuar në çdo kohë. Ajo, në këtë qytet multikulturor, u përshtat shpejt me kultura të ndryshme.

Rigelca, Liridoni dhe shumë të rinj të tjerë nuk u mungon dëshira për të realizuar aktivitete të gjithanshme kulturore, por pa përkrahjen e kryetarit të Bashkisë nuk mund të realizonin asgjë. Këtë e tregoi dhe Panairi i librit "Kamza Lexon".

Një institucion ka sukses vetëm kur drejtohet nga njerëz me pasion dhe që dashurojnë profesionin e tyre. Këto cilësi i gëzojnë dy të rinjtë, Rigelca Albajrami dhe Liridon Mulaj. Këta të rinj duhen përkrahur dhe motivuar për të ngritur në piedestalin e duhur kulturën tonë.

Rigelca dhe Liridoni  le të jenë një shembull i mirë për organizime të tilla.

151 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page