top of page

Çaush Kullafi: NJË KAFE NOSTALGJIE ME PROF. FAIK XHANI

Updated: Apr 28



 

Shkruan Çaush Kullafi

 

Ka takime që të ngjallin mall, reflektim dhe respekt të thellë. Një prej tyre është çdo bisedë që ndaj me profesor Faik Xhanin,  njeri i dijes, i urtësisë dhe i shpirtit atdhetar. Një miqësi e bukur që lindi një vit më parë, falë prezantimit që më bëri me profesorin shkrimtari dhe kryetari  i Lëvizjes Atdhetare "Iliria”z. Setki Jashari.

Profesor Faiku është një emër me peshë në botën e arsimit, krijimtarisë dhe shoqërisë. Autor i disa librave dhe shkrimeve me vlerë, ish-kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Shqipërisë, ai përfaqëson me dinjitet një brez që i dha shumë vendit përmes dijeve dhe përkushtimit.

Origjina e tij lidhet me fisin autokton Xhani, nga fshati Lis i Matit, një vend me rrënjë të thella historike. Qysh në vitin 1467, fshati numëronte nëntë kryefamiljarë, dhe i pari i kësaj dere të ndritur ishte Gjon Xhani.

Hapat e parë në arsim, profesori i hodhi më 5 shtator 1966, në fshatin Lenë të Martaneshit. Jeta nuk e ka kursyer nga sfidat, ai është rritur jetim, pa praninë e babait që e humbi kur ishte vetëm 6 vjeç.  Por kjo mungesë nuk e ndali, përkundrazi: e kaliti, e formoi dhe e ngriti.

Sot, është krenar për familjen e tij të dashur, për tri vajzat e tij të martuara, Edlira, Adelina dhe Nevila, të cilat janë model i gruas dhe familjes shqiptare. Po aq krenar është edhe për bashkëshorten e tij, Myzjen Xhani, një grua e fortë, e dashur dhe mbështetëse e palëkundur, e cila ka qenë ndër të parat gra të shkollës së oficerave në Shqipëri.

Takimet tona janë të ngrohta dhe plot shije, një kafe dhe pak raki fshati që e sjell profesori, të shoqëruara me kujtime, rrëfime e buzëqeshje. E kur jemi së bashku me miqtë tanë të Lëvizjes "Iliria"  Setki Jashari, Kadri Dauti e Naime Gjongecaj, tavolina jonë bëhet dritare shpirti e histori e gjallë.

Me këtë shkrim dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për profesor Faik Xhanin, një burrë fisnik, një fjalëurtë i rrallë, një udhërrëfyes për brezat.

Nuk mund të mos e pyesja një ditë profesorin:

 Pse më fton shpesh në kafe, profesor?

Ai buzëqeshi lehtë dhe, me atë tonin e butë që e karakterizon, më tha:

Parimi im ka qenë gjithmonë të ulem me njerëz fisnikë, të përgatitur dhe të sinqertë. Në çdo takim tonin, marr diçka të re, një mendim të bukur, një fjalë të ndershme, një ndjesi të veçantë. Ti di ta thuash fjalën me art; e zgjedh me kujdes, me shpirt, dhe kjo më prek e më motivon.


Nga bisedat tona, unë marr përvoja jetësore që për mua janë si diamante, të rralla, të ndritshme, të vlefshme. Janë çelësa magjikë që më ndihmojnë të përballoj sfidat e jetës me më shumë qartësi dhe qetësi. Kush të njeh e është i sinqertë me ty, patjetër që merr diçka...

Dhe vazhdoi, me zërin pak të ngadalësuar nga emocionet:

 Jeta më ka mësuar se kur ulem me njerëz me horizont si ti, çdo minutë e jetës sime kthehet në një dritë lumturie. Prandaj, edhe një kafe me ty, sado e thjeshtë të duket, për mua është si një kapitull i ri në një libër të bukur.

Ky është profesori Faik Xhani,i thjeshtë, i thellë dhe gjithmonë me dritë në fjalë e në shpirt. Një njeri që i ka dhënë shumë arsimit dhe vendit, por që vazhdon të marrë kënaqësi nga bisedat e vogla, nga kafeja me miqtë, nga fjala e mirë e thënë me shpirt.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page