top of page

Çaush Kullafi: “Një jetë për jetën”,  i shkrimtarit Ali Buzra





Libri  “Një jetë për jetën”,  i shkrimtarit Ali Buzra, Kushtuar Normalistit Disident Adil Nexhip Biçaku

Çaush Kullafi



Universiteti Europian i Tiranës, ka në proces për botim, librin e autorit Ali Buzra me titull “Një jetë për jetën” kushtuar normalistit disident Adil Nexhip Biçaku. Ky është botimi i gjashtë në serinë e librave të autorit.

Profesor Aliu, tashmë në pension, por aktiv, nuk e ka ndalur veprimtarinë e tij duke shkruar për historinë e rrethit e të zonës së tij. Me këtë libër, ai risjell për lexuesin edhe një herë ngjarjet dramatike me kalvarin e vuajtjeve e të persekutimeve në kohën e diktaturës. Personazhi që ka përzgjedhur për të shkruar këtë libër është Adil Biçaku nga fshati Qarrishtë i Librazhdit.

Adil Biçaku, ka lindur në vitin 1938 në një familje patriarkale, me tradita patriotike e liridashëse. Në moshë fare të njomë, kur sapo kishte nisur shkollën fillore, ai u përball me dramën familjare të përndjekjes e dhunës së pashembullt të regjimit komunist të sapo vendosur në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1945, forca të ushtrisë shkojnë në Qarrishtë dhe djegin kullën trekatëshe të ngritur me mund e djersë nga burrat e familjes me rreth 70 anëtarë të Emin e Kapo Biçakut, si dhe konfiskojnë mall e bagëti. Përmes tmerrit e flakëve me ato pak rroba e orendi që mundën t’i nxjerrin jashtë e gjithë familja u ngjit në Mal të Mirakut mbi 1500 metra lartësi e ku ende nuk qe hequr dëbora. Njëherazi u sekuestruan dyqanin në Librazhd duke marrë gjithë mallin e ndodhur aty. Pas tre javësh familjarët kthehen pranë banesës së djegur, së cilës kujton Adili, që qe vetëm 7 vjeç, i kishin mbetur vetëm muret. Burrat e shtëpisë e meremetuan atë duke i vendosur çatinë dhe strehuan familjarët. Pas disa ditësh arrestohet gjyshi i tij Emin Biçaku, në moshën 75 vjeç. Me akuzën për tradhëti ndaj atdheut duke u cilësuar si person i rrezikshëm dënohet fillimisht me pushkatim e më pas me 15 vite burg. Arrestojnë vëllanë e tij Kapon duke e dënuar me 10 vjet. Ndërkohë që dy burrat e moshuar ndodheshin në burg, arrestojnë djalin e madh të Eminit, Rrahimin e më pas Nexhipin. Kur u arrestua Nexhipi, babai i Adilit, ky i fundit ishte 13 vjeç. Nën tortura nga më ç’njerëzoret me qëllim për ta përdorur si informator, por që nuk mundën, Nexhipi i dënuar me 10 vjet, ndërroi jetë në burg, në moshën 36 vjeç. Familja nuk u lejua të marrë trupin. Ashtu si dhe për shumë të tjerë që vuajtën burgjeve të diktaturës, edhe për të sot nuk ka një varr. Ai la gruan me katër djem, më i madhi Adili që ishte vetëm 15 vjeç, i cili vazhdonte shkollën 7-vjeçare në Elbasan. Ka qëndruar shtatë vjet në shtëpinë e mikut të familjes Biçaku, Ruzhdi Daja, i cili me gjithë presionet e vazhdueshme e mbajti atë si të ishte djali i vet. Në vitin 1958, Adili mbaroi shkollën pedagogjike(Shkolla Normale). Nuk i lejohet të shkojë mësues në rrethin e vet, e jo më në Qarrishtë, por e çojnë në Fier, ku çdo vit e trasferonin në fshatra të ndryshëm. Në fshatin e tij mund të vinte vetëm me leje nga Dega e Punëve të Brendëshme Librazhd. Në vitin 1962 ndodhej me pushime në fshat. Një natë, rrethohet shtëpia e në mëngjes arrestojnë   xhaxhanë e tij, Veliun, shtylla e shtëpisë, i cili kishte katër fëmijë të mitur. Oficeri i policisë, në prani të xhaxhait të tij të lidhur, e kërcënon Adilin duke i thënë , se pas tij radhën e ka ai. Ishte 24 vjeç. Ndjekja e survejimi ndaj tij dhe burrave të tjerë të familjes ishte e vazhdueshme. Në këto rrethana, kur priteshin arrestime të tjera, për intelektualin normalist Adil Biçku nuk kishte zgjidhje tjetër. Arratisja, ose do të dergjej në burgjet e diktaturës duke patur fatin e babait e të xhaxhallarëve. Pas disa muajsh, në gusht të vitit 1963, bashkë me një shokun e tij bashkëvuajtës, Mustafa Lleshanakun, vendosën të lënë atdheun e dashur, nënën, vëllezërit, familjarët e të afërmit. Pas një viti, me vuajtje e peripeci të panumurta nëpër kampe refugjatësh në Maqedoni e Greqi, ai shkon në Suedi. Mbretëria e Suedisë u bë atdheu i dytë i tij, të cilën ai e quan “Vendi i lirisë njerëzore” Aty iu dhanë të gjitha mundësitë për punë e shkollim. Adili mbaroi Universitetin e Stokholmit dhe si shqiptari i parë që mbaroi për inxhinieri telekomi, iu dorëzua Diploma dhe Fleta e Nderit nga Rektori i Universitetit në sallën eBashkisë, pikërisht aty ku Nënë Terezës iu dorëzua “Çmimi Nobël” . 

Në atë ditë përkujtimore për të, Adil Biçaku me mall e krenari vendos Flamurin Shqiptar në ballkonin e Bashkisë së Stokholmit. Ai krijoi familjen e tij duke u martuar me spanjollen Julita Gil me të cilën pati dy djem dhe një vajzë. Adil Biçaku, ishte një ndër veprimtarët më të shquar të diasporës shqiptare në mërgim. I pozicionuar me organizatën e Legalitetit ai mori pjesë në Kuvendin e Madridit, të thirrur për bashkim kombëtar nga Mbreti Leka I në vitin 1972, ku ishin pjesmarrës përfaqësuesit dhe figurat më me zë të diasporës shqiptare të inkuadruar në organizata të ndryshme politike.

Në vitin 1975, Adil Biçaku ishte i ftuar dhe fotoreporter në dasmën e martesës së Mbretit Leka. Ndërkohë që 9 familje të një trungu të Emin Biçakut, përfshi nënën dhe vëllezërit e Adilit, u larguan me forcë nga Qarrishta, duke i internuar në fshatrat e Belshit, Adil Biçaku nuk e ndërpret aktivitetin e tij në interes të çështjes kombëtare si dhe për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Dy vite pas tij u arratis xhaxhai i tij Kadri Biçaku, i cili u vendos edhe ky në Suedi. Të ndodhur në kushte survejimi, presioni e kërcënimesh të vazhdueshme në vitin 1978, arratisen dy vëllezërit e Adilit.


Ky i fundit shkoi vetë në Jugosllavi për të marrë ata. Me ndihmën e miqëve të tij si dhe me ndërmjetësimin e Ambasadës suedeze në Beograd, mundi të nxjerrë vizat e tyre për në Suedi, të cilët pas pak ditësh u sistemuan me punë e strehim.

Në vitin 1991, ashtu si shumë bashkëatdhetarë të tjerë të arratisur, ai rikthehet në Atdheun e tij pas afro 30 vitesh larguar. Takimi me nënën, vëllanë e mbetur këtu, xhaxhallarët si dhe të afërmit ishte një moment prekës e i përmallshëm.

Adili shquhet si njeri i letrave. Me dhjetra artikuj të shkruar nga ai u botuan në shtypin e kohës. Intelektuali Adil Biçaku, i arsimuar dhe edukuar në Europë ngre zërin me forcë në lidhje me problemet e qeverisjes së vendit e të vendosjes së demokracisë.

Në vitin 2012, promovohet në Tiranë libri i autorit suedez, Sven Auren me titull “Shqipëria Orienti i Europës” përkthyer në shqip nga Adil Biçaku.

Adil Nexhip Biçaku, sot 86 vjeç, megjithëse në pension, ende punon në Stokholm si përkthyes në gjykata, spitale e institucione të ndryshme të shtetit suedez në ndihmë të shqiptarëve në emigracion.

Me këtë libër monografi, për Adil Biçakun, autori Ali Buzra, jo thjesht përshkruan jetën e mundimshme, të përvuajtur dhe sfiduese të personazhit të tij, por vë në dukje dhe analizon dramat e përgjakura çnjerëzore që prodhojnë diktaturat.

Duke qenë në muajin gusht, muaj që profesor Ali Buzra ka vitin e 71 të lindjes së tij, (20gusht 1953) i urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe suksese në fushën e krijimtarisë.

90 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page