top of page

Çaush Kullafi: Kur flasin shifrat

Kur në shkollën “Vëllazërimi” flasin shifrat,  një dëshmi e përkushtimit dhe suksesit në arsim


"Mësuesi nuk është thjesht dhënës dijesh, por frymëzues shpirtrash të rinj. Ai mbjell farat e dijes me durim dhe i ujit me dashuri derisa ato të çelin në formën më të bukur të njeriut të së ardhmes."

Në një kohë kur edukimi kërkon jo vetëm dije, por edhe pasion, metodë dhe shpirt, shkolla 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Tiranë vijon të jetë një model i qëndrueshëm i cilësisë dhe vlerave në arsim. Dhe këtë herë, janë shifrat ato që flasin më bukur se fjalët. Provimi kombëtar VANAF, i zhvilluar më 23 Maj 2025  për klasat e pesta, ishte një provë jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit dhe vetë institucioni.

Zylfije Kullafi
Zylfije Kullafi

Që në orët e para të mëngjesit, atmosfera në shkollë ishte ndryshe,  më emocionues, por edhe më e përgatitur. Ambienti, si gjithmonë, i rregullt, komod dhe qetësues, krijonte kushtet ideale për një ditë provimi. Drejtoresha e shkollës, znj. Merita Prenga, e pranishme dhe e angazhuar në çdo detaj organizativ, nuk gjente qetësi. Kishte besim te puna e bërë, por edhe përgjegjësi për të garantuar gjithçka sipas standardeve.

Për nxënësit, ky nuk ishte një mëngjes i zakonshëm. Përballë tyre ndodheshin mësues të tjerë, administratorë provimi, të panjohur për ta. Procedurat ishin të reja dhe të ngarkuara emocionalisht. Ndërkohë, dy mësueset e klasave të pesta, Zylfije Kullafi dhe Mimoza Deda, prisnin  të heshtura jashtë ambjenteve  të  shkollës, duke pritur me zemër  për lajmin që do të vinte nga brenda: a do ja dilnin nxënësit?

Dhe lajmi erdhi,  i qartë dhe i gëzueshëm. Fëmijët, sapo dolën nga provimi, vrapuan drejt mësueseve të tyre:

“Mësuese, i'u përgjigjëm të gjitha pyetjeve!”

Një përqafim, një buzëqeshje dhe një ndjesi lehtësimi për të gjithë.

Sepse kur mësuesi punon me përkushtim, me sistem dhe dashuri, rezultati nuk mund të jetë tjetër veçse suksesi.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga portali ZVAK disa ditë më vonë konfirmuan gjithçka: kalueshmëri 100% dhe një notë mesatare 8.3 në të dyja klasat. Një arritje që nuk vjen rastësisht, por si fryt i një pune të përditshme, të palodhur dhe me përgjegjësi të lartë.

Shkolla “Vëllazërimi”, më shumë se një institucion arsimor

Shkruaj gjithmonë për shkollën “Vëllazërimi” sepse ajo është një vatër e vërtetë formimi, ku çdo nxënës gjen jo vetëm dije, por edhe ngrohtësi, kujdes dhe vëmendje. Është një shkollë ku mësimdhënia nuk është thjesht detyrë, por mision. Ku bashkëpunimi me prindërit është i vazhdueshëm dhe ku çdo detaj, nga ambienti fizik e deri te komunikimi njerëzor, pasqyron standardin më të lartë të përkushtimit arsimor.


Në  shkollën “Vëllazërimi”, nxënësit rriten në një mjedis që i motivon të japin më të mirën e tyre, ndërsa mësuesit janë mentorë që frymëzojnë. Nuk është rastësi që rezultatet flasin vetë. Sepse një nxënës i mirë del nga një mësues i përgatitur, i dashur dhe nga një ambient që e mbështet dhe e nxit të rritet me vetëbesim.

Zylfije Kullafi dhe Mimoza Deda janë më shumë se mësuese. Ato janë shtylla të forta të shkollës “Vëllazërimi”, shembull i gjallë i asaj që do të thotë të jesh mësuese në shpirt dhe në profesion. Me përvojë të gjatë, me një përgatitje të shkëlqyer pedagogjike dhe me dashuri të pashtershme për fëmijët, ato kanë fituar respektin e kolegëve, prindërve dhe nxënësve.

Në një kohë kur modelet e mira janë më të nevojshme se kurrë, shkolla “Vëllazërimi” ka fatin dhe nderin t’i ketë ato në gjirin e saj. Dhe për këtë, meriton të përmendet, të përgëzohet dhe të mbështetet, sepse aty ku edukimi është i ndërtuar mbi vlera, rezultatet janë të qëndrueshme dhe të lavdërueshme.

Shkruaj për shkollën “Vëllazërimi” me krenari,  sepse ajo është vetë fjala vëllazëri, në dije, në bashkëpunim dhe në përkushtim.

24. 06. 2025

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page