top of page

Çaush Kullafi: Këngëtari që zemrën e popullit e ka skenën e tij më të  madhe


Shkruan Çaush Kullafi


Kur një këngë del nga shpirti dhe hyn në shpirtin e tjetrit, ajo nuk i përket më vetëm këngëtariti, i përket popullit. Dhe kur një artist si Sinan Hoxha këndon, populli jo vetëm e dëgjon, por këndon bashkë me të.

Sinan Hoxha, këngëtari i njohur shqiptar, është një ndër ata emra që nuk ka nevojë për shumë fjalë,  mjafton të dëgjosh një refren të këngëve të tij dhe menjëherë e ndien atmosferën e gëzimit popullor, të shpirtit të dasmave, të gëzimeve dhe të kujtimeve që kanë mbetur në zemrën e njerëzve. 

Sinan Hoxha, i njohur si një nga interpretuesit më të spikatur të turbofolklorit shqiptar, ka ditur ta sjellë këtë rrymë muzikore me elegancë dhe energji pozitive, duke e bërë të dashur për publikun në të gjitha trevat shqiptare. Me stilin e tij të veçantë, ai ka bashkuar meloditë tradicionale me ritmet moderne, duke krijuar atmosferë dhe emocion që i përket kohës, por që ruan shpirtin e origjinës. Ai  ka lindur në Tiranë më 5 shtator 1975,  por i rritur në shpirtin e muzikës popullore dhe asaj urbane, ai është një ndër figurat më të dashura dhe të respektuara në botën artistike shqiptare.

E kam përjetuar fuqinë e këtij artisti në një nga dasmat më të paharrueshme, martesën e djalit të kryetarit të Shoqatës Kulturore “Çermenika 2017”, z. Behar Almeta. Ishte një natë që tejkaloi çdo pritshmëri,  jo thjesht dasmë, por një spektakël i vërtetë artistik, ku zëri i Sinanit bëri që të gjithë të ngriheshin në këmbë, të vallëzonin, të përqafonin njëri-tjetrin dhe të këndonin sikur të ishin një trup i vetëm.

Sinani e ndezi banketin jo vetëm me repertorin e tij, por me shpirtin që fal çdo herë që del në skenë. Çdo këngë e tij është një rrëfim i jetës, i dashurisë, i ndarjeve e bashkimeve, i nënës, i tokës, i burrërisë,  të gjitha këto i sjell me emocion të pastër, me zë të kthjellët dhe me një përkushtim që nuk ka ndryshuar kurrë, pavarësisht viteve në skenë.

Ajo që më bëri të ndjehem mirë në atë mbrëmje, ishte përshëndetja që ai i bëri nënës së zotit Behar, një nderim i veçantë që tregon sa shumë e çmon Sinani figurën e gruas shqiptare, të nënës, dhe lidhjen me rrënjët e jetës. Nuk ishte një akt artistik,  ishte një akt njerëzor, që vetëm një artist me shpirt të madh mund ta bëjë.

Sinani këndonte dhe përshëndeste nënën e Beharit, zonjën Kaleme një figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë. Ajo nuk ishte  thjeshtë e zonja e shtëpisë,  por vetë motivi që ai kishte pranuar me zemër të ishte pjesë e kësaj dasme. Ishte një përkushtim njerëzor, përtej kontratave e skenave,  ishte mirënjohje për një nënë që mishëron urtësinë dhe dinjitetin çermenikas.

Këngët e Sinan Hoxhës sot i këndon populli. Janë këngë që nuk i plaken kohës, që lindin dhe rriten në çdo dasmë, në çdo festë, në çdo tryezë ku njerëzit duan të ndihen bashkë. Ai nuk është vetëm pjesë e skenës, por pjesë e jetës së shumë brezave, që me këngët e tij i ka bërë të ndihen krenarë, të mallëngjyer e të gëzuar njëkohësisht.

Sinan Hoxha është më shumë se një këngëtar.

Ai është zëri i gëzimeve popullore, fytyra e një artisti që ka mbetur pranë njerëzve dhe një pasuri e gjallë e muzikës shqiptare.

Dhe sa herë e dëgjoj, mendoj me vete: Do doja ta shihja gjithmonë live, mes njerëzve që e duan, e që ai prej kohësh ua ka fituar zemrën.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page