
NË FAMILJEN E HAJRI KAPLLANIT
Nga Bashkim Saliasi
Pasi mbarova punët e mëngjesit, në orën dhjetë e mora në telefon nipin tim, Hajri Kapllanin, për të pirë një kafe.
- Nuk dal dot, - më tha ai, - se kam mamanë në shtëpi.
-Atëherë po vij unë lart,- i them nipit dhe dola poshtë në oborr.
Ime shoqe më pyeti:
-Ku do të shkosh, Bashkim?
-Do të ngjitem te Hajriu,- i thashë, - ka ardhur Asija, po deshe hajde shkojmë bashkë.
-Shko ti, shko, se unë do të vete nesër pasdite, tani kam punë.
Shkova te shtëpia e Hajriut në katin e tretë dhe të dy, nënë e bir, i gjeta në qetësi të plotë, të ulur në divan.
E takova me mall time motër dhe e pyeta:
-Pse është kaq qetësi?!
-Ah, mor bir, folëm e folëm sa u lodhëm dhe tani po çlodhemi, -më tha motra.
-Është e vërtetë, Baçi,- më thotë Hajriu.
Në kushtet e pandemisë kisha afro një vit pa e parë motrën.
Ajo është motra e madhe dhe mbahet mirë me shëndet, pavarësisht moshës 88-vjeçare që ka.
-Sikletin më të madh e kam nga sytë dhe gjunjët, - më thotë në bisedë Asija, - nuk kam as diabet, as tension, vetëm nga sytë s’gjej derman.
Ndërkohë nipi po përgatiste gjellën e drekës dhe heraherës shkëputej për në kuzhinë. Ai, pasi mbaroi së përgatituri gjellën, erdhi në tavolinë me një meze të çastit dhe shishen e rakisë me etiketë “Raki rrushi”, Skrapari.
-Kot mundohesh, Hajri, - i thashë, -nuk pimë dot raki…
-Hë... , - më ngacmoi ime motër,- pini nga një gotë për qejf, mos pini shumë.
U mbushën gotat dhe uruam time motër dhe më pas njëri-tjetrin.
“Katalizatori” i muhabeteve për popullin e Skraparit është rakia. Askush nga skraparllinjtë nuk e pi rakinë vetëm po nuk patën një mik apo një shok.
-Të kam gjetur, or dajë! - më drejtohet Hajriu.
–Lëre dollinë, - i thashë, - se mirë jemi.
-Jo, or jo, se kjo ka lezetin e saj, - ngulmoi nipi.
-Epo, meqë e nise, bitise! - i them.
-Po unë dollinë do e bëj “sprapthi”, -thotë Hajriu me shaka.
-Shëndetin e parë e kam për mamanë time...
-Domethënë për motrën time, - i them.
-Jetë të gjatë dhe shëndet të ketë dhe ta kemi me jetë! - urova.
Hajriu dollinë e vazhdoi gjatë dhe më pas nguli këmbë të bëja edhe unë një dolli. Desha s’desha e bëra edhe unë një dolli.
E pyeta Asijen, nëse kishte shkuar ndonjëherë në Tomor.
- Po, kam shkuar vetëm një herë, - tha ajo.
- Prindërit tanë, or bir, besonin të dy dhe betoheshin për Çukën e Tomorit.