top of page

Ç'të ishte vallë ai zë?!


Ç'të ishte vallë ai zë?!

(Monolog me vetëdijen)


Nën shoqërinë e pulëbardhave,

Mëngjesin me to e ndava si rrallë herë,

Ulur mbi atë zallishte plazhi,

Mes ajrit të kripur me dashuri përzjerë...


Jo sepse deti më kishte thirrur,

As edhe pse dielli nuk po shkëlente,

Kjo ditë në dukje e qetë me qiell gri,

Më bëri për vete!


Mu mblodhen pulëbardhat pranë,

E nisën me radhë me rrëfenjat e tyre,

Të dashuruara me detin e gjerë,

Në fluturimin me grinë ngjyer!


Ato diç belbëzonin krau - krau,

Se kjo gri e qiellit ua kishte turbulluar ritmin

Si unë e vetmuar pranë detit me dallgë,

Edhe ato kërkonin zgjimin!


U orvatën të më tregonin,

Me klithmat e tyre si alarme,

Se ky zall i ftohtë gri, ky qiell gri,

Mes tyre lidhur,

si në një simfoni të pashmangshme!


Sa doja ta kuptoja atë gjuhë pulëbardhash,

E me dëshirën ti kisha pranë,

U miqësuam e biseduam gjatë,

Nga një kafshatë buke atë mëngjes e ndamë...


Por, as pulëbardhat me krahët e tyre,

As deti që gufonte përbrenda me tallaz,

Nuk mundën vetminë të ma shuanin,

E as grinë e shpirtit tim pa gaz...


Aty s'mbaj mend sa gjatë qëndrova,

Këmbët s'mund të më përgjigjeshin dot,

Edhe pse pulëbardhat nuk u lodhën,

U djeva në faj, u thashë se kjo botë qënka e kotë...


Por befas ky tallaz që ziente furtunë shpërtheu,

Dhe retë u çanë, e drita çeli ëmbël,

Velloja gri shkëlqeu nga rrezja e diellit,

Një ritëm tjetër në zemër...


Me përshëndetjen e pulëbardhave,

U ngrita, a thua me to isha bërë një?!

Diçka më gufonte në shpirt,

Ç'të ishte vallë ai zë?!


Kuptova, brenda vetes njeriu ka,

Jo vetëm trishtimin gri të pamatë,

Por ka edhe gëzimin e purpurtë,

Që jetën ta bëj të begatë!


Ashtu si pulëbardhat vetëtimë ndaj detit,

Zemra më rrahu si asnjëherë,

Atë çast fatlum doja t'u ngjaja,

Ky rizgjim me dashuri përzjerë!

40 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page