top of page

Ç’mendojnë hulumtuesit për thashethemet



Janë të panumurt njerëzit që merren me thashetheme, por nuk i quajnë të tilla. Hulumtuesit kanë arritur në përfundimin që e folmja prapa krahëve, përveç të këqijave, ka edhe anë pozitive nga këndvështrimi psikologjik. Ndokush, sapo del nga zyra, mbahet në gojë pikërisht nga kolegu, i cili i çuçurit për të në vesh kujtdo që takon qoftë edhe rastësisht çfarë t’i teket. Vetëkuptohet që kjo është diçka e bezdisshme dhe e papranueshme.

Por nuk duhet mohuar fakti që të gjithë, pa përjashtim, bëjnë komente për të tjerët në mungesë të këtyre të fundit. Hulumtuesit kanë konstatuar se 65 deri 90 përqind e bisedave tona të përditshme kanë si objekt njerëz që nuk janë të pranishëm. Një studim i kryer për këtë temë ve në dukje se për jo pak njerëz përgojimi shkakton pothuajse po aq kënaqësi sa seksi ose sa një gjellë e shijshme.

Dihet që shoqëria e dënon moralisht zakonin e të folurit keq për të tjerët. ”Thashethemet këqyren rëndom si një sjellje egoiste që synon t’i manipulojë të tjerët dhe të ndikojë mbi ta për shkaqe keqdashëse” thuhet në një studim holandez të titulluar „Why People Gossip”.

Autorë të tjerë pranojnë se, në të vërtetë, e folmja prapa shpine ka edhe anë konstruktive. „Me ndihmën e thashethemeve mund të marrim vesh se cili mund të jetë një partner për bashkëpunim i mirë dhe cili duhet shmangur” shprehet Jan Engelmann i Universitetit Berkeley në Kaliforni, i cili ka analizuar psikologjinë e përgojimit.

Gjatë kohërave ka qënë problem jetik pranimi në gjirin e një bashkësie apo komuniteti. Gjithaq me rëndësi ka qënë për çdo njeri qëndrimi larg tradhtarëve, mashtruesve dhe egoistëve përmes paralajmërimit të shoshoqit që të ruhen nga këta tipa të rrezikshëm. Pra, sado i keq qoftë nami i përgojimit, ai na ndihmon të vendosim se cilin duhet ta pranojmë mes nesh dhe cilin jo. Madje edhe fëmijët paralajmërojnë shoshoqin lidhur me bashkëmoshatarët egoistë, të cilët nuk pranojnë të ndajnë asgjë me të tjerët, konstaton Engelmanni. Për më tepër, komentet për të tjerët i afrojnë më fort ata që i përkasin të njëjtit grup.

Nga ana tjetër, thashethemet nuk mungojnë as brendapërbrenda rrethit të personave të afërt me njëri-tjetrin. Nga shkencëtarët një gjë e tillë nuk shihet si diçka negative sepse, në rast se ndokush shkel normat e grupit në dëm të të tjerëve për hir të interesit të ngushtë vetjak, e ka hak të merret nëpër gojë për keq. Në këtë kontekst, frika se mund të bëhet objekt thashethemesh mund të ndikojë pozitivisht në sjelljen e pjesëtarëve të grupit përkatës. Kur ndodh shkelja flagrante e rregullave shoqërore, personi fajtor rrezikon të përjashtohet nga grupi.

Sipas studimeve më të fundit ai që flet për një person të tretë në mungesë të këtij të fundit, ushtron ndikim mbi bashkëfolësin lidhur me atë që nuk është i pranishëm. Nëqoftëse i flet keq, ndikimi negativ mund të shkaktojë thashetheme, paragjykime, madje edhe bullying.

Nga ana tjetër, shumica e njerëzve që merren me përgojime, nuk e bëjnë këtë me keqdashje ose nga dëshira për manipulim. Shumëkujt thjesht ia ka ënda të thurrë thashetheme, për t’u zbavitur dhe për të harruar hallet. Kështu mendojnë psikologët holandezë (shih studimin "Why People Gossip").

Por përse zakonisht orvatemi që thashethemet t’i shpjegojmë si dëshirë keqdashëse për manipulim? „Ndoshta ngaqë nuk na pëlqen kur të tjerët merren me përgojime, sepse edhe ne vetë mund të vihemi në shënjestrën e gojëve të liga. Reputacioni ynë nuk është më në duart tona, nuk mund ta kemi nën kontroll aq sa duhet” shton Jan Engelmanni.


15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page