Çështje tufe



Astrit Lulushi


Kur mbizotëron psikologjia e tufës, i dyti ndjek të parin, dhe të gjithë shkojnë pas; të gjithë ankohen se janë të varfër e të këputur, se, sado të punosh, nuk bëhet ‘hajër’. Dje, në diktaturë, këto ishin të vërteta. Sot njerëzit i sheh se nuk jetojnë keq, ose të paktën jo më keq se kudo gjetkë. Ankesa a qarja është kthyer në zakon dhe ka marrë udhën e traditës.

Edhe qeverinë që kanë, e meritojnë, sepse ajo nuk ka ardhur me dhunë (me manipulime votash, ndoshta). Pas zgjedhjeve asgjë nuk ndryshon, pavarësisht se cila parti vjen, mentaliteti mbetet stabël, mendësia është po ajo që ka qenë. Dhe ‘leaderi’ e përforcon këtë ide, kur deklaron se politika është e domosdoshme, dhe se njerëzit duhet të kenë nevojë për ‘të, kur kudo gjetkë është e kundërta, politikanët kanë nevojë për popullin. Vizitori është i prirur të besojë se njerëzit vërtet vuajnë, por sheh se askush nuk është në burg, veç për krime ordinere. Çështja është se njerëzve iu mungon individualiteti, si ata që presin; dhe si në tufë, shtyjnë njeri tjetrin e nuk lënë asnjë të kalojë.

Zelli është i paçmuar, nëse është për punë të mira. Por, nëse i gabuar, sa më i madh zelli aq më e madhe është e keqja. Kur njeriu udhëhiqet nga arsyeja, kjo nuk tregon se arsyet që ka dhënë më parë i ka ndryshuar, dhe as se ka hequr dorë nga parimet që i ka nderuar, edhe nëse nuk mund të gjejë parime të tjera më të mira,  madje edhe nëse ka provuar vdekje, burgim, vjedhje prone a konfiskime.


8 views

Shkrimet e fundit