
PARATHËNIE E LIBRIT “NË KËRKIM TË ARIT”
Në historinë e diplomacisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar (1944-1991), janë të pakta çështjet dhe fushat, ku diplomacia mund të veçohet për një përvojë apo për një shfaqje të një kapaciteti profesional gjurmëlënës. Një ndër të paktat, nga më interesantet është ajo e arit shqiptar të grabitur nga forcat gjermane në periudhën e pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rikthimi i arit si pronë e popullit dhe e shtetit shqiptar, që doli si detyrë e diplomacisë shqiptare fill pas Luftës së Dytë Botërore, u transformua në një nga betejat më interesante diplomatike, jo vetëm të historisë së diplomacisë shqiptare, por edhe të asaj ballkanike në përgjithësi. Si një problem që kërkoi 50 vjet për të arritur drejt zgjidhjes, duke kaluar nëpërmjet përplasjeve të ngatërruara të interesave divergjente apo të kundërta të pjesëmarrësve, nëpërmjet ballafaqimit të shkollave të ndryshme ideologjike dhe periudhave intriguese historike, që nga lufta e ftohtë e deri tek shembja e komunizmit, çështja e rikthimit të arit shqiptar mund të thuash se ka një karakter unikal, sa diplomatik, aq dhe juridik, sa politik, aq edhe teknik e shkencor.
Sipërmarrja shkencore e Ksenofon Krisafit për ta hulumtuar, zbërthyer, ndriçuar dhe analizuar atë, pikërisht për këtë është një nismë e qëlluar dhe e lavdërueshme dhe sjell një kontribut të shquar në faqet e historisë së diplomacisë shqiptare. Eshtë një temë e vështirë, për të cilën mungon pothuaj plotësisht literatura e specializuar, dhe ku autorit i duhet të thotë për herë të parë shumë gjëra. Mund të pohosh pa droje se vështirë të gjendesh një studiues më i përshtatshëm për ta trajtuar atë se sa autori, i cili ngërthen në personalitetin e tij portretin e shkencëtarit dhe të diplomatit, juristit dhe të bankierit.
Mbi të gjitha, autori ka pasur rastin dhe fatin të jetë protagonist i kësaj ngjarjeje dhe zhvillimi të veçantë historik, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe anëtarit të delegacionit të Shqipërisë (1985-1992) në bisedimet për çeshtjen e arit, jo vetëm si diplomat, por më shumë si ekspert jurist, drejtor i Departamentit Juridik në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nuk ndodh shpesh në studimet të shkrihet studjuesi me protagonistin, çka përbën një rast fatlum për një mision kërkimor serioz dhe, siç dëshmon kjo monografi që po i jepet lexuesit, mund të thuhet se mishëron një shembëlltyrë suksesi shkencor.
Çështja e rikthimit të arit në Shqipëri nuk ishte e vështirë, vetëm pse zgjati afro 50 vjet, gjë që kërkon nga studjuesi një punë kolosale, si dhe një operacion sistematik të qëmtimit të arkivave të Shqipërisë dhe të shteteve të implikuara në këtë çeshtje. Nuk është e lehtë të ndërmarrësh një maratonë kërkimi e analize nëpër etapat gjysëm shekullore të çështjes se arit shqiptar, nëpër analet dhe dosjet e panumërta të Konferencës së Paqes në Paris më 1946, të vazhdosh me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më 1954, të përballesh me kalvarin e tratativave jo të barabarta me Komisionin Tripalësh të Arit (SHBA, Britani e Madhe, Francë), të krijuar më 1946, dhe pastaj me negociatat e veçanta me gjithë shtetet e interesuara apo të përfshira në çështjen e arit, si Italia, SHBA, Franca dhe sidomos Britania e Madhe. Po të mbash parasysh se dosja e arit ngërthehet me probleme të mprehta të marrëdhënieve dypalshe me çdo shtet bisedues, të pretendimeve reciproke të komplikuara apo të çështjeve konfliktuale, si incidenti i kanalit të Korfuzit i 22 tetorit 1946 me anijet angleze, e kupton se detyra e studjuesit ka qenë shumëdimensionale për ta ndriçuar atë siç duhet. Do të nevojiteshin dekada përgatitje e bisedime, që të arrihej tek marrëveshjet dypalshe me anëtarët e Komisionit Trepalësh të Arit, me Britanine e Madhe më 1992, me SHBA më 1995 dhe me Francën 1996, dhe vetëm në vitin 1998, me përfundimin e gjithë transaksioneve dhe formaliteteve juridike dhe kalimin në llogari të Bankës Shqiptare të arit të grabitur nga gjermanët dhe të bllokuar nga Anglia, mund të quhet e mbyllur dosja e pafund e çështjes së arit monetar shqiptar.
Një nga meritat kryesore të kësaj monografie serioze shkencore, frut i një pune të lodhshme shumëvjeçare, është se autori ka arritur të shmangë me aftësi profesionale rrezikun e kurthit ideologjik dhe politik të kohës, kur është zhvilluar lufta diplomatike për arin. Duke i qëndruar besnik pozicionit profesional të juristit dhe shkencëtarit, ai ka ditur të paraqesë një çështje të komplikuar juridiko-diplomatike, e cila ndonëse notonte në ujrat e një kohe të ngarkuar ideologjikisht, siç ishte koha e luftës së ftohte dhe e ideologjise komuniste, ia del t’i japë lexuesit me një trajtim shkencor anatominë e nje rebusi historik të ndërlikuar.
Në kuptimin dhe zbërthimin e çështjes së arit duhen mbajtur parasysh dy elemente kryesore: së pari, rikthimi i arit ishte një sipërmarrje me interes kombëtar, dhe së dyti, ajo kishte gjithashtu edhe interes të drejtëpërdrejtë financiar dhe ekonomik për qeverinë e asaj kohe, e cila drejtonte një shtet në vështirësi të jashtzakonshme ekonomike dhe plot borxhe. Janë dy elemente, ku mund të gjente një hapësirë shprehjeje profesionalizmi dhe angazhimi personal i diplomatëve, që u përfshinë në këtë mision të gjatë dhe të vështirë diplomatik. Po këto dy elemente kanë qenë kollonat dhe piketat ndarëse të kësaj monografie nga interpretimi apo keqinterpetimi ideologjik dhe politik, që i është bërë çështjes së kthimit të arit gjatë periudhës së regjimit komunist. Autori ka ditur të ruajë distancën e nevojshme të shkencëtarit nga implikimet ideologjike dhe të paraqesë betejën diplomatike për arin si një çështje, e cila nuk u ndihmua nga ideologjia dhe politika, por përkundrazi u pengua prej tyre. Ai argumenton bindshëm efektet negative të qëndrimeve politizuese të ngurta të kohës, të cilat i shtynë negociatat për dhjetë vjet, kur ato mund të kishin mbaruar më përpara.
Me syrin e diplomatit dhe juristit, që është brenda vorbullës së ngjarjeve, autori jo vetëm ndjen, por edhe analizon shkaqet e raportit diplomaci-ideologji. Me vërtetësi shkencore ai provon pengesat e mëdha, që sillnin ndërhyrjet arrogante dhe joprofesionale të disa zyrave dhe funksionarëve të lartë të nomeklaturës komuniste në ecurinë e proçesit diplomatik të zgjidhjes së çështjes së arit. Dualizmi midis Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, (jo rivaliteti, i cili ishte i pamendueshëm), që nxjerr krye vazhdimisht në kronologjinë e stërgjatë të bisedimeve për arin, provon deformimin dhe cënimin e interesit kombëtar e shtetëror për hir të elementit ideologjik. Ne e mirëkuptojmë etikën diplomatike të ambasadorit Ksenofon Krisafi në mospërmendjen e disa emrave, që vërtiteshin si hije të protagonizmit dhe të përgjegjësisë në diplomacinë zyrtare të shanseve të humbura të asaj kohe.
Si diplomat me përvojë, Ksenofon Krisafi, përtej debatit teknik e financiar dhe kufizimeve të ideologjisë së kohës, shikon një lidhje të ngushtë logjike dhe perspektive mes çështjes së arit dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike apo të një farë mundësie hapjeje të Shqipërisë me Perëndimin. Këtë korelacion historik e përafronte largpamësia e diplomacisë perëndimore, por nuk e kuptonte dhe nuk donte ta kuptonte nomenklatura e lartë e partisë komuniste në Shqipëri. Autori analizon drejt se Tirana zyrtare nuk i kapi dot sinjalet e viteve 80’, që vinin nga qeveritë perëndimore, ku fleksibiliteti për çështjen e arit sinjalizonte ofertën për marrëdhënie dhe marrëveshje diplomatike dhe politike më të afërta me perëndimin. Ndonëse ishte pragu i ndryshimeve të mëdha, të shembjes së komunizmit dhe të mbarimit të luftës së ftohtë, regjimi vazhdonte me kufizimin e objektivit të vet tek ideologjizimi i specifikës dhe modaliteteve të kthimit të arit, dhe jo rast historik për një uverturë për kohën e re dhe ndryshimet që vinin.
Një nga përfundimet interesante të librit është se në zvarritjen e procesit të çështjes së arit plekseshin interesa të qëllimshme dhe strategji meskine në radhët e nomenklaturës për të bllokuar avancimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Perëndimin dhe shtetet perëndimore. Nuk është rastësi, por përbën një logjikë historike fakti që çështja e arit monetar shqiptar u zgjidh përfundimisht pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri
Libri e plotëson kuadrin e tij profesional me analizën, që i bën në mënyrë të vazhdueshme kuadrit të kohës, kur zhvilloheshin bisedimet, duke sjellë pamje dhe elemente profesionalë, të cilat bëjnë të kuptohen shumë mirë se përse ndodhej kjo pamje e proçesit të bisedimeve për arin në vitin 1950, 1955, 1980 apo 1990. Kjo lidhje e ngushtë me zhvillimet dhe politikat konkrete të kohës, me kuadrin më të gjërë të jetës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, i jep librit një dimension më të gjërë se sa çështja konkrete e arit.
Në studimin e tij autori fut në lupën e shkencëtarit qëndrimet e shtetit shqiptar, të Britanisë së Madhe, të SHBA, Francës, Italisë, Gjermanisë, etj., duke depërtuar në konglomeratin e interesave shtetërore, që ndërthureshin me çështjen e arit shqiptar. Është me interes, që autori bën një ravijëzim të qartë dhe të kuptueshëm për secilin shtet, duke konfiguruar si koordinimin, ashtu dhe dallimet apo divergjencat e interesave mes shteteve të ndryshme perëndimore për problemin e arit shqiptar. Është shenjë serioziteti, që autori arrin të mbajë qëndrim kritik profesional dhe të bëjë një analizë objektive të qëndrimeve për të gjithë shtetet pa përjashtim, si për shtetin e tij, ashtu dhe për shtetet, që atëhere ishin palë kundërshtare dhe armiq ideologjikë të qeverisë shqiptare, dhe tani janë aleatë të rëndësishëm të Shqipërisë demokratike. Autori është ngritur mbi ngjarjet, proçesin dhe emocionin e pjesëmarrësit apo studjuesit të dashuruar me temën, ai i jep secilit hakun e vet dhe ky objektivitet shkencor e bën librin më shkencor dhe më bindës.
Libri Në kërkim të arit mund të quhet një manual i vërtetë shqiptar i artit të negociatave diplomatike. Është një përvojë e rrallë për diplomatët, shtetarët dhe zyrtarët, të cilët mund të mësojnë nga përvojat personale e profesionale, nga format, taktikat, strategjitë, etikat dhe gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare gjatë debatit 50 vjeçar për arin shqiptar.
Ari ishte shqiptar, kurse beteja për rikthimin e tij ishte ndërkombëtare, gjë që i jep temës dhe trajtimit një hapësirë më të madhe se koha, kur kanë ndodhur ngjarjet.
Autori e ka pasuruar librin dhe e ka bërë atë më tërheqës me kujtimet dhe mbresat tepër interesante personale nga historia e takimeve, tratativave dhe debatateve per arin. Janë elemente, jo të vendosura për kolorit letrar, por me një zgjedhje tepër funksionale, që ndriçojnë më mirë ngjarje, detaje, procese, politika apo portrete diplomatike.
Monografia e Ksenofon Krisafit është një vepër shkencore, që sjell kontribut të madh në historinë e diplomacisë shqiptare dhe në literaturën tonë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo shfaqet si një domosdoshmëri për lexim për diplomatët dhe historianët, studjuesit dhe zyrtarët, per studentët dhe për lexuesin e gjërë, për të cilët bëhet emërues i përbashkët interesi që zgjon tema, thellësia e studimit dhe mënyra interesante e të shkruarit.
Libri vjen si kontribut në shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për diplomacinë shqiptare, por për vetë rëndësinë që mori dhe vendin që iu dha nga diplomacia ndërkombëtare çështjes së arit shqiptar, mund të thuhet se autori sjell një kontribut në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Ambasador Shaban MURATI
Ish Drejtor i Akademisë Diplomatike të Ministrisë
së Punëve të Jashtme të Shqipërisë
Comments