UDHA E ËNDRRAVE. . .

Ftova nanën
 
në t' bukurin udhëtim
 
I bukur, i dëshiruar
 
lutur fatit me dridhërim' .
 
"Merr të tat
 
të pastë nana,
 
Kufiri për mua
 
ishte stani,
 
gjer në krua.

-Kur t' i bëj ftesën
 
(babai më la sabi)
 
Do më flasi "Bako"
 
Do t' mendoj se je Ti.

-Të dua ty, nanë
 
Ti je i vetmi çelës
 
do t' trokasësh në çdo zemër
 
me çamërishten e d' lirë
 
të ëmbël mjaltë.
 
"Çish u ditë?
 
Jentë, i keni mirë?"

Pa do bisedosh shtruar
 
me dhaskalicën ca kujtime
 
për rininë tuaj.
 
Ti do i flasësh shqip.
 
Edhe pse ajo greqisht
 
do kuptoheni mirë.

Ajo plas sa të të tregoj'
 
se ngonia jote
 
i bëri shoqëri
 
në Athinën e lashtë
 
ndrruar emrin, në Sevasti.

"Dhimbjen ia lexova tek sytë
 
e njoha nga nikoqirata
 
ma gatoi ëmbël klumushtorin
 
pa le sallatën me llapsana."

-Pa do shkojm' në Nistë
 
ku lidhët miqësitë
 
Kafen pirë në Gumenicë
 
Ku shkove të ritë.

Do gjezdisim Pargën
 
Pa lënë jashtë Artën
 
Do lëmojmë Tre Gur't e Zezë
 
Në t' bukurën Prevezë.

-Eh moj nanë
 
do t' ndjesh erën e mërait
 
në petulla të rrëme
 
rigonin në mish të pjekur
 
mallin ke për të hequr
 
si dikur mikeshë
 
tek dera e babait.

-Pa do dëgjosh
 
gratë duke kënduar
 
"Hiq kadale valleno"
 
Burrat levend
 
në një valle "Çamiko"
 
Do shuash mallin
 
që t' përvëloi xhanin.

Seç më doli gjumi
 
në zemër
 
pata shtrëngim
 
"I zi fati juaj
 
gri, drejt zbardhjes
 
fati im."

Dhaskalica- mësuese
 
Të tatë- babanë tënd
 
Jentë- fëmijtë
 
Më la sabi- më la të vogël
 
Ngonia- mbesë nga djali ose vajza
 
Sallatë me llapsana- sallatë me lakra të egra.
 
Gjezdisim- shëtisim
 
Mërai- erëz
 
Petulla të rrëme- qofte pa mish, por me shumë erëza

    270
    1