Të pathënat për bularatasin Arqile Boti

Të pathënat për bularatasin Arqile Boti: një nder nga Mehmet Shehu dhe një ofertë nga Sali Berisha

Për herë të fundit e kam takuar më 4 gusht të 2006-ës në shtëpinë e tij të vendlindjes, Bularat. Më lidhi me të vendi ku kish punuar në Librazhd, pikërisht në të njëjtin vend ku punova edhe unë si arsimtar. Historitë për të dukeshin si fantastike, si legjenda. Kurioziteti me shtyu që ta takoja këtë njeri enigmë. Arrita ta takoja disa herë dhe të mahnitem nga dijet e tij në mjekësi dhe peripecitë që kishte kaluar. Nuk e dija që ky do të ishte i fundit. I ‘pakapshmi’ dhe i ‘shumëkërkuari’ do të binte në ‘kurth’ atë ditë kur do t’i merrja pak kohë nga koha e tij e shtrenjtë për të ‘bashkëbiseduar ca si tepër, se e gjeta në ‘orë’ të mira. Ishte ulur në verandë, i përhumbur duke rufitur kafen me ëndje. Në krah të tij qëndronte edhe e bija, Loreta, e cila tregonte dobësi për fshatin e babait të saj.

-Si s’e morën vesh që erdhe, se nuk do të kisha radhë. Do të më përcillje prapë, e hajde të zihesha me drejtorin tim të gazëtës,- iu drejtova me shaka.

Ai qeshi shumë çiltër.

-Nuk e shikon që më solle katër veta prapa?As kafen s’më latë ta pi rehat... Edhe në Qukës ku punova, përsëri ti ...

-Të ndjekim gjurmët në Tiranë, shkojmë në Glifadhë të Greqisë, më së fundi të kapëm këtu në Bularat

- Kush nuk vlerëson dhe dashuron marrëzisht fshatin e tij, nuk di të vlerësojë asgjë. Kam dobësi të veçantë për fshatin tim dhe vij shpesh, marr edhe vajzën, ta dojë edhe ajo... Siç e shikon e kam rikonstruktuar. Ishte edhe amaneti i nënës sime. Sa më shijoi kafja këtu në verandë me flladin e freskët. Jo vetëm vij shpesh, por bëj edhe shumë vizita. Si të mos i shërbej bashkëfshatarëve të mi dhe fshatrave përreth?

Më habit shifra e madhe e pacientëve që kishte vizituar deri tani ky kolos mjek me atë përkushtim: gati gjysmën e Shqipërisë dhe jashtë shtetit, 2 milionë e 500 mijë. Jeta e tij i ngjan një aventure të rrezikshme. Peripecitë e tij janë po aq interesante. Ka miq në tërë Shqipërinë dhe jashtë kufijve të saj, mjeku që gdhihej në mal për të mbledhur bimë mjekësore, që i provonte ato në trupin e tij, gjithmonë i zhytur në studime, s’kish kohë as të rruhej, ai që kurrë nuk eci me hap të ngadaltë, por vazhdimisht duke nxituar ose gati me vrap...

-S’ka kënaqësi e lumturi më të madhe kur, pas 17 vitesh ta mjekosh çiftin dhe të lindi fëmija e tyre. Kjo ndodhi në Prrenjas. Kur u martua djali i tyre dentist, unë isha kryedasmori që morëm nusen,- u shpreh plot krenari.

Gjithë jeta e këtij mjeku është e mbushur me historira të tilla që të duken, gati-gati të pabesueshme. Në bllokun e tij ai ka shënuar mbi 420 të tilla...

Thashë se jeta e tij i ngjan një aventurë në det ku sa herë dallgët e fundosin për ta mbytur, ai prapë dilte mbi sipërfaqe... Gjithnjë fitimtar... Ai flet gati si me vete: -Xhelozia në mjekësi është më e keqe se ajo e nuseve brenda së njëjtës shtëpi, -dhe pasi heshti pak shtoi:

-Mua më shpëtoi nga burgu Mehmet Shehu, ish-kryeministri i Shqipërisë, se i vlerësonte njerëzit e punës. Dhe tre herë të tjera rrezikova. Katër ministra, që s’dua t’ua përmend emrat, patën një fund të hidhur. Arsyeja: jepja receta për ilaçe që gjoja s’gjendeshin në Shqipëri, bëja ilaçe me bimë mjekësore dhe më quanin sharlatan se u nxirrja bojën disa pseudomjekëve dhe bëja eksperimente në trupin tim. Nuk dua t’u hyj këtyre historive... Kur më vdiste ndonjë fëmijë i vogël, dhe s’ishte faji im, se fshatrat ishin të izoluara, më lajmëronin me vonesë, rrugët ishin të largëta dhe të vështira, (punova 20 vjet në këto fshatra malore), atë ditë unë s’vija dot një kafshatë në gojë dhe lotoja. Mjeku nuk është thjesht një teknik, ai duhet ta ndjejë. Me keqardhje them se disa mjekësinë e kanë kthyer në biznes, harruan Hipokratin’

Suksesi i Arqilesë ishte 80% në shërimin e sëmundjeve dhe ishte i kënaqur. ‘Vetëm zoti ka sukses 100%’ -më pohon. Arqilea i jepte rëndësi shërimit me bimë mjekësore, se gjithshka është në natyrë. Studionte dhe praktikonte mjekësinë arabe, kineze dhe indiane. Bile ka 5 libra në dorëshkrim për mjëkësinë. Nënvizonte se kjo ishte shtrirë në dekadën e fundit në Amerikë, në Agli, gjermani e Francë. Bile amerikanët kanë një fabrikë të bimëve mjekësore në Indi e quajtur HIMALAJA, nga ku importohen bimë mjekësore nga gjithë bota. Atje porosiste edhe ai plus ato që siguronte në vend. Ai kishte menduar të ngrinte një të tillë edhe në Tiranë, por s’e realizoi dot. Lidhur me këtë ai më solli një episod

- ‘Isha në SHBA në një simpozium për mjekësinë... Një miku im, profesor më thotë: -Të nisa një dhuratë për në Tiranë. –Ç’dhuratë ?–e pyeta. –Është suprizë- më tha- kur të kthehesh në Tiranë shikoje. Dhe ç’ishte kjo dhuratë thua ti: Një kuti e ambalazhuar bukur me sherbelë dhe disa shënime për të. Bile në një nga ato lexova: Grekët e lashtë thoshnin: “kush ka sherbelë të mbjellë në oborr, nuk ka vdekje”... Qesha. I dërgova një mesazh: Ky sherbel është i vendit tim”

Kur e pyeta nëse i pëlqente politika , ai më tha se i kish propozuar Berisha për deputet në Yzberisht të Tiranës. Sgurisht , nëse pranoja do të dilja, por mjekësia është xheloze dhe nuk të lë të merresh me punë të tjera. Të jesh deputet duhet ta mbash premtimin. Nëse jo, je hipokrit, mashtrues. Unë nuk doja të isha i tillë siç janë deputetet tanë ... Janë të papjekur.

    800
    0