Tinguj mbi tastjerë

Vaso Papaj

A të kujtohen
 
Ditët e vjeshtës që hanin vetveten ?
 
Gjethet e plepave skuqur e zverdhur,
 
Si dridheshin tërë frikë?

A të kujtohen
 
Mëngjeset që i përkëdhelnin ato me fshesë
 
Dhe heshtur ia largonin kalimtarëve
 
çdo rrezik?

A të kujtohen
 
Ditët nën diellin që nga era dridhej?
 
Ca tinguj të shfrenuar mbi tastjerë?...
 
Beethoveni s’na shqitej e s’na shqitej
 
Dhe heshtja s’ishte heshtje, si përherë?

I kujtoj edhe sot, ashtu të thara, njëlloj bien,
 
Të ngjashme me kujtimet tona, nostalgjitë.
 
Dhe erë e ftohtë që fishkëllen, tutje i shpie,
 
Drejt hiçit që i mbulon pak nga pak çdo ditë.

    70
    0