Përqafoj kallëzat e kohës

Ali Ahmad Sait Esber
 

Poeti Sirian me pseudonimin( Adonis) .

Kandidat për Nobel
 
«Adonis artikulon kuptimin e vërtetë të gjuhës arabe, sepse e rikthen
 
atë duke e hapur në të gjitha rrugët e mundshme të një basti që është,
 
para së gjithash dhe më kryesorja, një sfidë në vetvete. Nuk është poeti
 
që pranon fuqinë e së kaluarës për të përcaktuar të ardhmen në një të
 
tashme të paluajtshme.»

Dhimitër T. Analis Kritik
 
KOHA

Përkthimi është i ripunuar
 

 

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Kush,gjaku që rërën lëvron, dhe cili, ky perëndim?
 
Na thuaj, flakë e të pranishmes, çfarë do themi?
 

 
Në laring brenda, copërat e historisë
 
dhe në fytyrë, shenjat e viktimës.
 
Sa e hidhur është gjuha tani, sa e ngushtë porta e alfabetit.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

.....xhelat përfundoi një mik? Ndoshta
 
tha komshiu. Sa vonon Xulaku*? Kush troket te porta?
 
Një taksambledhës?
 
Jepi tatimin… silueta grash
 
dhe burrash... imazhe marshojnë/bëmë shenja,
 
folëm fshehtas,- hapat tanë,
 
një fillesë vrasjesh/.
 
Thua të jetë vrasja jote nga zoti?
 
Thua të jetë zoti nga vrasja e jote?

-U hutua me enigmën,
 
u përkul si hark tmerri në ditët e tij të mysëta?

- Vëllai im humbi, babai i çmendur, fëmijët e mi të vdekur.

Kush do të pranojë lutjet e mia? Portën të përqafoj?
 
Apo

të them ankimin tim në qilimin e lutjes?
 
- Ka marramendje. Sill ilaçet
 
dhe me filtrat e njerëzve të mençur shëroje.

Kufoma që vrasësi i lexon si anekdota/stiva kockash,

Kokë fëmije ai tog apo copë qymyri?

Trup, ai që dalloj apo skelet prej balte?

Kërrusem, meremetoj dy sy, arnoj një brinjë.

Ndoshta më ndihmon logjika

të më udhëheq shkëlqimi i kujtesës?


 

Por më kot lëmoj me mollëzat e gishtave varret e brishtë,

kot shoqëroj një kokë, dy duar dhe dy këmbë,
 
të shfaqet fytyra e vrarë.


 
- Kush merr mësime nga milingona?

Pse surpriza? Është poezi
 
të takohet shkëndija tragjike me syrin?

Mos ndoshta ekstazë
 
të shikosh shtëpinë tënde të hidhet në erë?
 
copëra te zoti


 
Bufi i falltarit u përplas lartë në minare,
 
me britmën e tij thuri ylber
 
dhe qau i mbytur nga gëzimi i tij.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

.../Të fshehtat e tij nxori në pah gaztori oborrtar -
 
argjendari kjo kohë e pabindur,

moçal plot profetë.

Gaztori nxori në pah të fshehtat e tij-

Vdekje, e vërteta do të jetë

Vdekja, bukë për poetët

Dhe ajo që u emërtua apo u bë atdhe;
 
ndonjë epokë që lundron në fytyrën e kohës.

Gaztori nxori në pah të fshehtat e tij.

Ku është çelësi yt, dallga e ndritshme? Përmbytëm,
 
të përgjërohem,
 
dhe merr brigjet e mia të fundit, merrmë,

më magjepsi një pafundësi e zjarrtë,
 
më magjepsi një fije kashte që digjet,
 
më magjepsën rrugë që trembin rrugët.
 

 
Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.
 
Harroi shpirti im dashuritë e ti
 
Harroi trashëgiminë e fshehur në shtëpinë e fotografive.
 

Më nuk mallëngjehet për çfarë thonë reshjet,
 
për çfarë shkruan boja e pemëve
 
Nuk pikturon veçse 
 
ndonjë pulëbardhën që dallga hedh në litarët e anijeve.

Nuk dëgjon veçse
 
britmat e ndonjë metali, ja zemra e qytetërimit
 
hënë që pritet më dysh, e lidhur me kërthizën
 
e një përbindëshi të zjarrtë.

Nuk e di më

se zoti dhe poeti janë dy fëmijë
 
që flenë sipër mollëzës së gurit.

Harroi shpirti im dashuritë e tij

Ndaj më tremb errësira- e nesërmja e paramenduar

Ndaj më mposhtë dyshimi, më bënë qëndresë ëndrra

I lidhur vrapoj nga zjarri në zjarr

Më mbyti djersa që pikon nga trupi im

Dhe me muret ndava

pagjumësinë e natës/ ( hapat e natës, egërsira...)

Shpesh i thash poezisë që përfundoi

në kujtesën time.

Cili është tehu i dhëmbëzuar sipër fytit
 
që vendos shenjën e heshtjes?

Kujt t’i tregoj hirin tim?

Unë që harroj pulsin tim si ta çrrënjos

dhe në një tryezë ta hedh?

Unë që s’pranoj të bëj brengën time daulle për qiellin,

le të them atëherë ishte jeta ime shtëpi iluzionesh
 
dhe mulli me erë.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Pemët e dashurisë në Kasabin* u bënë motra
 
me pemët e vdekjes në Bejrut dhe këtu,

pylli i mërsinës ngushëllon

pyllin e mërgimit- Siç hynë Kasabini në hartën e barit
 
dhe filtron thellësitë e livadheve,

Hyri Bejruti në hartën e vdekjes/varret
 
si kopshte, dhe ara eshtrash.

Ç’ është ajo që nxjerrë me rrëmbim fshatin Kasabin
 
në Tyrus dhe Sidon,

ndërsa shkon Bejruti?

Cila, gjëja e largët që po i afrohet?

Ç’ është ajo që në hartën time trazon ato gjakra?

U tha vera dhe vjeshta nuk erdhi

Në kujtesën e tokës u terr pranvera/ dimri,

siç e pikturon vdekja; psikozë ose gjakderdhje.

Epokë që del nga flakoni i vendmbërritjes
 
dhe nga pëllëmba e fatit.

Epokë e përçartjes që kohën improvizon
 
Dhe erën përtyp.


 
Si nga do ta njihni?
 
Vrasës pa fytyrë/veshur me të gjitha fytyrat…

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

I rraskapitur ktheva kokën- vërej skajet

Kush zhelet? Kohëra? Vende? Parulla

në breg të muzgut të varura?

Ja, brenda një çasti lexoj breza dhe në një kufomë

mijëra kufoma.

Ja, më përmbyti humnera e marrëzisë,

Trupi im çlirohet nga pushteti i vetes

Fytyra ime nuk duket më në pasqyrën e saj

Gjaku im arratiset nga venat e tij...

Mos ndoshta nga që shikoj dritën që shpie

ëndrrat e mia?

Mos ndoshta

nga që jam skaji i universit që të tjerët bekojnë
 
dhe unë mallkoj?

Ç’ është ajo që çrrënjos thellësitë e ndërgjegjen sime

dhe ikën

mes gëmusha dëshirash, në vende- oqeane prej

lotësh

dhe miqësi simbolesh?

Përmes kombesh dhe fisesh- epoka dhe popuj?

Ç’ është ajo që pret më dysh shpirtin tim?

Ç’ është ajo që më shkatërron?

Të jem udhëkryq?


 
Mos u ndërpre rruga ime, në çastin e shpalosjes? Të
 
jetë e imja?

Mos vallë u shumëfishova, mos është humnerë historia ime

dhe fati djegia?

Ç’ është ajo që shfaqet, nga një e qeshur e fortë,prej
 
buzëve të mia të mbytura?

Mos vallë u shumëfishova, njeri duke pyetur tjetrin?

Kush je dhe nga vjen?

Të jenë gjymtyrët e mia pyje luftimesh

...në gjakun tim që u bë erë, brenda trupit tim që

u bë gjethe?

U çmenda? Kush jam në atë terr?
 
Mësomë, çmenduri dhe më udhëhiq.

Të mundesha nga lëkura ime të dal, pa e ditur
 
kush isha dhe kush do të jem

Një emër kërkoj dhe diçka të emërtoj,

por asgjë nuk emërtohet.

Kohë e verbër dhe histori e verbuar.

Kohë e baltosur dhe histori e dërrmuar.

I mallkuar lordi, errësirë lavdi zotit.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Stërgjyshi im semit u befasua nga çasti që lindi fatin e verbër.

Papagall? Apo profet që përfundoi në mumie?

O stërgjyshi im unë le tani rrugën tënde. thërras,
 
ti, që strehon molekulën e ujit dhe dyshekët e qiellit.

Është logjike të rrugëtosh, ndërsa rrugëton,
 
krenar para dhe pas meje.

Ti misteri dhe pasuria nga profecitë e mbretërisë.

Unë i pamunduri të të kuptojë, i gabuari ,

ti mrekullia.

O stërgjyshi im tani nuk të pranoj, dashurova ama krijimin

e Unit tënd, nuk do të më njohësh më dhe
 
nuk do të na lidhë asgjë veç atij rrënimi që përfundoj në
 
shpirtin tim- qan më bën të të qaj.

Përqafoj kallëzat e kohës, koka ime kullë zjarri.

Fundi i epokës që na hodhi për shi kalcium takon fillimin

e epokës që na hodhi naftë.

Zoti i fenikasve gjunjëzohet
 
në një zot të hekurt,

Dhe unë midis tyre, gjak i rrjedhshëm dhe karvanë

në prapavajtje.

Thellohem në zjarrin tim të shuar

Dhe përpiqem si të marr me të mirë

vrazhdësinë brenda shkretëtirës së vdekjes sime,

dhe them; universi e thur ëndrrën time.../fijet
 
shthuren.

Shikoj veten time në një humnerë dhe lëshohem

në rënie

natën

Shikoj dukuritë; rreth tymi

shikoj botën; gjueti,

tryeza e shtruar, - me trupa të shijshëm

dhe kokët- kupa

zoti ulet në tryezë, furrtar ishte

një dre dhe ushtar një hardhucë/ një zot
 
ha prenë apo preja zoti?

Gënjeshtare rruga dhe bregu tradhtarë.
 
Si të mos më godas tani vetëtimti çmenduria?
 
Kështu, atë që ha përçmoj dhe ushqimin.
 
Çdonjëri më lehtëson, përhumbja
 
ngushëllimi im; të hyjë në ëndrrën time,endem,
 
luhatem
 
këndoj dëshirën për refuzim dhe flas përçart-
 
hallkë e ditëve të mia, ylli i Afërditës, dhe byzylyk
 
Bricjapi
 
Them; petalet në lulëzimin e tyre
 
hapen si ballkone…

Ngushëllimi im të jem kryengritës- mobilizoj
 
rrymat e kryengritjes
 
Në ato erëra të çuditshme vini kapistër
 
E therur historia dhe tani sa fillon masakra
 
Lëreni vrasësin, dëshmitar viktimën dhe masakrën
 
Me mbetjet më mbuloni dhe më pikturoni
 
Rrënojë mes rrënojash.
 

 
Kështu mençurinë do të tërheq nga burimi i saj
 
Duke klithur mirë se vini mbetjet e mia të mira,
 
rënie të mirëpres.
 
Nesër do t’ më shuaj vdekja po nuk do të shuhem
 
Nesër do të shkoj nga njëra dritë te tjetra,
 
Vërtet, më i dobët se një fill
 
po dhe më i admirueshëm nga çdo zot.

Kështu filloj

Përqafoj tokën time dhe epshet e saj të fshehta-

Dashuron trupin e detit, një dashuri që ka diellin

për duar.
 
Trup - kthinë e gjëmimit dhe spirancë e butësisë

Trup- premtim ku unë mungoj

unë i ri-përtërituri nga ai provokim

trup/ më mbuloni me dritën e shiut të dashuruar

fytyra e Margaritës,

Jam shenjt i besueshëm...

Përqafoj kohën që vjen dhe udhëtoj

I vështirë, me hije kapiteni, vendin tim shënjoj -

ngjituni në majat e tij më të larta,

zbrisni në thellësitë e tij

terror nuk do të gjeni as zinxhirë- sikur të ishte zogu

degë,

toka fëmijë dhe përrallat- gra

Ëndërr?

Le në brezat e mi të ardhshëm këtë hapësirë ta bëjnë të vetën.

Lëkura ime nuk është barakë mendimtarësh, as

pasioni im druvari i kujtesës-

mohimi i gjinisë sime, dhe martesa ime fekondimi

midis dy poleve, e imja kjo epokë,

i imi zoti i vdekur dhe mekanizmi i vdekur- Koha ime

të banoj në rezervuarin e dëshirave,

të jenë mbetjet e mia lulet e mia, dhe unë

alfa e ujit dhe omega e zjarrit- i çmenduri

i jetës.

Duke shfaqur ndërkohë të fshehtat e pasionit të tij,

Rrëfen se

Është i shthururi, kryengritësi, diversi.*

(Bejrut, 4’ qershor – 25’ tetor 1982)

*Hulaku- Perandor i Mongolisë.
 
Rrethoi Bagdadin më 1258 duke i
 
dhënë fund epokës së Kalifatit.

*Kasabin- vendlindja e poetit.

Përktheu: Vasil Klironomi

    721
    1