Përpiqu të jetosh me sa më pak iluzione

Përpiqu të jetosh me sa më pak iluzione... kur bëhet fjalë për Shqipërinë e dashur

Nga Fatmir Terziu

 

Të zbulosh Shqipërinë tënde këto ditë do të thotë shumë gjëra, dhe më kryesorja mbetet se „dritëhijet duken të stërzgjatura dhe të kaltëryera“. Kjo të hedh dritë më shumë, ndërsa përulesh në një narrativ të kuptosh se ku qëndron thelbi për të ditur se ku ta kërkosh. Si ta mbrosh atë. Dhe ndonjëherë... si ta krijosh atë. Shumë gabimisht përpiqen ta ndryshojnë dhe pak e fshehin ashtu siç është, sepse vendi ynë është monolit, pavarësisht kohës dhe veprimeve tona. Ne vetë jemi ata që veniten, fije legjendash stërgjyshore të gërshetuara si në një qilim, të dënuar në harresë, ose ringjallje, sipas zgjedhjeve tona njerëzore në këtë jetë shumë të hutuar dhe të shkurtër rrufe, ku gjithnjë udhëton njeriu dhe pyetja habitate se „Ç'të kemi, qeni të zonë nuk e gjen.“

Shpesh pyes veten pse ne shqiptarët jemi kaq të aftë të kritikojmë njëri-tjetrin dhe të mos lëmë kurrë një hapësirë ​​të ndritshme në shpirtin tonë për lavdërim? Për të mirën që kemi bërë. Ose çfarë kemi ndërtuar. Dhe madje edhe për emocionin e asaj që do të donim të bënim. Përderisa e ndajmë. Le ta kalojmë atë. Për dikë që mund ta bëjë atë të ndodhë. Nëse vetëm në botën e tij. Sipas premtimeve të ringjalljes së brendshme të paraardhësve të tij të denjë, që kalërojnë mendimesh në një hapësirë që krihet ndoshta edhe para një „pasqyre kornizëcifluar“.

Prandaj, sot do t'ju tregoj një thellësi mendimi që vjen nga leximi. Leximi i „Përgjumje iluzionesh“. Një lexim që ftillon pak rilindje shpirtërore dhe që fillon me hutimin tonë e që  përfundon me një shëmbëlltyrë globale për mirësinë këshilluese njerëzore: „Përpiqu të jetosh me sa më pak iluzione.“ Thjesht një botë me iluzione?! Autori i këtij romani të shkruar vite më parë, më saktë në vitin 2006-të thotë: Pasojat e iluzioneve janë më të lidhura se zhgënjimet e dashurisë“.  

Dhe ndërsa jetoj, punoj dhe angazhohem në ishullin britanik, hyj më thellë në këtë mendim dhe shtoj se këtu nuk është thjesht binomi i pasojës, por vetë historia shqiptare, qoftë dhe ajo vetë angleze e vendit ku unë jam, por dhe njerëzore. Them kështu se duke shkuar në të ikurën „Në moshën e dashurisë, kur isha njëzet vjeç“ e shoqëruar me një „la-la-la“ nga një idehur, protagonist në romanin e shkrimtarit Thani Naqo, na udhëton tek thelbi që kërkohet për të bërë narrativin, pra duke kërkuar dhe vetë-ndodhur me shpresën e rigjendjes shpirt-dritësore në vendin tim të ndryshuar. Aty ku në kërkimin tim të vendosur dhe rrëmujën e atdheut mërgimtar që mbetet i kthyer me sy e mendje si gjithnjë në trojet e veta, gjeta dikë që të lavdëroja për një roman, që ndoshta nuk u ka shkuar në sy e në mendje kritikëve. Dhe në një mënyrë që do t'i emociononte ndërtuesit e asaj Shqipërie, ku do të ishte e kuptueshme pyetja e verbër e vetë këtij narrativi „nuk vritet vetja dy herë, zotërrinj policë“. Dhe e saktë. Dhe unë lexoj e dëgjoj zërat që vijnë dhe ikin në këtë roman.

- Qe i veshur në kanotiere dhe mbathje. Pesë fit e gjysmë i gjatë. 166 paund. Këtë mëngjes rrudhat në fytyrë iu dukën më të thella se herët e tjera“ (faqe 7)  është një fragment që depërton thellë në ndriçimin e njeriut, duke qëndruar në miniaturën patriarkale të ndërlikuar të kohës, me një mosbesim në fjalë dhe në veprim „opozita do ta rregullojë këtë vend të shkretë“ dhe që përqaset me „“Atëherë kur gomerët të kullosin mbi ne“ edhe pse shpresa hyjnore e jetike është vendosur si një pendara nga dora e djathtë e Zotit në këtë hapësirë të bukur të Ballkanit Ilirian.

Nga lajmet mësohet përmbysja e sistemeve komuniste dhe zërat tashmë ndryshojnë, nuk dëgjohet më zëri i Lary Kingut, por një ndjesi zëri që të bën të kthehesh në atdhe. Por nga ana tjetër është dhe një gërryerje e thellë që përshkon turma e refugjatëve në dy anët e trotuareve, mjekroshi, rrobat e përdorura, deri kur vetë „Mashkullorja u kthye nga Paganini“ e kështu Mashkullorja mbetet me lotin në sy, e vajza e taksixhiut mbetet shtatëzënë, që sqarohet dhe pseja kur merr vesh „përjashtimin e Ciceronit dhe Trëndafiles nga shkolla“.

- „Padashje ia dedederdha brebrebrenda“ – ulërin Ciceroni në berberhanë. Dhe nuk ka si ta lësh më vetëm këtë ktrahurë që herë të tërheq, e herë të shpie në pakohë, e në disa raste në të gjithë hapësirën narrative të treqind faqeve të bën të mirëkuposh thelbinpse autori përdor emra të tillë, Lenini i Vogël, Paganini, Ciceroni, Taras Bulba, e më së shumti vetë kuptimin. Easaj që emetohet si e rëndësishme „Duhet të ngjallet edhe njëherë Pashai i Janinës që të zërë radhë Shqipëria“. E autori që e di mirë thelbin e vetë jetës dhe fatit të kkës së pashait të Janinës, shakaton dhe humori merr tjetër trajtë ndriçuese në Iluzion: „Nuk ma merrte mendja, që një njeri xhuxh dhe pa një fije floku në kokë si Lenini i Vogël, të thoshte shprehje aq të mençura si për shembull: „I miri se qe i tillë, tani ka marrë rrugën e djallit“ dhe „bota kapitaliste po rrëben ajkën e intelektualëve…“, apo „Marksi këmbëngul se revolucioni fillon në stomak“.

Derisa narrativi rrëfen më tej për iluzionin. Rreth Ciceronit dhe tërsisë së karaktereve. Rreth shtëpive dhe njerëzve, të kaluarën dhe të tashmen. Për të moshuarit dhe fëmijët. Për ata që kanë shkuar dhe ata që vijnë. Romani me sqimën e penës së autorit hyn në botën e tij të krijuar për të mirë, në të cilën më çoi rastësia jo e rastësishme për ta lexuar. Sepse në idilin rural të një këndi shtëpie, duke ikur me egoizëm nga problemet që e ndjekin, i mbështjellë në një top mendimesh e iluzionesh në mosbesim ndaj vetes dhe të tjerëve, pajton vetë iluzionin e një bote tjetër ..., natyrisht jo më kot e citon romani „…borxhli e ndjej veten para gjigantëve rusë“. Dhe heshtja e leximit tkurret. Bërtet në vetvete dhe britma shkon më tej kur mendon se „shembja e iluzioneve bëhet shkak për shpërthimn e trazirave“.

Duke mbyllur kështu këtë ndalesë kujtojmë se Thani Naqo ka shkruar e botuar vepra të tjera që vitin 1985 me tregimet „Kabina e kuqe“, apo dhe tregimet e Vatra njerëzore (1987); tregimet e Shtëpia e përgjumur“ (1977) e librat që ka botuar më pas në vite. Ai ka mbetur stili i tij. Dhe ndërsa konkludoja kuptova se në romanin modern „Përgjumje iluzionesh“ ka një kapitull që duhet shtuar vazhdimisht, rifolur dhe plotësuar. Si një fund i hapur nga e kaluara në një parathënie të së ardhmes. Dhe aty, në skenën tipike të iluzioneve, ka vend për të gjithë ata që kanë diçka për të thënë. Sepse në fillim ishte Fjala. Dhe le të jetë e lavdërueshme ajo që shkul iluzionet e një kohe të trishtë, në të gjithë filozofinë e diskursit të kohës, hapësirës dhe vendit. Unë do ta filloj këtë kapitull për ta mbyllur kështu: „Një herë e një kohë, një djalë po ecte përgjatë bregut të detit. Dhe një natë më parë pati një stuhi dhe valët e zemëruara hodhën mijëra yje deti në rërë. Të gjithë po vdisnin nën rrezet përvëluese të diellit. Djali u përkul, mori njërën prej tyre dhe e ktheu në ujë.

- Pse po e bën këtë - pyeti Deti - a ka rëndësi gjesti juaj për yjet e tjerë që nuk mund t'i shpëtoni?

Djali buzëqeshi dhe u përgjigj:

- Mund të shpëtoj vetëm një dhe kjo do të thotë shumë për të dhe për mua!“

Pra ky roman nuk është thjesht „tranzicion“, as dhe vetë thelbi „iluzion“, por një shtysë që të duash e të mirëkuptosh thellë e mirë pse të duash, pse ta duash Shqipërinë tonë të dashur, edhe në të mirë, edhe në të keq, edhe në zhgënjim, edhe në mosbesim... Pra, mjafton të bësh një të mirë!

    530
    1