PËR TY ROZAFË

Poezi nga: Kasam SHAQIRVELA

Emri yt ma prek zemrën time
 
Edhe ashtu fort të lënduar…
 
sa herë që shtegtoj lashtësisë
 
labirinteve duke të kërkuar
 
brenda ndjenjës së mërzisë.

Emri yt ma zgjon shpresën time
 
edhe ashtu të fjetur e të thyer…
 
një dëshirë fëmijës jetime
 
një mall nëne brenda mbërthyer
 
nga një ëndërr në zhgjëndërime.

Unë të putha me përkushtim
 
përmes dhimbjesh burrërie
 
jepja pra dhe Shkordës trime
 
një legjendë prej Ilirie
 
se ajo fort e meriton…

Merrna Rozafë në përqafim!
 
syri yt më të mos lotojë
 
për një kult të vendit tim
 
jeta prapë le të vazhdojë
 
tokë e qiell derisa të bashkohen.

Miti vendos për fatin tënd
 
fustan nusërie të kërkon
 
flijimit për Pellorin Pellazg
 
burimi jetës jasht’ i qëndron
 
me therorë fort e dekoron!
 
*
 
Zëri ka timbër, kumbon qielli e
 
përlotet fëmija, n’gji t’nënës vet
 
zemra digjet, dhe vet Dielli
 
n’Hënë të plotë nusen e përjet
 
shpirti kërkon shpirtin binjak.

Për Ty ROZAFË, mal-mendime tund
 
dhe, termiti i kohës ushqim m’i ka
 
pluhurin e haresës një zog e shkund
 
ëndrra seç m’i përkund mendimet
 
atij pusi të dhimbjeve pa fund.

Shtegtimit tim nëpër kohësi
 
dega mallëngjimit përtokë i ra
 
vetëm për Ty ROZAFË…
 
malli im për të të parë, po
 
të ndalur ai nuk ka,
 
varun gjerdan në qafë
 
s’ka të këputur, jo!

    370
    0