Për Bardhyl Golemin...

TAKIM ME AKADEMIKUN BARDHYL GOLEM
 

Nga Luan Çipi
 

Sapo e kaloi 91 vjetorin e lindjes dhe kur e sheh, çuditesh me freskinë dhe kapacitetin mendor të Bardhyl Golemit, njërit prej anëtarëve më të vjetër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kam pasur fatin dhe nderin ta kem njohur doktor profesorin dhe shkencëtarin e mirënjohur Bardhyl Golemi, qysh në fëmijëri dhe të jem ulur shpesh ballas me të, në të njëjtën tavolinë, si shok dhe mik. Këtu, përballë njëri tjetrit, edhe më shumë se në përpjekjet dhe mundin shkencor, kur i përqendruar, është thuajse dalë normalitetit jetësor, në pasionin dhe dhuntinë e tij prej njeriu të veçantë, këtu, sy me sy, ndofta para një filxhani kafeje, apo të një gote me raki, njihet më mirë dhe zbulohet e plotë madhështia e njeriu të vërtetë. Në këto kushte, midis shokësh të vjetër, shumica të ardhur nga Vlora prej vitesh në Tiranë, duke ngrënë së bashku një darkë të thjeshtë në një rast përvjetori lindje, janë formuar prej meje këto vargje për të:

Për Bardhyl Golemin, yllin tonë të ndritur,

Jemi mbledhur sot, në një përvjetor,

Ta nderojmë nga afër duke e selitur,

Me ngjarje nga jeta, me gaz e humor.


 
Mes shokësh, gjithnjë në ballë,
 
Në një vit, kalon dy klasë,
 
Vlora, të formoi si djalë,
 
Tirana, nisi të flasë,
 

 
Bjer e ngriu, me lexime,
 
Vërtetim, eksperiment,
 
Pa pushime e pa dëfrime
 
Si shkencëtar po nis e flet.
 

 
Kudo fitove besimin
 
Mësues, me lavd e nder
 
Thjeshtësia, mirëkuptimi,
 
Fjala e bukur, morën vlerë.

Jo vetëm si pedagog,
 
Metodist e novator,
 
Një orator i pa shok,
 
Me grad’ doktor-profesor.
 

 
Këto çdo student i thotë,
 
Kudo e me zë të lartë
 
Kur, përhapur nëpër botë,

Shfaqen si të barabartë.
 

 
Një krijues fort prodhimtar
 
Programe tekste shkollore,
 
Në krye mbi arsimtarë,
 
Autor librash shkencore.
 

Mbledhur sot festojmë, gëzojmë

Midis shokësh të vërtetë,
 
Të kujtojmë 91 vjetorë,
 
Të na rrosh dhe 100 vjet!

Po pse ky frymëzim poetik për protagonistin e këtij takimi shokësh?
 
Bardhyl Golemi është autor i disa mijëra faqeve të shkruara në libra të veçantë dhe në tekstet e Universitetit për elektroteknikën. Ai, gjatë 60 viteve ka punuar me 80 breza studentësh dhe ka përgatitur 4700 inxhinierë, prej tyre më shumë se 500, në Universitetin e Prishtinës, ku ka dhënë leksione të elektronikës për dhjetë vite me radhë. Ai, ndër të rrallët intelektualë nga Shqipëria, është takuar me Kosovën në vite të vështira për fatet e saj, duke zbuluar, nxitur e kultivuar te të rinjtë e Kosovës, sidomos te të rinjtë e Universitetit të Prishtinës, jo vetëm dëshirën për të studiuar, por edhe shpirtin e ndezur nga zjarri i lirisë, si dhe ëndrrat e bukura për ta parë Kosovën të pavarur.

Bardhyl Golemi, shkencëtar dhe akademiku i sotëm, nuk lindi si një rastësi. Ai i ka pasur të dy prindërit e tij mësues. Ata janë me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës, po më gjatë kanë punuar në rrethin e Vlorës. Babai i tij Muhamet Golemi, ka qenë një burrë i ditur dhe fort i nderuar dhe, si në Sarandë dhe në Vlorë, kishte fituar dashurinë dhe simpatinë e të gjithëve, ndërsa Xhemileja, ishte dhe ajo një mësuese e nderuar dhe e adhuruar nga të gjithë, për taktin pedagogjik, urtësinë dhe ëmbëlsinë e fjalës së saj.

Talenti i gjithanshëm dhe prirjet për t’u bërë dijetar, Bardhyl Golemit, iu shfaqën herët. Të gjitha klasat, që nga fillorja në Universitet, ai i përfundoi me notat "shkëlqyeshëm"! Gjimnazin e mbaroi në Vlorë me "Medaljen e Artë". E veçanta tjetër është se, duke qenë student i shkëlqyeshëm i Universitetit (në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike) Tiranë, në vitin e fundit të tij, duke qenë vetë student u caktua të jepte leksione për bashkë studentët e viteve të para. Kjo tregon për vlerat e veçanta intelektuale të djaloshit të ri. Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, si student i parë i tij, e përfundoi me nota shkëlqyeshëm e po këtë vit u emërua pedagog i Universitetit. Ai ishte, gjithashtu, ndër të parët që në vitin 1979 mbrojti doktoratën dhe mban gradën "Doktor i Shkencave" elektroteknike, veç titullit "Profesor", ndërsa prej 24 vjetësh është zgjedhur edhe Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Detyrat drejtuese në strukturat e Universitetit e jashtë tij, kanë qenë të shumta.

Bardhyl Golemi është autor i mijëra faqesh me studime shkencore, publikuar brenda e disa edhe jashtë vendit. Ai është Laureat i Çmimit të Republikës të Klasës së Parë dhe i disa Urdhrave të tjerë. Para pesë vjetësh, në prani të akademikëve, profesorëve e specialistëve, Akademia e Shkencave organizoi promovimin e veprës së plotë të Bardhyl Golemit në librin "Bazat teorike të elektroteknikes" një traktat në tre vëllime dhe 1400 faqe.

Është një fakt i rrallë që edhe pa qenë anëtar partie, por duke çmuar vlerat dhe ndershmërinë në punën për t’i shërbyer Atdheut, në kundërshtim me mentalitetin e kohës që në poste të larta duhet të ishin komunistë, ai pa qenë i tillë, qysh atëherë, falë dhuntive drejtuese e organizative dhe profesionalizmit të tij të spikatur, u caktua Zëvendës Ministër i Arsimit, për arsimin e lartë dhe të mesëm. Këtë detyrë fort të rëndësishme ai e kreu me zotësi e ndershmëri për mbi 10 vjet (1981-1991).

Në këtë kohë u caktua edhe Kryetari i Komisionit Kombëtar i UNESCO-s për Shqipërinë, detyra që e nderojnë atë, sepse i kreu me nder dhe devotshmëri, si dhe Qytetar Nderi ie Qytetit te Vlorës.

Edhe pas viteve 90, Bardhyl Golemi si dhe më parë mbeti njeriu i arsimit dhe i shkencës e nuk hyri drejtpërdrejtë në politikë e as në ndonjë parti të veçantë politike. Detyra e tij e përditshme ishte dhe është pjesëmarrja aktive në punimet shkencore teorike e praktike, në institucione e firma që lidhen me fushën e tij, duke zhvilluar deri në ditët e sotme, leksione e seminare të ndryshme, në Akademi dhe Universitet, si dhe jashtë tyre, në qarqet intelektuale e shkencore, në Shqipëri e Kosovë. Ai, së fundi veç botimit të librave në ndihmë të studentëve dhe inxhinierëve elektrikë, po merret me studime të tjera të rëndësishme për problemet e bioelektromagnetizmit dhe impakteve të tij shëndetësore, me problemet e depistimit elektromagnetik në mjedisin e Shqipërisë; është angazhuar në udhëheqje doktoraturash, në përgatitje mikrotezash për studentët e ciklit të dytë, si dhe merr pjesë në juritë, për miratim doktoraturash e studime të tjera.

Më 25 shkurt të vitit 121 Akademia e Shkencave e shpalli fitues Akademikun Bardhyl Golemi të “çmimit te karierës”. Si “Personalitet me veprimtari intelektuale univeristare dhe akademike gjurmëlënëse. Brenda dhe jashtë vendit, përmbi gjashtë dekada...”

Këtë punë shkencëtari i shquar Bardhyl Golemi e bën në vazhdimësi edhe sot me pasion e dashuri, ndërsa fjala e tij peshon e vlerësohet gjithnjë e më shumë nga të gjithë Shqiptarët, këtu dhe në Kosovë (e cila mbetet përherë përAkademikun e Shquar, një kujtim i përmallshëm e një dashuri e veçantë).


 
Tiranë, përpunuar 23 Maj 2023

220
1