...puthjet shpëtojnë njeriun...

Fatime Kulli
 

Ëndërroj krahët e kalit të bardhë ...
 

Një psherëtimë e ftohtë
 
Si tingulli i kitarës telkëputur...
 
Qetësisht e vetmuar rrotullohet.
 

U duk se më çeli buzëqeshja e largët...
 
Kur vesha fustanin e bardhë,
 
nën puthjen e ëndrrës së artë,
 
dukej shumë i lumtur...
 

Unë, materie e buzëqeshjes së trishtuar
 
ëndërroj krahët e kalit të bardhë,
 
të ëndrrës realitet...
 

Në këtë tingull shpresëkëputur
 
Që kohë më parë
 
I adhuroja tingujt të krijuar
 
dhe formën e kurmit burrëror.
 

Eh, kujtoj
 
buzëqeshjen e tij të çmendur,
 
që gajasej në sup të mbrëmjeve.
 
nën qiellin e syve të tij
 
çelnin bulëza të paçelura..
 
Vrapoja nëpër ëndrra të kaltra.
 
U duk se më çeli buzëqeshja e largët...
 

Ndër gishtërinjtë e gjilpërës
 

Engjëll shkatërrimtar
 
i shpirtit tim.
 
Dua të tretem nën rigat e shiut
 
të ndjej drithërimat
 
e frymëmarrjes sate,
 
Si lule e pafishkur nëpër gur...
 
Dua të jem gjilpërë,
 
në dritëzën e fundit të pusit
 
të të shoh kur dridhesh
 
ndër gishtërinjtë e gjilpërës,
 
për të rizgjuar ëndrrën tënde...
 

...puthjet shpëtojnë njeriun...
 

Dëgjova heshtjen time të nanuriste mbi flokët e hijes
 
Gjarpërinjtë më qeshnin gazin e mbytur tej mallit
 
Thirra hënën të bëj magji me vargje,
 
Kur hëna hapi barkun, më dhuroj një ylber:
 
“Puthe - më tha, - të zhduken hijet, puthe të shpëtosh!
 
Vetëm puthjet shpëtojnë njeriun...”
 

Nën lëkurë të ajrit...
 

Në gjinjtë e muzgut përpëlitem
 
Flokët e hënës më varen mbi sup,
 
mrekullisht derdhen sytë e errësirës,
 
si ujërat e bardha në barkun e nënës.
 

Në prehër të muzgut zgjohem
 
Me trëndafilin e egër në buzë
 
Pabesisht më shpojnë kërcejtë
 
e gazlotit,
 
nën lëkurë të ajrit digjem si shpuzë.
 

Në këmbë të muzgut gjunjëzohem
 
Gjuhën e ajrit dalldisur puth
 
Vrapoj të këndoj ku çelin dritë-hijet
 
me zërin e fletë-trëndafilit.
 

...me vezoret e insekteve
 

Edhe seksi ka filluar të çmendet
 
Nga xhelozia e ethëzimit stinor...
 
Të gjithë janë pronësuar,
 
Shpirtvdekur,
 
ujqër të tërbuar shqyejnë pangopësisht...
 

Seksi është shumuar
 
Në pyll me vezoret e gjarpërinjve...
 
Në ujë me vezoret e gaforreve...
 
Në tokë me vezoret e insekteve...
 

Nën rrënjë të hënës ...
 

Shumë kohë më parë
 
në një kthinë të ëndrrës,
 
theva pasqyrën e portretit tënd.
 
Ciflat e pasqyrës u shkërmoqën
 
në imazhin e ëndrrës...
 

Degëzat e kohës gumëzhijnë
 
lëndueshëm, jehonën muzikale...
 
Nën fëshfërimën e gjurmëve
 
të pluhurit të puthjes,
 
varrosa nën rrënjë të hënës
 
buzëqeshjen time...
 

Perëndi fantazmash...
 

Po të tregoj ty mikja ime
 
e panjohur:
 
Sonte u zgjova trembshëm nga gjumi.
 
Shtrati m’u fundos
 
Nën ujërat e ëndrrës...
 

Kullosja në livadhe të thella,
 
Tmerrësisht të thella...
 
Nga fundi i parajsës
 
Kundrova flokë të verdha.
 

Shëtisja dhe këndoja
 
Buzëfrymës më të bukur
 
të planetit, Burrë...
 
s’pyesja për gjëmat e lajmëtarit
 
se po tradhtoja bashkëshortin...
 

I derdha të gjitha qelizat fisnike
 
Në një arë të artë prej bimësh,
 
Që shkëlqenin si perëndi fantazmash
 
E qëndisën emblemën e bardhë
 
Në dëshirën time.

    100
    0